Epoka Rugoviane po rikthehet bujshëm dhe suksesshëm!

min lexim

Të dashur bashkëkombës,

Zonja dhe zotërinj,

E nderuara zonja Abdixhiku, i nderuar kryetar z. Abdixhiku, deputete z. Bajrami, i nderuar sekretar z. Imri Ahmeti, nënkryetar z. Quni-kryetar i Grupit politik për Mërgatë, kryetar i Kom. Vitisë z. Haliti, ish deputet z. Shkemb Manaj, koordinator Shkumbin Gashi, deputet Zemaj,

Familje të dëshmorëve: Çekaj, Krasniqi, Zemaj, Hajdaraj, Ukëhaxhaj, Bruqi, Rrahmani, Dakaj, Zeqiraj,

Kryetar i Degës së LDK-së për Belgjikë z.Kastrati, kryetar i Degës së LDK-së për CH z. Kosumi, ish-ushtar i orëve të para të Ushtrisë së Kosovës z. Geci,

Të nderuar anëtarë, simpatizantë, ish-kryetar të Degës z.Bajgoraliu, delegat Krasniqi, veprimtarë veteranë të LDK-së, baca Sahit Haziraj, daja Adem Thaqi, baca Emrush Tafa, baca Mehmet Koka, baca Xhafer Leci, baca Idriz Zeqiraj, ish-anëtarë të Komisioneve të 3%, që vepruat për dekada, në shërbim të çështjes kombëtare në krye me ish-kryetarin shumë të vyer Pjeter Colin…

Sot, jemi tubuar në këtë format kuvendimi, pas më shumë se dy dekadash, periudhë që ndodhën shumë ngjarje historike e tragjike, procese politike, ndryshime të brendshme, thyerje, fragmentim, ndarje, por për ironi roli, trajtimi dhe qasja ndaj Mërgatës, këtij aseti të çmuar Kombëtar, që në periudha të ndryshme historike i dha nxitje dhe shtytje procesit të shtetformimit dhe shtetndërtimit të Shqipërisë dhe Dardanisë, sjellja e lidershipeve të LDK-së, pas shkuarjes në amshim të Presidentit historik Dr. RUGOVA, gjitha pushtetet ndaj Mërgatës ishin nënçmuese, injoruese, ku u krijua një distancë e heshtur. Degët e LDK-së në Mërgatë e me theks të veçantë Dega e LDK-së për Gjermani, që nga 1990/91, ishte organizimi më i fuqishëm politik në historinë e botës Shqiptare të Emigracionit, duke qenë një lëvizje masovike dhe promotore e lëvizjes për Pavarësi, të udhëhequr nga elita intelektuale, dijetari dhe babai i Dardanisë Dr. I. Rugova.

Image

Pamje nga tubimi i LDK-së

Kjo lëvizje politike e LDK-së, para lufte kishte 1357 – aktiva vetëm në Gjermani. A e kuptoni fuqinë e këtij organizimi? Vetëm një njeri të ishte në çdo aktiv sot, do të thotë se i kishim mbi 1300 aktivistë, por të ishin nga dhjetë, e kishte raste me dhjetëra, d.m.th., se kishim mbi 13 mijë aktivistë! Dikujt mund t’i duken pak, por ato ishin mbi 13 mijë familje, pra mbi 50 mijë veta- mbështetës, i kishim vetëm nga aktivet. Po me veprimtarinë shtesë dhe me anëtarësinë ku mund të arrinim?

Këtë e dëshmonin tubimet e LDK-së, nëpër organizime të ndryshme, por edhe më madhështore ishin protestat kundër dhunës së okupatorit serb, për sensibilizimin e Gjermanisë dhe të opinionit këtu, për të siguruar mbështetje për udhëheqjen politike -shtetin paralel të Kosovës, me liderin legjendar Presidentin Rugova.

E gjithë kjo armatë aktivistësh vullnetar me kohë u dëshpërua, besojmë shumë më pak nga rënia e efikasitetit tonë, se sa nga humbja e shpresës që ia shkaktonte edhe partia jonë, LDK-ja pas Rugovës.

Roli dhe fuqizimi i LDK-së u arrit duke organizuar takime me palën gjermane, duke mbajtur protesta dhe forma të tjera, për internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe njohjen e botës me dhunën dhe terrorin sistematik serbo-sllavë ndaj Shqiptarëve etnik. Po ashtu një rol jashtëzakonisht jetik për funksionimin e jetës politike, diplomatike, arsimit, mbrojtjes dhe sistemit të Shtetit tonë paralel në Dardani, e kanë luajtur Komisionet e 3% në mbledhjen e mjeteve financiare, të organizuara po ashtu në çdo territor të këtij shteti, me mbi 5.500- anëtarë të komisioneve (lokalë, rajonalë dhe qendrore), për të siguruar financimin dhe mbijetesën politike e sociale në Dardani.

Kjo qendër drejtohej nga ish-kryetari i parë i Degës së LDK-së këtu, z. Hafiz Gagica, heroi kombëtar Sali Çekaj, Hazir Krasniqi, Marjan Tunaj, Donikë Gërvalla, Zymer Lulaj, Avdi Kadrijaj… e shumë të tjerë, që kanë shërbyer në këtë zyrë, kjo luajti rolin e një Ambasade me punën e madhe.

Më lejoni që shkurtazi t’i them dy fjalë për veprimtarin e madh, i cili punoi 24- orë në këtë zyrë, dhe që asnjë orë të vetme nuk punoi për mirëqenien e tij dhe të familjes, ishte drejtuesi dhe prijësi i parë i Grupit Gueril prej 33-vetash të armatosur që kaloi kufirin Shqiptaro-Shqiptar në Rrasë të Koshares më 02.12.1991, ku ishte pjesë edhe heroi Adem Jashari, Ilaz Kodra … dhe po ashtu e drejtonte Grupin gueril të Dukagjinit, në përbërje: Rrustem Bruqi, Zymer Lulaj, Zenun Idrizi, Saim Tahiraj, Osman Ferizi, Ismet Mehmetaj, Ismet Çekaj, deri në fillimin e luftës më 1998. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin e Dardanisë. Ky burrë dhe kjo figurë unifikuese, e heshtur, i guximshëm, unikate ishte heroi i kombit SALI ÇEKAJ. Dega e LDK-së për Gjermani e ka shpallë kryetar NDERI, më 01.03.2020. Salihu ra heroikisht në Kosharen legjendare, në altarin e lirisë bashkë me Agim Ramadanin, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaqi dhe 114 dëshmorë të Kombit në luftën e Koshares, për tu përjetësuar në memorien e Kombit.

Obligimet dhe detyrimet e Shtetit ndaj Mërgatës, janë detyrime kushtetuese, sepse kontributi i Mërgatës ndaj Dardanisë ishte normë dhe obligim kushtetues e shqiptar, sipas Kushtetutës të Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetua e Kaçanikut. Mërgata është një potencial i jashtëzakonshëm intelektual, ekonomik dhe një urë lidhëse me shtetet ku jeton. Pas kaq vitesh të çliruar, ne nuk kemi sistem arsimor që funksionon, asnjë Qendër Kulturore, as mundësi votimi në shtetet ku jetojmë, asnji turne kulturore nga Ministritë e Kulturës, nëpër qendrat e mëdha si Mynih, Stuttgart, Berlin, Hamburg, Cyrih, Londër…, për t`i lidhur emocionalisht rininë më Atdheun e tyre. Asimilimi është kthyer në një pandemi, të pashpresë para nesh dhe dy shteteve tona shqiptare.

Jemi Mërgata më e anashkaluar nga Shteti, edhe pse, ndoshta, me financat tona e kemi ndikimin më të madh në buxhetin e shtetit, por jemi më të pa përfaqësuarit në struktura shtetërore e partiake. Për më keq, me krizën në rritje ekonomike, njëherë për shkak të Covidit që e pllakosi botën, e më pas dhe aktualisht për shkak të luftës së egër të Rusisë, në pushtimin e Ukrainës, përkrah së cilës ne jemi rreshtuar, për dallim nga armiku ynë Serbia, e njohur për gjenocide ndaj nesh dhe fqinjëve të saj.

Më e dhimbshmja sot është se gati 15 vite pas Pavarësisë e mbi 23 vjet në liri, Kosova po braktiset masivisht, pa luftë nga pjesa më vitale – rinia, e bashkë me këtë edhe nga kuadrot profesionale, të cilët po ikin nga Atdheu.

Anëtarët e LDK-së, qytetarët e Dardanisë dhe të Shtetit, duhet t’u jenë mirënjohës kësaj lëvizje politike, liderit shpirtërorë historik Dr. I. Rugovës, me shokë, të cilët ishin projektuesit dhe realizuesit e projektit nacional, për të cilin shumë breza u sakrifikuan, u syrgjynosen e u sakatosën, u flijuan pa e parë të Lirë dhe të Pavarur Dardaninë.

Rugovizmi si mënyrë, kulturë e sjelljes, identitet autentik në vlera historike, orientim perëndimor e përmbushi misionin dhe vizionin politik e ushtarak kombëtar.

Presidenti nuk e priti kohën, por ai i priu kohës, atë nuk e dërmoi sëmundja, sa marrëzitë e Shqiptarëve. LDK-ja, pa emrin e I. Rugovës është e thatë, siç mund të jetë sot Katolicizmi pa Jezus Krishtin apo myslimanizmi pa pejgamerin Muhametin. Dardania e larë në gjak ndër shekuj, pas lufte u abuzua dhe përfitua paskrupullt në emër të luftës dhe gjakut të dëshmorëve, heronjve Adem & Hamëz Jasharin, edhe nga varri i Ibrahim Rugovës, u përfitua pamëshirshëm politikisht. Po ashtu viktimizimi me vrasjet e ndodhura gjithandej Dardanisë.

Të dashur pjesëmarrës, i nderuar kryetar z. Abdixhiku,

Lidhja Demokratike e jonë gjatë periudhës së saj, gati 33-vjeçare, përjetoi momente krenarie, suksesi, sfida, por edhe stuhi, komplote, sabotime, kërcënime, deri edhe vrasje, tërësisht për motive politike, të bashkëpunëtorëve të Presidentit Rugova, nga kundërshtarët politikë. U ekzekutuan të listuar e ngeshëm ushtarakët luftëbërës të karrierës, të organizuar në Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, FARK; veprimtarët e përkushtuar për Lidhjen Demokratike dhe Kosovën; gazetarët reporterë të luftës, me integritet profesionalë; si dhe kuadro të hershëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të cilët mendonin ndryshe nga bashkëpartiakët e tyre, hileqarë dhe rrastë të dyshimtë, donin unikifimin e faktorit ushtarak shqiptar.

Nga trungu i LDK-së u ndanë 14-grupime, që dëmtuan mjaft partinë-lëvizje. Por, në zgjedhjet nacionale, të 14.02.2021, LDK-ja e përjetoi një debakël, më të rëndin që nga themelimi i saj, jo vetëm duke u përgjysmuar në elektorat, por duke shënuar rezultatin më të ulët në historinë e saj të tkurrjes, si pasojë e një akumulimi dëshpërues, mohimit, stërkeqjes së brendshme, kapadaillëkut, monopolit, meskinitetit, parazitizmit, servilizmit, karrierizmit, pazareve e nënshtrimit, mosrespektimit të vullnetit të votuesve, rivaliteteve të brendshme, oportunizmit, që degradoi në një humbje të thellë dhe dëshpërim të elektoratit!

Dhe, ky zhvillim na dërgoi në një Kuvend të Jashtëzakonshëm, me zgjedhje të pjesërishme. Realisht, Kuvendi në fjalë, duhej ta zgjidhte Kryetarin dhe Kryesinë, ashtu siç bëri. Por, duhej të hapej debati i madh, duke analizuar, shkaqet dhe rrjedhojat, pse dhe kush e katandisi LDK-në, deri në rënien në 11% të elektoratit. Dhe, nga ky debat i hapur, i çiltër, i sinqertë, do të kishim zgjedhje të përgjithshme, për çdo strukturë partiake, me votim të fshehtë dhe demokratik. dhe kurrë aklamativ, fiktiv, të rrejshëm. Por, në një Kuvend Zgjedhor, duhej të shkonim me statutin e ndryshuar të LDK-së, gjithnjë, me referencë në frymën e dëlirë rugoviane.

Dëshpërimi dhe zhgënjimi i shkurtit u kthye në një shpresë pas një muaj, më 14.03.2021, ku me një Kuvend të Jashtëzakonshëm, votim të fshehtë dhe demokratik, me kundërkandidat, u zgjodh kryetari i ri z. Lumir Abdixhiku, i cili ndërtoi një kryesi të re, mbajti Konventën, krijoi grupe ekspertësh të Departamenteve, në fusha të ndryshme, si dhe Grupin Politik për Mërgatë, nën drejtimin e deputetit Anton Qunit, ku kontaktet dhe bashkëpunimi mori një qasje dhe trajtim serioz e që dëshmohet me disa takime në disa Nëndegë dhe Degët tjera: si në Zvicër, Belgjikë dhe Gjermani. Duke njohur egërsinë e fushatave të subjekteve politike, që zgjodhën edhe eliminimin fizik të LDK-së, shantazhin, blerjen e votave, popullizmin dhe mashtrimin. Kjo për ne është e pamjaftueshme, andaj duhet një analizë e mirëfilltë për humbjen e thellë, duke reflektuar drejt dhe me mençuri.

– Bashkëbisedim më bazë, zëra dhe ide të ndryshme, “Vetting” brenda strukturave, ku do të vijë në shprehje meritokracia, dija dhe aktivizmi, e jo servilizmi dhe pazarxhinjtë;

– Votim të fshehtë në çdo strukturë, për ta kthyer besimin e humbur te votuesit;

– Gjithë ata që e kanë përdorë dhe shfrytëzuar pozitën politike për biznes dhe pasuri, kurrsesi nuk bën të mbështetën nga votuesit;

– Distancim të qartë nga veprimet dhe koalicionet e ndodhura, të cilat ishin kundër vullnetit të votuesve, për interesa okulte të individëve të caktuar, për qëllimet e tyre meskine;

– Reforma, reforma në çdo Degë, Nëndegë, humbësit t’ua lirojnë vendin të rinjve;

– Mos të kalohet nga një klan politik në tjetrin, për të pasë nën kontroll strukturat, sepse ato edhe mund t’i mbash nën kontroll, por elektoratin dhe votuesit, nëse i tradhton, llogarit që do i kesh kundër, andaj Dardanisë i duhet Demokraci përfaqësuese.

Reformat e brendshme humane, të shoqëruara nga një program politik dhe ekonomik në LDK, ku vlerësohen vlerat, dija, puna me djersë dhe ndërgjegje të pastër qytetare, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe kthimin e shpresës, qytetarët ishin dhe janë të traumatizuar nga lodhja, kapja e kapitja, zhvatja, hajnia e shtetit, dhunimi i drejtësisë dhe pronës, nga qeveritë e muskujve, për gati dy dekada, e që as LDK-ja nuk mund t`i lajë duart, pos si Pons Pilati, sikur janë krejt të pafajshëm, për gjendjen ekonomike e politike! Po ashtu duhet parë tani e gati dy vite pakënaqësitë, me qeverisjen aktuale dhe dështimet e Qeverisë populiste, polarizuese dhe anarkiste Kurtiane, duhet ndezë motorët në çdo cep të Dardanisë dhe Mërgatë.

Është një shans historik për rikthimin e LDK-së, si faktor drejtues politik, siç ishte në vitet e arta, kur udhëhiqej nga Presidenti historik Dr. Rugova, ku kryetari ynë z. Abdixhiku, do të jetë kryeministri i ardhshëm i shtetit Dardan, i cili do e zyrtarizojë në Parlament Himnin, Stemën dhe Flamurin Dardan, si dhe kthimin e besimit tek qytetarët .

Dhe, në fund, të nderuar pjesëmarrës,

Ju ftoj ju dhe familjet tuaja, miqtë dhe dashamirët tuaj, që të bashkohemi për fitoren e madhe, që do të vijë me punën dhe angazhimin tonë. LDK-ja është alternativa më e mirë, më e besuar dhe e bazuar në vlera, traditë. Forcimi dhe dinamizimi i LDK-së, programe bindëse ekonomike, ndaljen e pandemisë së shpërbërjes kombëtare, kthimin e shpresës, bëhu pjesë e suksesit. Epoka Rugoviane po rikthehet bujshëm dhe suksesshëm.

Në emër të Degës e falënderoj aktoren e njohur Muradie Muriqi për interpretimin e shkëlqyer, falënderoj po ashtu moderatoren studenten Fatbardha Nikqi, gjithashtu një falënderim për pronarin e RTV Fontanës z. Zeqir Mehmetaj, gjithashtu një mirënjohje e ve[antë për nëndegën e Reiland Pfalcit me kryetar z. Alush Zeqiraj dhe nëndegën e Pfalzit me rrethinë për mbështetjen e gjithanshme në organizimin dhe mbështetjen e këtij organizimi madhështor.

Mirë u takofshim në suksese që na presin!

Osman Ferizi – kryetar i Degës, 06.11.2022.

Frankenthall-LU

 

Ps. Fjalimi i Ferizit në tubimin e LDK-së i mbajtur me 6 nëntor!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Islam Abazi bashkëfshatari “Abaz Gjukës” kryeprokuror për luftim të korrupsionit!

Story i radhës

​Portugali: Për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, vjedhjet po shtohen

Të fundit nga