Emri i yllit të operës, Placido Domingo, është shfaqur në një hetim të një organizate të ngjashme me sektet në Argjentinë që kishte zyra edhe në SHBA dhe drejtuesit e së cilës janë akuzuar për krime, përfshirë ato të shfrytëzimit seksual.
Domingo, këngëtari spanjoll i operës, i cili është përballur me akuza për ngacmime seksuale nga shumë gra gjatë tre viteve të fundit, nuk është akuzuar për ndonjë shkelje në rastin e Argjentinës.
“Placido nuk ka kryer krim, as nuk është pjesë e organizatës, por ka qenë konsumator i prostitucionit”, tha një zyrtar i zbatimit të ligjit, i cili foli në kushte anonimiteti. Prostitucioni nuk është i paligjshëm në Argjentinë.
Oficerët e zbatimit të ligjit kanë kryer dhjetëra bastisje në Buenos Aires duke vënë në shënjestër Shkollën e Jogës në Buenos Aires, e cila “ndërtoi një kult rreth udhëheqësit të saj” dhe i vendosi anëtarët në “një situatë skllavërimi dhe/ose shfrytëzimi seksual”, thuhet në dokumentet e prokurorëve në që po hetojnë rastin kundër shkollës në Argjentinë.
Organizata ngriti një strukturë biznesi që përfshinte zyra në Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë degë në të paktën tre qytete të Shteteve të Bashkuara, Las Vegas, Çikago dhe Nju Jork.
Deri më tani, 19 persona janë arrestuar në Argjentinë, ndërsa të paktën tre të dyshuar mendohet se mbeten të lirë brenda këtij vendi të Amerikës së Jugut dhe katër të tjerë janë duke u kërkuar në Shtetet e Bashkuara.
Domingo nuk ka folur publikisht për zhvillimet e fundit dhe përfaqësuesit e tij ligjorë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Përgjimet që ishin pjesë e hetimit gjyqësor regjistruan biseda në të cilat një burrë që autoritetet e identifikojnë si Domingo i foli një anëtari të grupit, të identifikuar si Susana Mendelievich, rreth takimit me yllin e operës ndërsa ai ishte në Buenos Aires për një numër koncertesh në prill.
Hetimi mbi sektin ka implikuar njerëz me lidhje me botën e muzikës klasike dhe që kanë dhënë koncerte me zotin Domingo në të kaluarën, duke përfshirë zonjën Mendelievich, një pianiste argjentinase./VOA