Elvana Gjata i ka kënduar ish-të dashurit, të paktën kjo është ajo që thotë në këngën e fundit. “EX” është produksioni i fundit i këngëtares, që erdhi si një bashkëpunim me dj Gimin dhe Bardhin. Kënga, që ka edhe shumë skena gazmore, duket se është pëlqyer dhe klikuar shumë deri më tani.
Megjithatë, kjo këngë është larg super hiteve që jemi mësuar të shikojmë nga këngëtarja. Dhe ky nuk është vetëm një konstatim yni. Elvana Gjata është padyshim një nga artistet ikonë në vendin tonë, ku radhit disa nga bashkëpunimet më me zë.
Kujtojmë këtu Mozzik, Ledri Vula, Ylli Limani, këngëtarja e huaj Inna dhe shumë emra të tjerë të skenës sonë. Vetëm pak vite më parë, artisja e mirënjohur vendosi që suksesin ta provonte edhe në skenën e SHBA-së, ku solli edhe dy këngë, më e famshmja ajo me Ty Dolla $ign “Off Guard”. Pas mbylljes së marrëdhënies me Florin dhe lidhjes së re, këngëtarja u shpërngul në SHBA, ku dhe tentoi famën në kontinentin e largët.
Prishja e marrëdhënies me Florin dhe Three Dots nënkuptonte edhe mbylljen e karrierës muzikore në Shqipëri. Ajo hoqi dorë nga të gjitha koncertet dhe produksionet e reja që kishte në vendin tonë, për t’iu dedikuar jetës së re me partnerin e saj dhe projekteve që kishte si këngëtare në SHBA. Por, ato ditë tashmë i përkasin së kaluarës.
Artisja është rikthyer në vendin tonë pas përfundimit të pandemisë, dhe këtë herë përgjithmonë. Që vitin e shkuar, ajo e nisi nga aty ku e kishte lënë, në netët live në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Megjithatë duhet thënë se këtë herë ajo e kishte humbur “fronin” si më e paguara.
Me daljen e artistëve të rinj dhe hitet e prezantuara, Elvana nuk ishte më mbretëresha sa i përket pagesave. Nga 5 mijë deri në 6 mijë euro që ajo merrte, vitin e shkuar këngëtarja paguhej 3 mijë euro për netët live. Nga ana tjetër Elvana solli vitin e shkuar edhe një album, ku shpejt këngët e saj u shndërruan në hite.
Megjithatë ajo nuk u ndal, menjëherë publikoi disa këngë dhe bashkëpunime, si për të kompensuar vitet e shpenzuara larg publikut. Pasi korri sukses me disa emra “big” të skenës, së fundmi ajo publikoi edhe këngën me ndoshta dy nga artistët më pak të famshëm që ka bashkëpunuar deri më sot.
Ndonëse Bardhi dhe Dj Gimi janë dy artistë të rinj që shpejt po afirmohen, ata janë larg emrave që këngëtarja ka punuar deri më sot, pa përmendur këtu bashkëpunëtorët e huaj. Por veçmas veshjeve të kushtueshme të klipit, fansave iu “vrau veshin” një tjetër fakt.
Ngjyra pranverore, zëra të bukur dhe një tekst që të ngulitet në mendje menjëherë sapo e dëgjon. Por, ajo që na bëri përshtypje ne e që publikut mund t’i ketë kaluar pa kuptuar është fraza “dashni me raki”.
Në minutën 01:17 të këngës së titulluar “Ex”, Elvana këndon frazën “dashnia me raki” që është titulli dhe refreni i një këngë të Flori Mumajesit në bashkëpunim me Ghetto Geasy. Duket që bashkëpunimit prej shumë vitesh me Florin kanë ndikuar në mënyrën si Elvana ka realizuar këngët e saj.
Me siguri, një pjesë mund të mendojnë se bëhet fjalë për një frazë që përdoret gjerësisht në Kosovë, por në momentin e parë që e dëgjuam ne na shkoi në mendje menjëherë hiti i vitit 2018.