E kemi ndjekur me shumë kuriozitet dinamikën e javëve të modës ndërkohë që jemi shumë afër fundit. Pjesëmarrja e supermodelit Elton Ilirjani dhe stili i gjallë e plotë jetë bëri që pas një serie aktivitetesh në këtë event të modës, ne të ndanim çdo detaj me audiencën. Së fundmi ai shkëlqeu dhe në Milano Fashion Week!
Koleksionet e reja u prezantuan në “kryeqytetin” e modës, Milano, nën ekskluzivitetin e “Global Fashion Collective”. Milano Fashion Week si eventi i përvitshëm dhe ndër më të rëndësishmit e botës së modës u zhvillua përgjatë datave 17-23 shtator në bashkëpunim me Tripleroot dhe Yunsonga, artistja e cila dhuroi një performancë fantastike duke derdhur krijimtarinë e saj plot ngjyra “live” mbi këmishën e bardhë të Ilirjanit. Një spektakël që krijoi suspansë si tek të ftuarit, ashtu edhe tek vetë modeli.
Po ashtu mes performancave të tjera, ai u shfaq edhe si princ indian me të gjitha motivet përkatëse, duke marrë të gjithë vëmendjen e të ftuarve prestigjiozë të ulur në rreshtin e parë. Pamjet e tij në pasarela dhanë jo vetëm këndvështrime të ndryshme kreative në dizajn, por edhe pikëpamje kulturore të “përqafuara” mirë në elegancën dhe stilin që e karakterizon.
Thonë që bashkimi bën fuqinë. E ku ka më bukur kur dy artistë shqiptarë bëhen bashkë për të dhënë një spektakël të vërtetë. Supermodeli ynë u kurua nga make up artistja e njohur Mirela Baci, punët e së cilës i kemi hasur në “look”-un e shumë VIP-ave të njohur. Me fantazinë dhe artin e saj ajo risolli një Ilirjan tjetwr përshtatur fort me stilin e veshjes.
Veshjet ishin punuar me përkushtim në detaje nga dizajner dhe stilistë të njohur Myart, Feleppa, Piyali Roy Haute Couture dhe Drisha Closet, duke filluar nga ato me motive më glamour e deri te veshjet më klasike. Ngjyrat, materialet velvet, thekët dhe detajet e shkëlqimit sigurisht që nuk munguan në këtë sfilatë.
Pas një jave të ngarkuar me plot angazhime në Itali, yllin e pasarelave të këtij muaji do ta shohim në një tjetër kryeqytet, këtë herë në atë të dashurisë. Që dashuria në Paris Fashion Week nuk do të mungojë këtë e dimë, por jemi të gjithë sy e veshë se cila do të jetë lëvizja e tij e radhës për të mbërthyer sërish publikun pas vetes. Na mbetet vetëm të presim surprizën.
Burimi: botasot.info