Dhimbjet e vuajtjet për fëmijët e tyre po i shndërrojnë në art. Shumë nëna nga Kosova, të cilat po sfidohen me më të shtrenjtit e tyre, kanë nisur ekspozimin e punimeve shumëngjyrëshe në Prishtinë. Në pak metra katror, afër sheshit kryesor në kryeqytet, për tre muaj radhazi do të shiten punime në ndihmë të fëmijëve të sëmurë nga leukemia. Këto mjete do të dhurohen për repartin e Hemato-Onkologjisë pranë Pediatrisë.
Nga momenti i diagnostikimit me leukemi, fëmijët të shoqëruar nga prindërit qëndrojnë nëntë javë për trajtim në QKUK. Në bashkëpunim me organizatën “Cure 2 Children” të hënën ka filluar aktiviteti për shitjen e punimeve të ndryshme të punuara nga vet duart e prindërve.
Drejtoresha e kësaj organizate, Leonora Bajraktari tregon për KosovaPress se kjo shtëpizë më këto punime-dore do të jetë e hapur për tre muaj.
Bajraktari: Nëpërmjet gjërave që i punojnë nënat, ato do të shiten
“Duke na lejuar këtë hapësirë, këtë shtëpizë që të mundemi nëpërmjet gjërave që i punojnë nënat e së bashku me mua dhe nënave tjerave që kemi qenë të prekura me fëmijë tanë, që të sjellin ato punëdore dhe t’i shesin. Por, në të njëjtën kohë edhe të ndihmojmë dhe të motivojmë nëpërmjet një hapësire, me një palë rruaza të bukura t’ia bëjë dikujt dhuratë, por edhe ta ndihmojë”, tregon Bajraktari.
Punimet shumëngjyrëshe të punuara nga duart e nënave, janë ekspozuar në fillim të sheshit “Edit Durham” në Prishtinë.
Kjo shtëpizë do të qëndrojë e hapur për tre muaj dhe është lëshuar për shfrytëzim nga Drejtoria për Shërbime Publike të Komunës së Prishtinës.
Bajraktari pret nga qytetarët të tregojnë anën humane dhe të mblidhen mjete për fëmijët nga punëdoret që nuk kanë çmim.
Bajraktari: Këto mjete shkojnë në repartin për fëmijë
“Patjetër që shkojnë të gjitha, me përgjegjësi shumë të plot në atë repart për ata fëmijë. Sikur për pjesën që mungojnë të barnave, ose një rimbursim të një fature jashtë që bëhet një analizë private. Një festim i datëlindjes, një lodër, një festim i fundit të terapisë. Gjithçka është brenda reparti, ne i qëndrojmë afër dhe i rimbursojmë këto gjëra”, shton ajo.
15 vjet më parë, A.M i cili ishte 14-vjeçar humbi betejën me sëmundjen e leukemisë. Që nga ajo ditë, në po të njëjtën datë shënohen aktivitete për nder të tij.
Bajraktari: Një fëmijë para shumë vitesh nuk mbijetoi sëmundjen
“22 gushti për mua do të thotë shumë. Një fëmijë para shumë vitesh nuk ka mund t’ia dalë, e ka humbur betejën me këtë sëmundje. Edhe gjithmonë e kam përkrahjen e nënës së tij që në këtë datë, është për neve shumë datë e madhe. Edhe pse nuk ka mund ai t’ia dalë, por prindërit gjithmonë më kanë motivuar që unë të vazhdojë me këtë punë dhe t’i ndihmojë familjarët e tjerë”, rrëfen Bajrakari.
Në intervistën për KosovaPress, Bajraktari flet edhe për vështirësitë e trajtimit të kësaj sëmundjeje.
Bajraktari: Gjendja e tyre gjithmonë është më e rënduar
“Gjendja e tyre gjithmonë është më e rënduar, por fatmirësisht shërimi është duke shkuar në nivelin e duhur dhe gjithë fëmijët po ja dalin të shërohen nga kjo sëmundje…Fëmijët janë shumë të vogël, ndonjëherë nuk e dinë rëndësinë e sëmundjes, ose sa e rëndë është. Ne jemi afër prindërve, mundohemi të jemi afër dhe të kemi përkrahjen tonë si me asistencë sociale, me këshilla, si me anën psikologjike”, tha Bajraktari.
Pothuajse çdo vit në Kosovë diagnostikohen rreth 60 fëmijë me sëmundjen e leukemisë.
Bajraktari: Gjatë një viti numri i fëmijëve të diagnostikuar në Kosovë është 60
“Numri për një vit i fëmijëve që diagnostikohen në Kosovë është 60. Nuk ka ndryshim të madh, viti prej vitit. Edhe pse pandemia e ka bërë të vetën, vështirësitë janë shumë të mëdha dhe ka shkuar në shtimin e rasteve. Ndërsa, nga viti 2008 është një numër shumë i madh në regjistrat tona të cilat i kemi ndihmuar dhe ju kemi ofruar përkrahje të vazhdueshme”, shtoi ajo.
Ani pse një numër i madh arrijnë të shërohen, shumë fëmijë nuk e fitojnë betejën me këtë sëmundje.
Bajraktari: Numri i atyre që kanë humbur fëmijët është pesë për qind
“80 për qind të fëmijëve që diagnostikohen me këtë numër 60, e gjejnë shërimin në repartin e Pediatrisë në QKUK. Ata tjerët të cilët janë më të rrezikuar dhe sëmundja është më e avancuar, ata shkojnë jashtë vendit. Kështu që unë mendoj dhe besoj që të gjithë ia dalin, është një numër shumë i vogël që jashtëzakonisht është mangësi me vetëdijesim të prindërve që e sjellin me vonesë prindërit. Përndryshe, terapia po e bën të veten së bashku me doktorët tanë. Është avancuar gjithçka edhe terapia edhe mjekët dhe një pesë për qind, është numër i madh, por nuk dua të shpalos dhimbjet e atyre prindërve që i kanë humbur fëmijët”, tha ajo.
Gjatë ditës janë organizuar edhe shumë aktivitete për fëmijët me këtë sëmundje.