Në një intervistë për “Bota sot”, eksperti i ekonomisë, politikani dhe madje publicisti, Dr.Driton Tali flet për zhvillimet e fundit politike, ekonomike dhe për pritjet që mund të kemi nga ndryshimi i rrethanave gjeopolitike.
Ai flet hapur dhe si gjithnjë me qëndrime kritike, intelektuale, për proceset dhe rrjedhën që duhet të kenë ato.
Ai vlerëson se situata aktuale është ajo e cila e ka paramenduar, d.m.th. presioni i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, e cila në luftën në Ukrainë nga agresioni rus, u rreshtua krah Rusisë dhe Putinit madje duke mos e sanksionuar atë.
Për armatosjen e Serbisë, Tali thotë se askush nuk armatoset pa e pasur parasysh në mendje luftën, në një formë apo tjetër, por që edhe Kosova më nuk është ajo e viteve të ’90-ta, tani është shtet dhe ka ushtri, por Serbinë e frenon prezenca e NATO-s në Kosovë.
Sa i përket vendimit për targat ilegale serbe, me simbole të regjimit të Millosheviçit, Tali thotë se këtë çështje Serbia po e përdor si “nxemje” para “meçit” kryesorë në dialog.
Kurse, për formimin e asociacionit ai thotë se nuk duhet të ketë lëshime, në ato pika që pastaj Serbia do të mund ta shantazhonte Kosovën, sepse atë do ta bënte fare pa menduar, duke shtuar se këtë e shpjegon dhe argumenton rasti i transformimit në Bosnje, kur nga një organizim politik më i thjeshtë i serbëve u bë Republika Serbe.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e shihni situatën aktuale politike në Kosovë, dialogun për marrëveshje përfundimtare, çështja e targave, kërcënimet serbe për turbullira në veri etj.?
Driton Tali: Situatën aktuale e shoh ashtu siç e kam paramenduar atëherë kur filloi agresioni rus në Ukrainë, e të cilën disa herë e kam potencuar publikisht, qoftë në shkrimet e mia e qoftë në intervista televizive, se presioni ndaj Serbisë do të rritet për faktin se jo vetëm Vuçiqi, por e tërë skena politike (mendoj në partitë kuvendore të Serbisë), me ndonjë përjashtim minor, morën qëndrim pro rus dhe pro Putin. Ku madje kishte edhe protesta masive në përkrahje të Putinit. Me fjalë të tjera në këtë “Rendin e Ri Botëror” që po krijohet, Serbia u rreshtua kundër Perëndimit – ShBA’së, UE’së dhe NATO’s. Dhe nga atëherë e dija se kjo do të ndodhte. Pra, se Perëndimi nuk do t’ia fali Serbisë, por do ta ndëshkojë, duke ia shtuar presionin në të gjitha rrafshet. Edhe për faktin se Serbia nuk është ndonjë faktor, as nga aspekti ekonomik, e as edhe nga aspekti i pasurive natyrore, por as edhe nga madhësia e saj. Me fjalë të tjera ajo nuk është Kinë apo Indi, por një shtet me më pak se 7 milionë banorë, ekonomi jo të zhvilluar e pa ndonjë rezervë të madhe të ndonjë resursi natyror, të çmuar për ekonominë e tashme globale. Andaj, ajo (dhe të tjerat si të tilla) duhet t’ia dijë hallin vetit e mos të sillet sikurse me qenë ndonjë shtet i madh me qindra milionë banorë, shumë i pasur me naftë apo ndonjë metal të çmueshëm dhe me ekonomi të zhvilluar.
Pra, këtë që po ndodhë tashti në kohën e fundit unë e shoh nga ky pikëvështrim.
“Bota sot”: Serbia po vazhdon të armatoset, shpeshherë edhe kërcënon, a është ky një paralajmërim për ndonjë eskalim në veri apo më shumë ka si të thuash një lloj teatraliteti nga serbët?
Driton Tali: Askush nuk armatoset pa e patur parasysh luftën në një formë apo tjetër. Kësaj Serbie po ju dha rasti dhe mundësia me intervenu ushtarakisht në Kosovë, ajo do ta bëjë pa menduar asnjë nanosekond! Nuk do ta lë atë shansë pa e shfrytëzuar, pa marrë parasysh krimet dhe viktimat që do t’i shkaktonte. E dimë këtë mesele, e kemi eksperiencën që nga 1877’ta e deri në 1999’ën!
Natyrisht atë e stopon prezenca e NATO’s në Kosovë, por edhe fakti se Kosova më nuk është ajo e viteve të 90’ta, kur nuk kishim as polici, e as mbrojtje territoriale, e as nuk njiheshim si shtet d.m.th., pa kurrfarë mbrojtje e siguri. Por, tani kemi një Kosovë të njohur nga shumica e shteteve anëtare të OKB’ës që d.m.th., mundësinë për blerje të armatimit në rast nevoje si dhe mekanizmat mbrojjtës dhe të sigurisë që i kemi ndërtuar, e bënë Serbinë që të mos intervenojë sepse po e bëri, atëherë do të kalojë shumë më keq se Rusia që po kalon në Ukrainë. Madje me mundësi që lufta e radhës të mos zhvillohet e tëra në territor të Kosovës, por të ndodhë edhe në territor të Serbisë.
Megjithatë, në këtë kontekst, duhet thënë edhe faktin se ajo komunat veriore do t’i përdor konform mundësive që i ka dhe që ia lejojnë rrethanat. Prej “protestave paqësore”, e bllokadave të rrugëve dhe deri ku ajo të ketë takat e kaçik!
Prandaj, të gjitha ato aktivitete ushtarake duhet përcjellur me vëmendje.
Ta kemi parasysh Serbia nuk ka front të hapur vetëm se me Kosovën, por edhe me Bosnjën e Malin e Zi. Bile, bile po ju dha mundësia edhe me Kroacinë.
“Bota sot”: Si po e shihni sjelljen e ndërkombëtarëve karshi Kosovës, me gjithë presionet që po i bëhen si për vendimin e targave ashtu edhe për procesin e dialogut?
Driton Tali: Diplomacia gjithmonë bëhet ashtu që mundohet t’i iket përshtypjes se vetëm njërës anë i bëhet presion. Tashti varet se si do të sillet jo vetëm skena jonë politike, por në përgjithësi e tërë shoqëria kosovare.
Nëse sillemi si bie fjala ashtu sikurse silleshin klanet e ndryshme komuniste kosovare në vitet e 80’ta, të cilat nëpërmes Beogradit e luftonin njëra tjetrën në Kosovë, atëherë natyrisht se nuk do ta maksimizojmë këtë shansë, e cila na ka ardhur jo si meritë e diplomacisë tonë, por si rezultat i kontradiktave gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë. Prandaj, them unë duhet të kemi kujdes të madh që mos të na ikë ky shansë ashtu siç na kanë ikur shumë të tjera.
“Bota sot”: A prisni që Qeveria edhe njëherë ta rishikojë vendimin për targat ilegale serbe, shtyrjen e tij për 10 muaj si kërkonte Kuinti, pasi e bëri një tërheqje Kryeministri nga qëndrimet e tij?
Driton Tali: T’ju them të drejtën unë këtë punën e targave nuk e marri fort fort si diçka serioze apo të rëndësishme. Këtë Serbia e përdorë “si nxemje” apo “si paralojë” për meçin kryesor.
Megjithatë më duhet të them se nuk po më pëlqen sjellja e skenës tonë politike në përgjithësi. Ndonëse, pa marrë parasysh, pres që disa liderë të njohur për sakrifica dhe disa politikanë intelektualë të arsyeshëm t’i lënë interesat personale apo klanore anash dhe të koncentrohen në shfrytëzimin e kësaj shanse.
U mor vesh, nuk po them se pres që ata ta suspendojnë (apo ngrijnë) garën e tyre ndërpartiake për pushtet, por sinqerisht pres që atë garë mos ta zhvillojnë edhe aty ku interesi i shtetit tonë dëmtohet.
“Bota sot”: Ndërkohë, është publikuar një material, që jep disa informacione për disa çështje që duket se janë shtruar në bisedime, por nuk ka një dokument zyrtar. A po duket sikur po shkon duke u vështirësuar procesi për Kosovën, më hapur po kërkohet edhe kompromis?
Driton Tali: Nuk e kam parë atë material sepse ka muaj që jam jashtë skenës politike, dhe tashmë kam marrë edhe angazhime tjera profesionale të idarës këtu në Londër, por do ta potencoja që gjithçka që në vete nuk përmban njohjen reciproke, dhe që ka çfarëdo aranzhmani për autonomi serbe unë do e rekomandoja Qeverinë që mos ta pranojë.
“Bota sot”: Për disa muaj një pjesë e analistëve kanë shtruar idenë se institucionet tona duhet të presin fundin e luftës në Ukrainë, duke shpresuar se me një Serbi pro Rusisë, Kosova nuk do të kishte pse të bënte kompromise me idenë se do të mbështeteshim më shumë, a qëndron ende kjo tezë?
Driton Tali: Shikoni, unë në vazhdimësi e them se nuk pres që Serbia ta njoh Kosovën, qoftë edhe nëse e miratojmë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, me ato kompetenca që u firmos marrëveshja në Bruksel me 25 gusht të 2015’ës. Dhe atë për shumë arsye, të cilat i kam thënë shumë herë publikisht, qoftë për shkak të “modelit kulturor” ekzistues në Serbi, qoftë për faktin se kasta politike ekzistuese dominuese në Serbi karrierën e tyre politike e kanë të ndërtuar mbi hegjemoninë serbe që nga fundi i viteve të ’80-ta, andaj ata nuk i lë e kaluara. Pastaj, fakti se pa u detyruar Serbia që ta njoh Kosovën ajo nuk do ta njehë ashtu sikur që nuk u largua nga Kosova derisa u detyrua të largohet, apo që hoqi dorë nga “Durrësi serb” vetëm atëherë kur Italia e Musolini u bë superfuqi dhe Zogu ju shtri atij. Zaten shkuan mbi 11 vite negociata pa ndonjë zhvillim thelbësor, e do të shkojnë ashtu edhe shume 11 vite të tjera po që se nuk u detyrua.
“Bota sot”: A e ka prishur në këtë kontekst baraspeshën, apo një favorizim të Kosovës, diplomacia mbase pro serbe që e ndoqi në vazhdimësi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama?
Driton Tali: Sa i përket diplomacisë së Edi Ramës, ata që më kanë percjellur mua dhe ata që më njohin personalisht, e dinë se unë jam shumë kritik ndaj veprimeve të tija. Sipas mendimit tim Edi Rama me këto sjellje është ka i ndihmon fuqizimit të Vuçiqit. Tashti a është ka i bënë qëllimshëm (për mos të thënë qëllimshëm për ta dëmtuar Kosovën) apo për shkak të kapriceve të tija ose mbase e ka ndonjë plan ku do të përfitojmë ne, këtë do ta marrim vesh pas shumë vitesh. Por, hëpërhë unë po e shohë atë si aleat të Vuçiqit.
“Bota sot”: A mund të ketë lëshime për asociacionin, si të thuash dalje apo tejkalim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Driton Tali: Unë nuk dua të besoj se kjo Qeveri mund të bëjë lëshime në ato pika ku do t’i jepet mundësi Serbisë që ta shantazhojë Kosovën sepse ajo do ta bëjë atë fare pa menduar. Veç shihne se çfarë i bënë Bosnjës nëpërmes Republikës Serbe.
“Bota sot”: Në ndërkohë, në media ka qarkulluar një informacion se Qeveria Kurti mund t’i kundërpërgjigjet këtij presioni ndërkombëtar, me një kundërpropozim se nëse duan serbët asociacion, atëherë duhet të heqin dorë nga disa të drejta kushtetuese të fituara, si vendet e rezervuara etj.
Driton Tali: Po e pashë në media atë lajm, por siç e thash, unë ngase nuk jam i kyçur në institucione, nuk kam ndonjë informatë të hollësishme mbi të cilën do të mund të jepja ndonjë mendim.
Sidoqoftë ta përsëriti veten edhe njëherë thellësisht jam i bindur se kjo Serbi me apo pa Asociacion nuk do ta njeh Kosovën! Po ashtu jam i bindur se nuk do ta pranojë asnjë Asociacion që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive apo thënë shkurt autonomi. E thash këtë sepse po i dëgjoj disa biçim analistë, që thonë se “pala kosovare duhet dhënë ofertën, e cila do të përmbante një Asociacion pa kompetenca ekzekutive”.
“Bota sot”: Franca sërish doli kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, pse mendoni se po ndodhë kjo, ndërkohë që një deputet francez në vazhdimësi, si askush tjetër nga Kosova po bën një propagandë të egër antishqiptare apo kundër Kosovës?
Driton Tali: Franca gjithmonë ka qenë e tillë edhe me shtetet tjera, jo vetëm me Kosovën. Që nga koha De Golit, pastaj edhe Zhak Delori bënte ashtu me pretenduesit për integrim në Bashkësinë Ekonomike Europiane të atëhershme.
Me rëndësi është që marrëdhëniet tona me shtetin francez janë shumē miqësore, ajo na ka njohur menjëherë, pastaj në Këshillin e Sigurimit ka qasje miqësore ndaj Kosovës. E sa i përket sfidave të natyrave të ndryshme ato me kohë ne do t’i tejkalojmë në bashkëpunim të ngushtë.
Gjersa sa i përket atij deputetit, Franca është djep i lirisë së të shprehurit, realisht liria e shprehjes ka lindur në Francë. Pastaj Franca ishte aleate me Serbinë në L1B, pra ka edhe më tutje në Francë miq të popullit serb (jo domosdoshmërisht të kësaj Serbie) e të cilët në mungesë të literaturës mbase mund të bien pre e dezinformimit. Andaj unë këto gjëra i marri me sportivitet, kryesorja Francën e kemi shtet mik – kjo është e rëndësishme!
“Bota sot”: Si e vlerësoni Qeverinë Kurti, ju jeni një nga ekonomistët më të mirë që ka Vetëvendosje, por duket se menaxhimi i financave dhe veçanërisht si Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë duken se kanë vështirësi në menaxhim apo edhe mungesë rezultatesh?
Driton Tali: Kësaj Qeverie i ka ra hise të qeverisë në këtë kohën e krizës globale dhe inflacionit të madh. Nuk e ka lehtë, sidomos kur merren parasysh mekanizmat dhe mundësitë, të cilat ajo i ka në dispozicion, qoftë në aspektin e politikës monetare, qoftë edhe atyre tjera makroekonomike. Natyrisht se munden ma mirë, ‘e mira s’ka skej” thotë një fjalë e jona popullore.
“Bota sot”: Ju keni qenë edhe deputet në Kuvend, si e vlerësoni punën e opozitës në Kosovë?
Driton Tali: Jetojmë në pluralizëm ku opozita e ka rolin e saj kryesor në skenën politike. Puna e Qeverisë varet drejtpërsëdrejti nga puna e opozitës. Sa më e sofistikuar që është opozita aq më efikase do të jetë Qeveria. Andaj garën politike unë e shoh kryekëput nga kjo perspektivë. Prandaj, dëshira ime është që opozita të jetë sa më e mirë dhe sa më efektive.
Sa i përket garës politike them se opozita e ka zgjedh këtë strategji dhe e bënë punën saj konform asaj strategjie, natyrisht do të doja që ta intensifikojnë edhe me shumë me ide dhe programe.
Por, megjithatë e kam përshtypjen sikur një pjesë e saj, në dëshirën e tyre për ta mundur pozitën në garën politike, nganjëherë mbase pavetëdijshëm e dëmtojnë interesin e Kosovës karshi negociatave me Serbinë. Në këtë rrafsh do të doja që ata të jenë më të kujdesshëm, përndryshe loja politike është e hapur dhe ata janë akterë. Le ta luajnë lojën e tyre ashtu siç din dhe munden më së miri, duke e dhënë maksimumin nga vetja. Strategjinë të cilën e zgjedhin është tërësisht çështje e tyre. Për atë ata edhe do të vlerësohen kur të vijnë zgjedhjet.
“Bota sot”: Si e shihni rolin e shumicës së mediave, që duket se kanë një qëndrim të butë për të mos thënë favorizues për serbët. Sa po ndikojnë negativisht ato në formësimin e mendimit politik në vend?
Driton Tali: Edhe skena mediale vepron në tregun e saj. Disa medie janë të krijuara nga partitë e ndryshme dhe ju shërbejnë atyre, e disa medie nga gazetarë e publicistë të cilët zyrtarisht nuk kanë patur angazhime politike e të cilët sigurisht se e shohin interesin e tyre ashtu sikurse të gjitha bizneset tjera. Dhe me këto unë nuk kam probleme. Nuk pajtohem natyrisht, por siç thash “jetojmë në pluralizëm e demokraci dhe ato duhet të ekzistojnë pa marrë parasysh se ndryshe nuk bënë”. Siç thoshte Volteri “unë nuk pajtohem me atë që ju e thoni, por do ta mbrojë me jetën time që ta thoni atë”.
Por, problem shumë kam me portalet e sponzoruara nga Rusia e Serbia, të cilat non stop fusin lajme të rrejshme, të cilat pastaj shpërndahen. Dhe natyrisht se ndikojnë në krijim të opinionit, sepse ato i marrin disa medie partiake dhe i shpërndajnë, për të përfituar politikisht, por i marrin edhe disa portale jo partiake të cilat e kanë për klikime (për përfitime financiare), fare pa e konfirmuar burimin.
Sipas një të dhëne e cila doli para disa kohe, u tha se Rusia e Putinit kishte investuar rreth 1.8 miliardë euro në portale të ndryshme gjithandej për propagandë (në këtë luftën hibride që po zhvillohet), sigurisht se një shumë nga ajo ka përfunduar edhe në Kosovë.
Andaj gazetarët e mirëfilltë, pa marrë parasysh disponimin e tyre partiak apo interesin financiar, duhet të kenë kujdes me informatat që i shpërndajnë.