Deputeti i Parlamentit të Ukrainës Oleksiy Goncharenko, thotë se do të bëjë gjithçka që ka në duar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka treguar se po punon për njohjen e Kosovës edhe nga Ukraina, përmes një rezolute të dorëzuar në Kuvendin e Ukrainës. Sipas tij, Ukraina duhet t’iu bashkohet vendeve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.
Goncharenko nuk ka përjashtuar mundësinë e një lufte në Kosovë, pasi siç ka thënë ai, Rusia tani më shumë se kurrë është e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë.
Ligjvënësi ukrainas ka hedhur kritika të ashpra ndaj Serbisë, për përkrahje ndaj Rusisë, duke thënë se Aleksandër Vuçiqi po luan me dy karrige.
Ai nuk ka hedhur poshtë mundësinë që Vladimir Putini të përdorë armët bërthamore, duke paralajmëruar se Ukraina është e gatshme për çdo skenar.
Goncharenko vlerëson se ukrainasit janë më të fortë se kurrë për të fituar përballë agresionit rus. “Tani gjëja më e rëndësishme është të fitojmë, dhe për këtë na duhen armë – tanke dhe avionë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Ju keni dëshmuar motiv të lartë dhe shpirt luftarak në këtë periudhë të pushtimit rus. Na tregoni se si po ia del mban populli ukrainas përballë sulmeve të tmerrshme të Rusisë?
Oleksiy Goncharenko: Gjatë shtatë muajve të luftës, ukrainasit janë bërë më të guximshëm. Ka më pak frikë. Së fundmi ka pasur një sulm masiv në të gjithë Ukrainën. Është e frikshme, është zemërthyese kur shohim njerëz të lënduar, njerëz që vdesin, kur shohim rrugët tona të dashura të vendlindjeve tona të shkatërruara. Por, pas çdo sulmi – ne bëhemi më të zemëruar, jemi gati të gërmojmë për fitoren. Pasi kemi duruar kaq shumë, nuk mund të dorëzohemi dhe të ndalemi. Mund t’ju them me besim se të gjithë ukrainasit tani janë të vendosur për të fituar dhe mendojnë vetëm për të fituar. E vetmja gjë në të cilën Putin ia doli, ishte të na bashkonte edhe më shumë.
“Bota sot”: Si e keni parë reagimin e NATO-s dhe të shteteve perëndimore për luftën dhe krimet që po bëhen në Ukrainë, a ka bërë mjaftueshëm bota për ta ndalur këtë luftë?
Oleksiy Goncharenko: Bota mund të bëjë më shumë për ta ndaluar këtë luftë. Ne kemi nevojë për më shumë armë, siç thashë – ne jemi të gatshëm të luftojmë kundër Rusisë njëherë e përgjithmonë. Sigurisht, ne jemi shumë mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen nga vende të ndryshme. Ata na zgjatën dorën e ndihmës dhe ndihmuan gratë dhe fëmijët tanë që u detyruan të iknin nga lufta. Por, tani gjëja më e rëndësishme është të fitojmë, dhe për këtë na duhen armë – tanke dhe avionë.
“Bota sot”: Sipas asaj që shihni ju atje në terren, kur do të përfundojë kjo luftë mizore e Rusisë, a ka sinjale të dorëzimit të Vladimir Putinit?
Oleksiy Goncharenko: Vladimir Putini kishte humbur tashmë ditën kur vendosi të pushtonte Ukrainën. Të gjithë në Kremlin tashmë e kuptojnë se nuk do të dalin fitimtarë. Ata donin të merrnin Kievin për tri ditë, donin që ne t’i prisnim me lule. Në fund, gjithçka doli kështu që u desh të shpallnin mobilizim, do t’i rikthejnë pajisjet e vjetra, vetëm se po i shkatërrojmë apo ua marrim pajisjet. Rusia po humbet si në frontin ushtarak, ashtu edhe në atë politik. Gjatë votimit për rezolutën e OKB-së që dënon mbajtjen e të ashtuquajturave referendume në territoret e pushtuara të Ukrainës, Rusia u mbështet nga 4 vende – Bjellorusia, Koreja e Veriut, Nikaragua dhe Siria. Është vetëm një turp. Vendet thjesht nuk duan të kenë asnjë lidhje me diktatorin dhe terroristin Putin.
“Bota sot”: Si e keni parë kërcënimin e Vladimir Putinit për përdorimin e armëve bërthamore?
Oleksiy Goncharenko: Putini është aq i çmendur sa mund të përdorë armë bërthamore. Ky është asi i fundit në mëngë. Por, Perëndimi tashmë ka deklaruar se do të përgjigjet shumë ashpër ndaj përdorimit të armëve bërthamore. Për shembull, kishte deklarata se e gjithë flota e Detit të Zi do të shkatërrohej. Mendoj se fjalët e Perëndimit kanë një efekt frenues. Por, ne në Ukrainë jemi gati për çdo skenar.
“Bota sot”: Serbia është i vetmi vend në Ballkan, që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. A po vazhdon ajo të luajë me dy karta, cili është mendimi juaj për sjelljen e Serbisë?
Oleksiy Goncharenko: Mendoj se Serbia po përpiqet të ulet në dy karrige. Ata vazhdojnë të mbështesin Rusinë, vazhdojnë të thonë disa gjëra që i pëlqejnë Putinit. Por në të njëjtën kohë, ka deklarata për afrim me Evropën. Por, presidentit Vuçiq i pëlqen dialogu me Putinin. Vërtetë, po të isha Vuçiqi, do të isha shumë i kujdesshëm, Rusia vjen gjithmonë me një luftë, me një shtet të huaj, në të cilin futet bota ruse.
“Bota sot”: Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po e përmend shpesh mundësinë e përhapjes së luftës edhe në Kosovë. A mendoni se Rusia, përmes Serbisë mund të tentojë një gjë të tillë në veriun e tensionuar të Kosovës?
Oleksiy Goncharenko: Mendoj se Rusia tanimë më shumë se kurrë është e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë. Kjo do ta zhvendoste vëmendjen në një konflikt të ri, dhe Rusia do të vazhdonte të krijonte tmerre në Ukrainë. Për më tepër, Serbia tani po sillet njësoj si Rusia. U befasova shumë kur Serbia njoftoi në verë se do të denazifikonte Ballkanin. Kjo është absolutisht e njëjta retorikë si në Rusi. Një për një. Kjo është një histori shumë e rrezikshme.
“Bota sot”: Ju keni qenë të zëshëm këto ditë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke iu drejtuar vendeve mosnjohëse të Pavarësisë së Kosovës brenda KE-së që ta ndërmarrin hapin dhe ta njohin Kosovën si shtet. Cilat janë shanset që Kosova këtë vit të marrë vendimin për anëtarësim në këtë organizatë?
Oleksiy Goncharenko: Po, me të vërtetë, unë e mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo është shumë e rëndësishme sepse është e qartë se Kosova ndan vlerat demokratike të Evropës. Dhe mendoj se është e nevojshme të ngrihet kjo temë për të mos pretenduar se çështja e Kosovës nuk ekziston në Këshillin e Evropës. Unë do të vazhdoj ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në çdo mënyrë të mundshme dhe do të bëj gjithçka që kam në dorë.
“Bota sot”: Po Ukraina – sa janë gjasat që ajo ta njohë së shpejti shtetin e Kosovës?
Oleksiy Goncharenko: I dorëzova një rezolutë Rada Verkhovna-s për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Deri më tani kjo rezolutë nuk është hedhur në votim. Disa nga kolegët e mi deputetë mendojnë se tani nuk është koha për ta shqyrtuar këtë çështje. Por përkundrazi, mendoj se në një situatë të tillë Ukraina mund të bëjë një hap drejt Kosovës. Është e rëndësishme të tregojmë se Ukraina është pjesë e botës demokratike dhe, për shembull, më shumë se gjysma e vendeve të OKB-së e kanë njohur tashmë pavarësinë tuaj. Unë besoj se Ukraina duhet t’u bashkohet atyre.
“Bota sot”: Për shkak të luftës në Ukrainë, kemi parë një vëmendje të shtuar të BE-së dhe SHBA-së për një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A shihni ndonjë mundësi reale që mund të ndodhë diçka së shpejti në këtë drejtim?
Oleksiy Goncharenko: Natyrisht, shumë janë të interesuar për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por, vendimi nuk duhet të jetë në kurriz të Pavarësisë së Kosovës.