Me këto fjalë të paplanifikuara u hap protesta e studentëve me 18 Majit në Shkup: përcjell Zhurnal.mk.
« Ej, ej, ej, nalu mor nalu. Ej nalu… ej.. ju lutem mos bëni thirrje nacionaliste, s’jena ktu për destabilizim. Mos bëni thirrje nacionaliste, » ishin fjalët e para të njërit ndër organizatorët të protestës së 18 Majit.
Kjo thirrje, e bërë përmes altoparlantit të dorës ishte reagim ndaj thirrjeve të një grupi larg rendit të parë të protestuesëve të cilat nga videoja nuk dëgjohen mirë për nga përmbajtja.
Me këto fjalë filloi protesta, por ajo përfundoi me fjalët e gjuhës së sotme letrare për arsyet e shumta të protestës, tash e dytë me radhë që nga Prilli.
Protesta u përmbyllë me fjalët e krye-organizatorit Mevlan Ademi : « Sot s’kemi dalë vetëm për provimin e jurisprudencës. Kemi dalë për zbatimin e gjuhës në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut ».
« Nuk jena ktu për destabilizim » është shprehje e brengosjes dhe vetëdijes së studentëve se kërkesat e tyre plotësisht të drejta dikush me dashje apo dashje mund t’ua ndërroi kahjen për qëllime të errëta e destabilim të vendit i cili ende mbetet i bllokur në rrugën e premtuar për hyrje në Bashkimin Evropian.
Fjalia e parë e reagimit, dhe kjo e dyta me të cilën u përmbyllë protesta thonë gjithçka që duhet të thuhet për të dy protestat dhe arsyet që shkaktuan bajtjen e tyre, e po aq edhe për brengosjet e vetë studentëve përtej halleve të moçme të mos-zbatimin e plotë të gjuhës shqipe e në mënyrë të barabartë me maqedonishten, shkruan Zhurnal.mk.
Destabilizimi ndizet përmes formave të ndryshme
Destabilizimet në vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në vendet ku jetojnë shumë etni, janë të lehta për t’i shpërthyer nëse dikush synon atë, çoftë aktorë të brendshëm apo aktorë të jashtëm.
Në çfarëdo rrethane, dhe ngado që do ishin këto adresa, është obligim i krejt vendimarrësve vendorë dhe atyre në opozitë që të jenë vigjilent që të njëjtëve t’iu mbyllet dera e t’u tregohen vijat e kuqe.
Kjo është e lehtë për t’u bërë kur adresa dihet, por jashtëzakonisht e vështirë kur adresa e këtyre synimeve dhe infiltrimeve përbrenda nuk dihet.
Armiku i panjohur është më i rrezikshëm sesa ai i njohur dhe që ka adresë.
Kumanova 2015
Maqedonisë së Veriut i ndodhi Kumanova para 11vitesh. Se kush ishte pas 40 personave të armatosur ende nuk dihet publikisht, dhe as që ka gjasa që të ketë epilog të qartë ndonjëherë.
E në momentet kur stabiliteti i Evropës perëndimore tashmë është sulmuar që nga viti 2022, kur Rusia goditi dhe vazhdon ta godas Ukrainën, rreziku i shpërthimeve ndëretnke nëpër 3 vende të Ballkanit Perëndimor, pra përsëri në prag të derës së Evropës perëndimore- Bashkimi Evropian – nuk është për t’u injoruar.
Bosnja është gatshme të shpërthejë përmes përplasjeve midis serbëve e boshnjakëve. Mali i Zi nuk i ka punët mirë për shkak të përplasjeve midis malazezëve dhe serbëve. E tash në skenë duken përsëri simptomet jo të mira për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut.
Jo destabilim, por zbatim të gjuhës shqipe
Studenët e thanë me fjalinë e parë reaguese të tyre për çka nuk janë, e me të dytën për çka janë në këto protesta.
Ata janë në rrugë për hallet e tyre me gjuhën shqipe, dhe jo vetëm të tyre, por të krejt shqiptarëve të vendit nëpër krejt institucionet e vendit.
Ata nuk duan dhe nuk janë për trazira e gjakderdhje të re në Maqedoninë e Veriut. Ata duan të shijojnë gjuhën e Josif Bagerit, të Gjergj Fishtës, e Hasan Prishtinës.
Ahmeti e Mexhiti, e Kristi i Josifit
Ali Ahmeti e di mirë se kush është Bageri, më mirë madje se sa kushdo tjetër.
Izet Mexhiti po ashtu. Që të dy ishin në BDI, kur BDI e formoi shoqatën e Josif Bagerit aty në Tetovë.
Ata të dy e dijnë mirë përmbajtjen e letrës së Kristi kur ishte 16-vjeçar dërguar babait të tij Josifit.
Kjo letër duhet përkthyer edhe në maqedonisht për krejt politikanët maqedonas, të VMRO-DPMNE, LSDM, ZNAM e LEVICA e të tjerë.
Përkthyesit e Ahmetit dhe Mexhitit do duhej ta bëjnë këtë përkthim e tua japin partnerëve të tyre politik, të paktën.
Kristi në vitin 1906 ia sqaronte babait të tij Josifit në një letër se bashkë me kë ai shkoi të luftoi dhe bashkë me kë ai si 16 vjeçar vdiq në Manastir për këtë vend.
Dhjetë ditë para se të vritej ai i shkruajti babait Josifit:
“Babë, zemra ime gjithnjë rrihte dhe digjej nga etja për liri.
Kur pashë faqet e përgjakura të Maqedonisë, për mua çdo gjë qe e zezë dhe e errët.
Kjo situatë e tillë më shtyri të marrë pjesë në luftë kundër turkut. Kjo vepër që po e kryej unë, është fryt i aktivitetit që pate treguar ti për çështjen shqiptare. Unë si djalë i ri, nuk paraqitja gjë tjetër veçse një letër të bardhë, në të cilën sipas ligjit të ndërgjegjes, do të shkruheshin gjithë ato sende për të cilët ëndërroja, e për të cilat kam pasur etje të madhe në jetë. E kjo qe Vdekje o Liri!
I stërvitur dhe i edukuar prej teje, me një frymë dhe me ndjenja të tilla, nuk mund të mos i nënshtrohesha fatit dhe të mos merrja pjesë aktive në përpjekjet e të bukurës Maqedoni.
Ti babë dendur më ke folur e më ke treguar se Maqedonia dhe Shqipëria që nga kohët e lashta kanë punuar krah për krah dhe janë përpjekur trimërisht kundër zaptuesve të këtyre dy vendeve. Po përpjekje të ngushta dhe fort reciproke kanë bërë gjithmonë. Unë, i shtyrë nga këto ndjenja të përbashkëta dhe nga mendimet për përkrahje dhe ndihmë reciproke erdha, mora vendimin për përkrahje dhe ndihmë reciproke me Maqedoninë, prandaj erdha këtu të vdes, për lirinë e fqinjës dhe mikes sonë Maqedonisë. A kam bërë mirë apo keq, me këtë pjesëmarrje, vetëm gjeneratat e ardhshme të këtyre dy vendeve të robëruara do të mund ta çmojnë drejt.
Atë që kam për ta thënë para se të mbyll këtë letër o babë është: të lutem të vazhdosh veprimtarinë e pandërprerë për lirinë e Shqipërisë, ashtu siç ke vepruar deri më tani.
Vetëm në këtë mënyrë një ditë Shqipëria do të jetë e ngrohur dhe e ndritur nga rrezet e së bukurës dhe të dashurisë liri.
Biri yt, Kristi
Maqedonia e sotme ruhet nga shqiptarét e maqedonasit. Té njéjtit pa dashje apo me dashje edhe mund té pérgjakin e ta shkatérrojné.
Por Maqedonia e sotme, e krejt banorét e saj duan paqe, e duan paqen edhe né Evropé, e té jené pjesé e BE-s. Paqja fillon né shtépité tona, né rrugét tona té Maqedonisé toné. Ështé e mundur. Shumé e mundur madje./ Zhurnal.mk


