Pasi mori Tottenhamin në muajin nëntor dhe ia doli të sigurojë një vend në zonën Champions, Antonio Conte ka vendosur të qëndrojë në stolin e ‘Spurs”-ave të paktën edhe për sezonin e ardhshëm.
Lajmi është konfirmuar nga mediat angleze, të cilat kanë zbuluar se trajneri italian dhe presidenti Daniel Levy kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të vijuar bashkëpunimin edhe për sezonin e ri.
Për Conten “binin sirena franceze” prej javësh, me PSG-në që ishte gati t’i ofronte pankinën, megjithatë duket se presidenti Levy i ka dhënë garancitë e duhura për merkaton, duke e bindur ta mbajë në Londër.
Vetë trajneri italian ka theksuar shpesh se do të qëndrojë te Tottenham vetëm nëse i premtohet ndërtimi i një skuadre pretendente për objektiva madhorë dhe duket se tashmë Levy i ka premtuar një merkato të fuqishme, për të forcuar organikën.
Krahas konfirmimit të Contes, Tottenham ka caktuar edhe një miqësore me Romën më 30 korrik, ku italiani do të sfidojë Jose Mourinhon, ish trajner i “Spurs”-ave.