Edhe ky 28 Nëntor në minaret pa flamurin shqiptar

November 27, 2022
min lexim

Bërlloku shqiptar me shekuj na ngatërrohet nëpër këmbë, në Lëmë. Dhe, nuk na e sjellë Evropa e as Amerika, po pjella jonë pas porte. Trojeve tona kanë ecur me ushtri barbare pushtues të tërbuar me shekuj: Perandoria Osmane (pesëqind vjet me radhë) dhe ajo sllave që edhe sot e kësaj dite e kemi mbi shpinë. Gjakun e pastër shqiptar e kanë përzierë me vite lëmsh, na kanë futur në puti si kos e na kanë nxjerrë dhallë në mes të Odës miqve. Prandaj, sot edhe i kemi këto probleme të pazgjidhura kombëtare: Dikushi deklarohet turk, dikushi arab, dikushi serb, dikushi grek, dikushi bërllok… Dikushi, mushkë me prejardhje të livadheve: Kryqëzimi i pelës me gomarin. Nuk ka rrezik nga kjo sëmundje moderne e shekullit me simptome Beogradi, që na e mbollën të huajt në Lëmë te pragu i derës, rrëzë Çukës. Fara biologjike, patjetër një ditë do të të kthehet te rrënja. Kush si të dojë le të deklarohet në këtë Shtet të Ri të “përbashkët”, (përsëri që e mëkëmbim ne shqiptarët). Nuk prish punë: Shqiptarët i njeh historia, të tjerët i kanë bërë shtete nëpër botë, po jo ende Shqipërinë. Pak rëndësi ka nëse është shqiptar, mjafton realiteti se si e ndjen veten sot Dudumi me një torbë taxhi përqafe në një shoqëri demokratike, që synon Evropën, dalë me gjithë bagazhin arsimor, kulturor e shkencor nëpër botë. Kush si të dojë le t’i përkasë cilësdo feje, n’dashtë me këmbët dhe trutë në legen, ndashtë me kryqin mbi shpinë, n’dashtë me palarenë në hava në mes të “Bit-Pazarit”. Shqiptarët, janë shqiptarë. Vetëm, nuk na ka hije si popull demokratik edhe ky 28 Nëntor të na gdhijë në minare të xhamive me flamuj turko-arab. Përjashtim këtu bën një xhami shqiptare në katundin Llagje të Kërçovës, që nateditë valon flamuri kuqezi në minare të xhamisë. Ndoshta, edhe në ndonjë xhami tjetër në Trojet shqiptare. Histori tjetër është ajo se, ende deri në Ditën e sotshme festive nuk e shpallëm Xhaminë Shqiptare. Koha është, Shqipërinë ta lënë të ecë me Natyrën rrugës për në Baba Tomor. Rreziku më i madh, sot shqiptarëve u vjen nga bërlloku vetë që me shekuj u ngatërrohet nëpër këmbë, që të huajt ua kanë mbjellë te pragu i derës: Pelë Troje pas porte. E, ne si popull shqiptar me traditë historike, edhe sot e kësaj dite nuk mund ta heqim qafe, hudhim me gjithë samarë bythekrye në përrua. Përmëtepër, ai bërllok shqiptar sot çon krye (shetë mend edhe me fotografi “artistike” debili) në Trojet Etnike Shqiptare.

Qesharake është sot, kur dëgjojmë se në Shqipëri na i sjellin plehrat e botës përparimtare. Shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, kur bërllokun e madh edhe më të rrezikshëm e kemi brenda në Shqipëri dhe Trojet Etnike shqiptare. Atdheun, nuk mund ta shkatërrojë as Evropa, e as Amerika sot për sot mike, përveç vetë shqiptarëve me “Din e Iman”. Nuk e them unë, e kanë thënë moti rilindasit tanë me penë e pushkë shumë më herët, atëherë kur e bënin shtet Nënën Shqipëri para syve të sulltanëve e shpatave të turkut krah për krahu me Serbinë. Tjetër punë është ajo se, në Konferencën e Londrës, Evropa na i futi gërshërët pa dëshirën tonë na qepi struke. Kohë, kur Serbia me dhunë shqiptarët si “turq ehamdurila” i shpërnguli në Turqi. Politikë asimiluese shekullore e konjunkturave shtetërore të Beogradit e Shkupit. Fatkeqësisht, rol argati në atë kohë për ta bindur popullin shqiptar t’i lëshojë Trojet Etnike Shqiptare, luajtën edhe hoxhallarët. Misionarë fetarë, me maskë myslimane e veprime antishqiptare në shërbim të Serbisë dhe Turqisë. Pak veta ishin ata që në atë kohë i dolën zot popullit shqiptar duke e bindur të mos i braktisin vatrat e të parëve. Vërtetë, numëroheshin në gishta. Falë kësaj “pakice të popullatës turke”, Erdogani në librin e tij propagandistik, shqiptarët në trojet e tyre etnike i quan shqiptarët si “mbeturina të Turqisë”. Jo rastësisht, në prezencën e “vëllezërve” edhe në Prizren (Qytetin historik të shqiptarëve), trumbetoi se: Kosova është Turqi. Deklaratë teknefese qëllimkeqe si “mik i vëllezërve”, të cilën më vonë me reagimin e shqiptarëve, e tërhoqi gjoja paska qenë gabim i përkthyesit. Unë, sot vetëm çuditem: sesi ky popull edhe sot e kësaj dite ende nuk e di se armiku më i madh i Shqipërisë, janë vetë shqiptarët me “Din e Iman” si në kohën e Turqisë.

Shqipërisë, Natyra ose Zoti, thuani ju si të doni ia ka dhënë të gjitha të mirat me lumenj, liqene, det, fusha e male mbi kokë. Shtet historik, që brenda një stine mund të ketë dy sezone turistike: edhe turizmin veror edhe atë dimëror. Vendlindje e Xha Naimit, ku mund të lulëzojë bujqësia dhe blegtoria. Qengji me zile, ku e lenë kopenë. Edhe industria më moderne. Frikë kam se, Natyra (ju thuani Zoti) mes gjithë këtyre mrekullirave deri në Ditën e sotshme Shqipërisë, nuk ia ka dhënë politikanët e Ditës së Nesërme. Përsëri, dhashtë Zoti: unë qofsha gabim! Megjithatë, qetë nuk e tërheqin plugun siç duhet në arë, ose qerren e ngarkuar me bar rrugës për në Baba Tomor. Rrotat e qerres si shpesh po na thyhen rrugës mes maleve. Nuse tjetër na fusin në koçi. Fushën, përditë e më tepër na e mbulojnë ferrat. Bujku i mirë, këtë e heton me kohë, dhe kaun që e tërheq vëllain të dalë nga vija e ugarit, e qetë ta shesë në Pazar. Çuditem me popullin shqiptar, pse deri më sot nuk e nxori ta shesë në Pazar një politikan shqiptar?! Gjithmonë i shanë kur me votën e tyre vijnë në pushtet. Përsëri, në zgjedhjet e ardhshme ua jep votën “demokratike” po atyre individëve?! Njëzetë vjet me radhë në politikën shqiptare rrotullohen po të njëjtit politikanë. Rrezik për një popull me traditë historike! Athua, populli shqiptar, nuk ka fytyra të reja si dikur t’u prinë punëve me pushkë e penë?! Jo, ka edhe më shumë se dje në Robëri. Edhe, kurrë s’ka pasur më shumë se në Ditën e sotshme. Vetëm se, shqiptarët sot duhet të çlirohen nga Vetvetja. Thënia e dikurshme italiane për shqiptarët: Tuto albanezi, tuto komandanti. Hë për hë, të pushojnë të shpallin heronj e dëshmorë lufte familjarët, partizanë të partive politike! Ngjarjet historike t’ia lënë historisë. Problemi kryesor me të cilën do të merren në të ardhmen historianët. Shkaku se, u bëmë gazi i botës: mbetëm gjithë jetën nëpër varre duke shpallur heronj dhe dëshmorë lufte edhe spiunë me qerre, ende pa Shtet Etnik Shqiptar. Përçudi, ende nuk kemi ndryshime në politikën shqiptare. Kalibrin e politikanit parashikues të nivelit të Rilindasve. Historia, si për inatë po na përsëritet me shekuj në këto troje të mallkuara nga turku (Baba Dovleti).

Vallë, mos diçka edhe në Ditën e sotshme nuk ecë rrugës siç duhet me popullin shqiptar. Burrat shqiptar, që popujt tjerë i bënë shtete me histori, u dhanë fuqi mbretërore: Skënderbeu si strateg lufte ta udhëheqë luftën. Ataturku, Turqinë fanatike e bëri shtet modern, Sami Frashëri u dhuroi turqve gjuhë letrare. Sirinë e bëmë me Universitet. Vaso Pashë Shkodrani me shokë shkoi deri në Egjipt. Dijetari, që na atë kohë nga zemra e plasur, tha: Feja e shqiptarit, është shqiptaria. Pyes veten sot, kush e ka fajin: politikanët apo shqiptarët si popull historik. Përsëri, vetë përgjigjem mes këtyre rreshtave: edhe politikanët, edhe populli shqiptar që para fushatave zgjedhore e kanë gojën plotë “fitore”, e pas numërimit të votave kuti për kuti “demokratike”, përsëri kanë rënë në gropën e vetë të mbuluar me kashtë para syve të botës përparimtare.

Koha është, sot shqiptarët t’i lënë interesat personale, familjare e partiake, dhe të ulen këmbëkryq si vëllezër të një nëne e babe në një sofër. Fetë t’i lënë anësh si prodhime propagandistike të asaj kohe në emër të Zotit. Mishin e egër ta hedhin nga trupi. Kancerin, që përditë tinëz na e pi gjakun dhe hanë trupin. Anësh t’i lënë inatet, euforinë dhe vrapimin e argatit pas posteve politike dhe pasurisë pa pushtet. Rreziku, nateditë me këmbën me miell na troket te porta. Unë, jam nëna juaj, hapmani edhe derën! Kësulëkuqe më nuk kemi për “mikun historik”, e as edha për Armikun pas porte. Patjetër, diç duhet të ndryshojë në politikën shqiptare: Ose, politikanët… Ose, populli…

Nuk e kam fjalën për disa “analistë” teknefesë me të cilët gjatë rrugës për në Baba Tomor kam humbur mjaftë kohë në mjetet e informacionit, që natëditë rrinë si papagallët në kafaz me këmbët dhe trutë në legen… Përmëtepër, t’i bind se muri është i bardhë. Humbje kohe: Muri është i zi. Përsëri, e pyes veten: Hë, a jeni tashti të lumtur?! Bërlloku shqiptar, që vazhdon të merret me arnime nga gazetat sllave arnë përmbi arnë të brekëve tyre mbi pantollona, prapë të na qepi struke pa mëngë. I shkreti, që e rren mendja se: Atdheu bëhet me theshetheme e jo me punë. Komente anonime më shkruan poshtë shkrimeve të mia, kur e gjen veten këmbekokë me këmbët dhe trutë në legen e bythët në hava para syve të Diellit. Dudumi, nuk merret me shkrimin e publikuar në mjetet e informacionit, po me kësulën time dhe rakinë e rrushit. “Armikun e pabesë”, pse nuk është çaj rusi ta ngrejë si unë dolli në “Bit-Pazar”?! Pëllasin e vjellin urrejtje nateditë përmes altoparlantëve të Shejtanit edhe në YooTube me vazhdimin e përçarjes të popullit shqiptar si në Kohën e Turqisë dhe Serbisë, që nuk i ka hije e shkon përshtati në Ditën e sotshme as Kur’anit e Muhamedit a. s., Librit të “Allahut”.

Nuk merren me fenomenin e përçuditshëm, që na është ulur me barkun plot si thes deri në fyt te pragu i derës, e rrezikon shoqërinë shqiptare, po u dalin zot bashibozukëve me çallma turku, të cilët me shekuj na ngatërrohen nëpër këmbë si popull shqiptar. Fjalë dhe vetëm fjalë. Natën i luten Azreti Muhamedit a. s me çallmën e turkut në kokë e ditën me shajkaçë serbi i rrëfehen Krishtit.

Rreziku: Mushka pëllet pas porte. Edhe ky 28 Nëntor, në Ditën e sotshme na gdhiu në minare të xhamive pa flamurin kuqezi shqiptar…

Nga libri: LAVDI “heronjve” të Xhadisë (publicistikë letrare, Shkup 2014).

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“Shqipëria dhe Kosova bëhen”, Kurti: Gëzuar 28 nëntorin historik të Skëndërbeut në Krujë, Ismail Qemalit në Vlorë dhe Adem Jasharit në Prekaz

Story i radhës

Kërkohet solidaritet më i madh në BE për strehim të refugjatëve ukrainas

Të fundit nga

Përse macet flenë dy të tretat e jetës?

Jeta e maceve shtëpiake përbëhet nga katër aktivitete – loja, gjuetia, ngrënia dhe gjumi. Pasi kanë prejardhjen nga macet e egra, kjo në ambient të hapur ka plotësisht kuptim, sepse janë grabitqare
ShkoLartë