Vendim surpriz në merkato, Bajerni i Mynihut ka huazuar sulmuesin shqiptar Marvin Çuni te skuadra e Sarbrucken, që militon në kategorinë e tretë gjermane.
21-vjeçari e rinovoi kontratën me bavarezët deri në vitin 2024, ndërsa ishte huazuar menjëherë te SC Paderborni në Bundesliga 2. Shqiptari zhvilloi 11 ndeshje me Paderbornin, teksa së fundmi drejtuesit vendosën që Çuni të huazohet te Sabrucken.
Vlen të theksohet se të interesuar për shërbimet e sulmuesit shqiptar, ishin edhe italianët e Atalantës, pasi 21-vjeçari pëlqehej nga trajneri Gasperini, por drejtuesit e Bajernit në mënyrë të ccuditshme vendosët ta transferojnë në kategorinë e tretë.
Çuni u transferua te bavarezët nga SC Eintracht Freisingu në vitin 2012, dhe i kaloi të gjitha grupmoshat te Bayerni, deri tek U19.
Me Shqipërinë U19, sulmues ka pesë ndeshje të luajtura e dy gola të shënuar. Futbollisti ka lindur në Gjermani, por ka vendosur të përfaqësojë Shqiptarinë, duke u bërë pjesë edhe e ekipit kombëtar U-20.
“Marvin ishte në gjendje të fitonte përvojë të vlefshme në Bundesligën e 2-të sezonin e kaluar. Ne jemi të bindur se ai do të vazhdojë rrugën e tij në divizionin e 3-të dhe se mund të marrë më shumë eksperiencë dhe minuta atje”, tha menaxheri i Bajernit, Joçen Sauer .
Ndërkohë në lidhje me këtë huazim foli edhe vetë sulmuesi shqiptar i cili u shpreh:
“Mezi t’ia nis nga puna me skuadrën time të re Sarbrucken dhe dëshiroj të jap ndihmën time të arrijmë objektivat tona ambicioze. Personalisht, dua të rikthehem më shumë në fushë pasi sezoni i kaluar nuk shkoi aq mirë për mua. Për këtë dua të tregoj se kam cilësinë dhe aftësinë për të mbijetuar në kategorinë e tretë dhe për të pasur sukses maksimal së bashku me ekipin”, deklaroi Çuni.