Kosova dhe Serbia po hyjnë në një fazë të re të bisedimeve për t’i dhënë fund konfliktit midis tyre. Edhe pse Beogradi ende thotë se “Nuk heq dorë nga territori i Kosovës”, gjithçka zhvillohet në kuadër të asaj që të përfitohet sa më shumë. Pra, duke kontestuar shtetësinë e Kosovës e duke pretenduar sovranitetin serb mbi të, të arrihet që politikisht, institucionalisht e në forma tjera Serbia të jetë prezent në Kosovë.
Propaganda serbe
Duket qartë se në Beograd e kanë mësuar tashmë që Kosova nuk kthehet më nën Serbi. Këtë e përcakton edhe Rezoluta 1244, të cilës presidenti i Serbisë dëshiron t’i referohet vazhdimisht. Në atë rezolutë thuhet që statusi i Kosovës do të zgjidhej në kuadrin e Federatës së Jugosllavisë. Por, prej vitit 2006 Jugosllavia si federatë ka pushuar së ekzistuari. Ndërkohë Rezoluta 1244 nuk e parashikon kthimin e Kosovës nën Serbi. Është rezolutë e votuar edhe nga Rusia, ose e abstenuar nga ajo.
Po a jemi ne shqiptarët të vetëdijshëm se edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare Kosova është e pavarur?! Më duket se jo! Propaganda serbe, që përhpet gjithashtu nga mediet tona, ka mundur t’i bindë jo pak politikanë, analistë, gazetarë, njerëz publikë, edhe të kulturës, se “Që Kosova të jetë plotësisht e pavarur e të marrë njohjen e Serbisë, do të duhet t’i japë diçka asaj”! Në fakt nuk është kështu. Sepse që më 10 qershor 1999 Këshilli i Sigurimit ka vendosur që 1) Ushtria e policia e Serbisë të largohen nga Kosova, madje që policia të qëndronte 5 km e ushtria 20 km larg kufirit të saj me Kosovën. Kjo do të thoshte edhe përcaktim i kufijve midis Kosovës e Serbisë. Po qe se nuk do të diheshin kufijtë, si do të zbatohej neni i distancës së policisë e ushtrisë serbe nga kufiri serb me Kosovën?! 2) Kosova të jetë nën administrimin e OKB-së e NATO-s në pikëpamje të sigurisë deri në përcaktimin e statusit ose zgjidhjes së konfliktit (për NATO-n), thuhet në rezolutë. 3) E më tej, që statusi i saj do të zgjidhej në kuadër të Federatës së Jugosllavisë.
Atëherë si mund të kthehet Serbia, siç pretendojnë udhëheqësit e Beogradit, pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit?! E pamundur! Është e pamundur nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare jo vetëm rikthimi i Serbisë në Kosovë, por është e pamundur edhe një rezolutë që bën të mundur këtë nga ana e Këshillit të Sigurimit. Aq më tepër që Këshilli i Sigurimit në një kohë të caktuar do të reformohet, duke ia heq të drejtën Rusisë të vendos veton e saj. Për pasojë pse u dashka që Kosova t’i japë diçka Serbisë për të marrë shtetësinë e saj, siç shprehen edhe disa naivë ose shërbëtorë të Beogradit në Kosovë e në Shqipëri?!
Tradhti
Batoni para gati katër vitesh na thoshte se “Që Kosova ta zgjidh konfliktin me Serbinë duhet që ajo të lëshojë pe në tri sene: 1) Të harrojë krimet e Serbisë në Kosovë. 2) Të pranojë një marrëveshje për ndarjen e Kosovës. 3) Të punojë bashkë me Serbinë për ta zhbërë Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Sot ka të tjerë që në studiot televizive në Prishtinë thonë se Albin Kurti nuk ka qare pa i bërë lëshime Serbisë, sepse ne duhet të japim diçka që t’ia marrim asaj njohjen.
Në fakt lëshimet nuk i njeh Rezoluta 1244 dhe kur nuk i njeh kjo rezolutë, ato janë lëshime e kompromise në shërbim të Serbisë. Nga ana tjetër lëshimet janë bërë në Dokumentin e Statusin e Martti Ahtisaarit. Prandaj dhe kryeministri i Kosovës në dialog me Beogradin e ka të lehtë të përcaktohet. Është e drejta e tij që të shtrojë këtë pyetje: “A është Beogradi dhe Serbia e interesuar për të drejtat e serbëve në Kosovë, apo për të qenë e pranishme në institucionet e Kosovës, pra për të krijuar një minishtet serb brenda saj”? Teorikisht do t’i thonë se jo, shqetësimi është për të drejtat e serbëve në Kosovë.
Në këtë moment Albin Kurtit dhe kujtdo nga Prishtina që bisedon me serbët në kuadër të dalogut u lind e drejta të bëjë disa propozime konkrete: – P.sh., që të mbrohen të drejtat e serbëve në Kosovë të propozojë ndryshime në kodin penal, me qëllim që të dënohen tri herë më shumë ata shqiptarë që “dhunojnë” serbët, sesa kur shqiptarët grinden mes vetes. Ky diskriminim pozitiv për serbët shërben si garanci për respektimin e të drejtave të tyre. Por, para kësaj, do të duhet që t’i kërkohen fakte cilitdo që akuzon Kosovën në këtë drejtim.
Kjo do të thotë se kushti i parë është heqja dorë nga manipulimi me të drejtat e serbëve në Kosovë e mospërdorimi politik i tyre nga ana e Beogradit. Gjithkush e di se Vuçiqi e luan rolin e kryeministrit dhe presidentit të serbëve në Kosovë. Nëse Kosova pranon lëshime të tjera, d.m.th. të japë diçka, atëherë e forcon rolin e institucioneve të Serbisë në Kosovë. Kosova nuk duhet të jetë e pavarur vetëm formalisht nga Serbia. Ajo duhet të pavarësohet plotësisht. Domethënë të largojë çdo mundësi që institucionet e Serbisë të drejtojnë qoftë dhe serbët e Kosovës! Vetëm një marrëveshje e tillë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përkatësisht edhe me Rezolutën 1244!