Dyshime për spiunazh dhe indikacione se janë nxjerrë të dhëna nga sistemi kompjuterik në kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova hapin informacionet që kanë arritur te “Sloboden Pechat”, për të cilat po zhvillon parahetim edhe Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në redaksinë e “Slloboden Peçat” ka mbërritur një kallëzim penal anonim, i dorëzuar edhe në Prokurori, i nënshkruar nga “një grup punonjësish të Ministrisë së Brendshme”, sipas të cilit janë kopjuar dhe enkriptuar, pra koduar në mënyrë të fshehtë, të dhëna që dyshohet se kanë përfunduar te shërbime të huaja inteligjence.
Sipas informacioneve në kallëzim, nën dyshim është një administrator IT në kabinetin e presidentes, i cili dyshohet se ka kopjuar, enkriptuar dhe ruajtur të dhëna konfidenciale dhe ka qenë i lidhur me një shërbim inteligjence. Në kallëzim përmenden edhe funksionarë të tjerë nga kabineti dhe nga Agjencia e Inteligjencës, për të cilët ka dyshime se mund të kenë marrë pjesë në fshehjen e provave, madje edhe zyrtarë të lartë qeveritarë që thuhet se kanë ndërhyrë te presidentja dhe te prokurorja për ta mbyllur rastin.
Nënshkruesit e kallëzimit kërkojnë hapjen e procedurës me një prokuror tjetër, ekspertizë forenzike të të gjitha pajisjeve elektronike, serverëve, telefonave dhe mediave të përdorura nga personat e përfshirë, mbledhjen e videonadzorit, logeve, regjistrimeve VPN, komunikimeve elektronike dhe listave të aksesit, si dhe verifikimin e komprometimit të mundshëm të informacionit të klasifikuar dhe komunikimeve të NATO-s.
“Sloboden Peçat” iu drejtua kabinetit të presidentes për kallëzimin dhe informacionet në të, por nuk mori përgjigje.
Prokuroria po zhvillon parahetim
Nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në një përgjigje për “Sloboden Pechat”, konfirmohet se që nga dhjetori i vitit të kaluar po zhvillohet parahetim për “ekzistencë indikacionesh për aktivitete të palejuara me interes të lartë shtetëror”, pas një alarmi nga Sektori për krim kompjuterik në Ministrinë e Brendshme, i dërguar në nëntor të vitit të kaluar.
Ata kanë dhënë menjëherë urdhra për verifikimin e këtyre dyshimeve, por deri më tani nuk kanë marrë informacione nga Sektori për krim kompjuterik se çfarë përmbanin të dhënat e mundshme të nxjerra nga kompjuterët në kabinetin e presidentes, pra Ministria e Brendshme ende nuk ka dorëzuar raport që të dhënat janë dekriptuar.
Në përgjigjen e saj, Prokuroria përshkruan në detaje veprimet dhe urdhrat e ndërmarra.
“Në kuadër të procedurës, në Gjykatën Themelore Penale është dorëzuar kërkesë për lëshimin e një urdhri për kontroll të sistemit kompjuterik, me qëllim përcaktimin e përmbajtjeve që mund të jenë kopjuar në mënyrë të paautorizuar nga sistemi informativ në kabinetin e presidentes. Njëkohësisht, janë lëshuar urdhra për nxjerrjen e të dhënave nga kompjuterët personalë dhe laptopët e dorëzuar në Ministrinë e Brendshme nga kabineti i presidentes”, bëjnë të ditur nga Prokuroria.
Më 30 dhjetor, në Sektorin për krim kompjuterik është dërguar urdhër për analizën e materialit të nxjerrë si provë. Pas disa muajsh, më 16 mars, Ministria e Brendshme ka dërguar njoftim për veprimet e ndërmarra dhe ka dorëzuar dy telefona celularë.
“Po ashtu, në Prokurorinë për krim të organizuar janë dorëzuar dy telefona celularë të sekuestruar nga i dyshuari, me kërkesë për nxjerrjen e të dhënave në Qendrën Hetimore, pas së cilës është lëshuar menjëherë urdhër përkatës. Më pas, më 25 mars 2026, duke pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e rastit, prokurori publik i ka dërguar Ministrisë së Brendshme urdhër për analizën e të dhënave nga telefonat, si dhe analizë të përbashkët me të dhënat e nxjerra nga pajisjet kompjuterike. Gjithashtu, është kërkuar analizë e zbatimit të urdhrit gjyqësor për kontroll në sistemin informativ të kabinetit të presidentes, me detyrim që Prokuroria të njoftohet për provat e mbledhura. Deri më sot, pavarësisht seriozitetit të rastit, nuk ka mbërritur asnjë njoftim nga Ministria e Brendshme për rezultatet”, sqarojnë nga Prokuroria.
Nuk mund të sigurohen kopje nga kamerat e sigurisë
Një tjetër element që rrit dyshimet është fakti se Prokuroria ende nuk mund të sigurojë incizimet nga kamerat e sigurisë. Nga kabineti i presidentes është thënë se nuk disponojnë kopje të videonadzorit, pasi pajisja është siguruar përmes Shërbimit për punë të përgjithshme dhe kompetenca për menaxhimin e të dhënave i takon Ministrisë së Brendshme. Nga ky shërbim është sqaruar se ata vetëm kanë furnizuar pajisjet dhe nuk posedojnë incizime.
Megjithatë, Ministria e Brendshme ende nuk ka dorëzuar asnjë informacion për kopjet e videonadzorit.
“Në fillim të vitit 2026, pas njoftimit se kabineti i presidentes nuk disponon incizime, prokurori iu drejtua edhe Shërbimit për punë të përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme për sigurimin urgjent të tyre. Nga Shërbimi u konfirmua se nuk posedojnë incizime, ndërsa ruajtja e tyre është në kompetencë të Ministrisë së Brendshme. Pavarësisht kësaj, deri më sot nuk ka përgjigje nga Ministria”, theksojnë nga Prokuroria.
Nga Ministria e Brendshme deklarojnë se janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe telefona celularë, se janë marrë në pyetje punonjës të kabinetit të presidentes dhe se analiza e provave është në proces.
“Po ndërmerren masa përkatëse nga Sektori për krim kompjuterik, janë sekuestruar pajisje dhe telefona, ndërsa analiza e provave elektronike është në vijim. Janë zhvilluar biseda zyrtare me punonjës të kabinetit dhe për këtë është njoftuar Prokuroria. Pas zbardhjes së plotë të rastit, publiku do të informohe”, thonë nga Ministria e Brendshme.
Megjithatë, ata nuk japin përgjigje se përse ende nuk ka informacion për incizimet e kërkuara nga Prokuroria dhe nëse do të arrijnë të dekodojnë të dhënat e koduara nga kabineti i presidentes. /Sloboden Peçat/
Burimi: alfax.mk


