Askush nuk do i kërkojë të tërheqin këmbën mbrapa kur do të jetë nevoja të ndalin një aksion të rrezikshëm të Izraelit.
Por dy nga titullarët e ndeshjes së sotme të Shqipërisë në Tel Aviv, duhet të jenë shumë të kujdesshëm të mos ndëshkohen me karton të verdhë, pasi do të humbasin sfidën e fundit në grup në Ligën e Kombeve ndaj Islandës që mund të jetë përcaktuese për renditjen përfundimtare.
Në listën e lojtarëve që mund të humbasin sfidën e fundit si pasojë e ndëshkimit me karton të verdhë, janë vetëm 3 emra dhe një prej tyre mungon për shkak dëmtimi.
Ai është Endri Çekiçi, i cili u ndëshkua në ndeshjen ndaj Izraelit në Tiranë.
Sa i përket dy titullarëve, bëhet fjalë për Amir Abrashin dhe Ivan Balliun, dy futbollistë të cilët Reja i sheh si thelbësorë në lojën e ekipit të tij dhe në një moment kur ekipit i mungojnë shumë alternativa si pasojë e dëmtimeve, do të ishte një goditje e rëndë të mos i kishte në dispozicion për sfidën në “Air Albania”.