Dy shtetas të Republikës së Kosovës janë arrestuar në Shkup nën dyshimin për veprën penale “falsifikim i parave”, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin policia gjeti para në valuta të ndryshme me vlerë të përgjithshme prej rreth 230 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 3 gusht 2026, nëpunësit policorë të Njësisë së Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup kanë privuar nga liria F.R. (30) dhe T.T. (44), të dy shtetas të Kosovës.
“Dy personat u arrestuan për shkak të ekzistimit të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprën penale ‘falsifikim i parave’, sipas nenit 268 të Kodit Penal”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Policia bën të ditur se gjatë kontrollit të automjetit tip ‘Golf’, në të cilin ndodheshin të dy të dyshuarit, janë gjetur para në valuta dhe prerje të ndryshme.
“Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën para në euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane dhe paund britanikë, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 230.000 eurosh”, njofton MPB.
Sipas autoriteteve, të gjitha mjetet monetare janë sekuestruar, ndërsa të arrestuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor Qendër për procedurë të mëtejshme.
“Pas dokumentimit të rastit, në koordinim me prokurorin publik, do të parashtrohet kallëzim përkatës”, thuhet në fund të njoftimit të MPB-së.
Burimi: alfax.mk

