dy milione euro per linjat ajrore si do te shperndahet ndihma e qeverise 6a21baaca8784

Dy milionë euro për linjat ajrore: Si do të shpërndahet ndihma e Qeverisë?

June 4, 2026
min lexim

Rreth dy javë para zgjedhjeve parlamentare, Qeveria në detyrë e Kosovës ndau 2 milionë euro për subvencionimin e linjave ajrore që operojnë në destinacione të lidhura me diasporën. Vendimi u kritikua si tentim për ndikim në zgjedhje, ndërkaq mbetet e paqartë se si vendimi mund të ndikojë në çmimin e biletave apo rritjen e turizmit.

Në kuadër të një mase të quajtur “Mbështetja e Mërgatës”, Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi më 26 maj për mbështetjen e kompanive ajrore për linjat që lidhin vendin me destinacionet nga ku më së shumti vjen diaspora e vendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vendimi u mor “përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve të planifikuara gjatë muajve korrik dhe gusht të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit”.

“Anulimi i fluturimeve në muajt e verës do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund të vinin, siç vijnë zakonisht në muajt korrik dhe gusht. E kjo do të ishte keq për ta dhe familjet e tyre, por do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit”, u shpreh Kurti në një postim në Facebook, më 27 maj.

Partitë opozitare, por edhe shoqëria civile, e kritikuan vendimin që u mor para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, si tentim për ndikim te votuesit nga diaspora, të cilët në zgjedhjet e kaluara e votuan në shumicë Lëvizjen Vetëvendosje.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e cilësuan masën si ndërhyrje me motive elektorale.

“Një qasje e tillë po e shndërron garën zgjedhore në një proces krejtësisht të pabarabartë, ku partia në pushtet krijon epërsi përmes parasë publike dhe avantazhit institucional, e jo përmes një gare të drejtë politike”, shkroi hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, në Facebook, më 26 maj.

Kurti, në anën tjetër, iu përgjigj këtyre kritikave, duke thënë se masa nuk ka të bëjë me zgjedhjet, pasi që, sipas tij, ajo do të ndikojë periudhën e paszgjedhjeve, gjegjësisht të gjithë muajt e verës.

“Pra, nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse, sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit”, shkroi Kurti në Facebook.

Si do të funksionojë skema?

Hollësitë e plota të ndarjes së fondeve ende nuk janë bërë publike në formë të dokumentit, por sipas deklaratave publike të Qeverisë në detyrë, kompanitë ajrore do të mund të aplikojnë për këto fonde nëse i ruajnë ose i rrisin operimet e tyre nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në një intervistë për televizionin Kanal 10, tha se kompanitë ajrore do të përfitojnë nga 3 euro për pasagjer në sezonin veror të fluturimeve.

Për të përfituar këto fonde, kompanitë duhet të përmbushin disa kritere. Sipas Muratit, masa vlen për linjat ajrore, nëse “e mirëmbajnë frekuencën e fluturimeve për mbi 85 për qind të planit për vitin 2026”.

Gjithashtu, sipas Muratit, secili fluturim duhet të ketë mbi 80 për qind të karrigeve të mbushura.

Pagesa prej 3 eurosh, sipas tij, do të bëhet në bashkëpunim me Aeroportin e Prishtinës. Kësisoj, Qeveria do të paguajë 2.10 euro, ndërsa pjesën tjetër Aeroporti, tha Murati.

Ai pohoi se kompanitë ajrore shpesh reduktojnë numrin e fluturimeve kur përballen me rritje të kostove, duke bashkuar udhëtarët në më pak linja, dhe se masa synon ta parandalojë këtë.

Murati argumentoi se kjo do të ndikonte në numrin e pasagjerëve në Aeroportin e Prishtinës dhe, rrjedhimisht, në të hyrat që gjenerohen për shtetin e Kosovës.

Megjithatë, nuk u bë e ditur se për cilat linja në veçanti do të ndahet subvencioni, dhe sa nga fondi prej 2 milionë eurosh mund të përfundojë te operatorë të veçantë.

Gjermania dhe Zvicra konsiderohen ndër destinacionet kryesore prej nga vjen diaspora kosovare. Sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), nga këto dy shtete perëndimore janë nisur më së shumti fluturime për në Kosovë gjatë vitit 2025.

Image

Cilat kompani mund të përfitojnë?

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës mbërrijnë dhe nga ai aktualisht nisen aeroplanët e një numri kompanish ajrore, përfshirë GP Aviation, EasyJet, Eurowings, Edelweiss, Chair Airlines, Austrian Airlines, Lufthansa, Turkish Airlines dhe Wizz Air.

Deri tani, asnjëra prej kompanive nuk ka konfirmuar publikisht nëse do të aplikojë për subvencione.

Radio Evropa e Lirë (REL) kontaktoi disa prej tyre për të kuptuar nëse janë informuar për programin.

GP Aviation, një nga operatorët që ka zgjeruar rrjetin e destinacioneve nga Prishtina në vitet e fundit, duke përfshirë Gjermaninë dhe Zvicrën, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me këtë skemë.

Në vitin 2025, sipas statistikave të AAC-së, GP Aviation ishte kompania që pati më shumë trafik të udhëtarëve në Aeroportin e Prishtinës – rreth 1.4 milion.

Kompania zvicerane Edelweiss tha se ende nuk është njoftuar nga autoritetet kosovare për programin e subvencioneve.

“Ne ende nuk jemi informuar për këtë program, dhe as nuk jemi kontaktuar nga Qeveria. Prandaj, nuk mund t’iu përgjigjemi pyetjeve tuaja”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për REL–in.

Ndërkaq, Chair Airlines, po ashtu kompani zvicerane, refuzoi të komentojë.

“Ju lutemi të na mirëkuptoni që Chair Airlines nuk do të komentojë për këtë çështje”, tha kompania në një përgjigje me shkrim për REL-in.

Kompanitë ajrore nuk u përgjigjën as në pyetjet nëse do t’i anulonin fluturimet këtë verë, dhe si do të mund të ndikonte kjo masë kundër këtij rreziku.

Numri i pasagjerëve nga fluturimet në Aeroportin e Prishtinës ka shkuar duke u shtuar çdo vit, me përjashtim të vitit 2020, kur shpërtheu pandemia e COVID-19.

As Aeroporti i Prishtinës nuk u përgjigj në pyetjet nëse ka pasur indikacion se pritet të ketë ulje të numrit të fluturimeve apo anulime të theksuara këtë vit.

Image

Praktikë e njohur në Evropë

Subvencionimi i linjave ajrore nuk është i pazakontë në Evropë.

Viteve të fundit, shtete si Italia, Sllovenia, Suedia dhe Norvegjia kanë përdorur skema të ngjashme për të ruajtur linjat ajrore, për të nxitur turizmin, ose për të mbështetur rajone që varen nga transporti ajror.

Në vitin 2024, Italia miratoi një skemë prej 30 milionë eurosh për hapjen e linjave të reja drejt Sardenjës, ndërsa një program tjetër prej 120 milionë eurosh u përdor për të nxitur lidhjet ajrore me rajonin e Kalabrisë.

Në Ballkan, Maqedonia e Veriut për disa vite ka përdorur skemat e subvencionimit të kompanive ajrore për të shtuar fluturimet dhe nxitur turizmin.

Megjithatë, jo të gjithë pajtohen se subvencionet për aviacionin janë zgjidhja më e mirë.

Debati për subvencionet në aviacion po zhvillohet edhe në nivel të Bashkimit Evropian (BE).

Në maj të vitit 2026, Komisioni Evropian propozoi rishikimin e rregullave për ndihmën shtetërore në sektorin ajror, duke kufizuar mbështetjen për aeroportet, dhe duke propozuar heqjen graduale të ndihmës për hapjen e linjave të reja, me arsyetimin se “rreziku financiar duhet të bartet nga vetë kompanitë ajrore”.

Organizata evropiane Transport & Environment (T&E), e cila merret me politikat e transportit dhe klimës, argumenton se subvencionet për aeroportet dhe linjat ajrore “shpesh nuk përbëjnë përdorimin më efikas të parasë publike për zhvillim rajonal”.

Në një dokument të dorëzuar gjatë rishikimit të rregullave të BE-së për ndihmën shtetërore në aviacion – të cilin T&E e ka ndarë me REL-in – organizata vlerësoi se çdo rishikim që lejon që një ndihmë e tillë të vazhdojë duhet të sigurojë përputhje të plotë me objektivin e BE-së për “neutralitetin klimatik dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane”.

“Për shembull, kushtëzime të rrepta të gjelbra duhet t’i bashkëngjiten çdo ndihme [subvencioni] të dhënë”, thuhet në dokumentin e T&E.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

shba i kerkon evropes dhe kanadase te forcojne forcat ajrore dhe detare te nato s 6a21b60b46c2f
Lajmi i mëparshëm

SHBA i kërkon Evropës dhe Kanadasë të forcojnë forcat ajrore dhe detare të NATO-s

rama jep doreheqjen salianji i bashkohet protestes erdhi fundi 6a21bb12568da
Lajmi i radhës

“Rama, jep dorëheqjen!”/ Salianji i bashkohet protestës: Erdhi fundi…

Të fundit nga

VLEN: Rruga evropiane kalon edhe nga komunat

Pjesëmarrja e bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti, në sesionin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ në Bruksel, pranë Komitetit Evropian të Rajoneve, e rikthen në vëmendje rolin e komunave në procesin e integrimit
ShkoLartë