Sipas një informacioni të publikuar nga agjensia e lajmeve NOA, më 4 shtator 2022, presidenti i Serbisë, Vuçiç, pasi i ka dalë dehja e dy ditëve më parë, ka deklaruar se “sipas informacionit që kishte nga mëngjesi i dt.4 shtator, gjatë 3 ditëve të para të hyrjes në fuqi dhe zbatim të Marrëveshjes Serbi- Kosovë për lëvizjen me targa, vetëm 2 qytetarë serbë, që punojnë në institucione të Prishtinës, kanë pranuar të vendosin targa të Kosovës…Natyrisht, kjo më gëzon…”
Pra, ai nuk e ka fshehur, as me gjethe fiku dhe me shishe e gota verërash Permeti, gëzimin për këtë fakt. Kuptohet, për SHQIPTARËT, që i njohin mirë “vëllezërit serbë”, që nuk kanë pritshmëri entuziaste, domethënë të kota dhe iluzione fantaziste nga dialogu dhe marrëveshjet me ata, nuk ka asgjë të befasishme e për t’u çuditur.
Në të kundërt, Vuçiç meriton përgëzime dhe mirënjohje, sepse, jo më larg se 2 ditë nga takimi dhe marrëveshjet e reja me Edi Ramën dhe Kovaçevskin e RMV- së, në kuadër të përrallës për “Ballkanin e hapur”, është treguar tejet i sinqertë, si rrallë herë. Ky deklarim dhe ky gëzim i tij shprehin hapur e qartë mesazhin se ai firmos dhe vulos marrëveshje sa për sy e faqe, për kamera, ekrane, faqe gazetash…! Ose fare SHQIP dhe TROÇ apo popullorçe ai firmos dengje me marrëveshje me kryeministrin e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut për me mbush dosje dhe kosha, me letër…Ndërsa, për me u realizue, prit gomar të mbij bar ose prit shqiptar sa të ziej grosha shumë vjeçare, ndoshta mbetur nëpër thasë e tunele qysh nga koha Tito- Enver, e vjetër…! Në vijim të sinkronizimit të plotë të qëndrimit unik qeveritar dhe shtetëror lidhur me Kosovën dhe marrëveshjet e nënshkruara me atë, siç njoftohet në një lajm të Tv Klan, sapo u fut sot në territorin e Kosovës për vizitën e saj në komunat serbe, kryeministrja e Serbisë “ka refuzuar ta quaj kufi mes dy shteteve të pavarura pikën e kalimit nga hyri”.
Ky është një mesazh i ri, fare i freskët se Vuçiç dhe Brnabiç flasin për “bashkëjetesë serbo- shqiptare” në takimet me Edi Ramën në kuadër të gjasme “Ballkanit të hapur” dhe me t’u kthyer Edi Rama në Tiranë, flasin dhe veprojnë siç e kanë natyrë, traditë, strategji, platformë, skenar, plan…!