Duke filluar nga java e ardhshme, rregullore të reja në Gjermani: Kush dhe si duhet të kursejë energjinë elektrike?

min lexim

Nga java e ardhshme, qeveria gjermane synon të ulë konsumimin e gazit dhe energjisë elektrike.

Çfarë saktësisht do të thotë kjo? Kush duhet të kursejë dhe si? Përgjigjet i jep Deutsche Welle.

Nga java e ardhshme, në Gjermani janë të vlefshme rregulloret e reja për kursimin e energjisë. Në bazë të Aktit të Sigurimit të Furnizimit me Energji, qeveria federale miratoi dy dekrete.

E para është e vlefshme nga 1 shtatori deri më 28 shkurt të vitit të ardhshëm, dhe e dyta hyn në fuqi më 1 tetor dhe është e vlefshme për dy vjet – ende duhet të konfirmohet nga dhoma e lartë e parlamentit, Bundesrat.

Sipas Ministrit Federal të Ekonomisë, Robert Habeck, qëllimi i rregulloreve të reja është të “kursehet shumë më tepër gaz” në dy sezonet e ardhshme të ngrohjes nëpërmjet “përpjekjeve kombëtare”. Kjo vlen për familjet, kompanitë dhe institucionet publike. Kush duhet të kursejë dhe si?

Këtu është një përmbledhje e shpejtë.

Temperatura më e ulët në apartamentet me qira

Nga shtatori, është hequr përkohësisht dispozita në kontratat e qirasë së apartamenteve, sipas së cilës nënqiramarrësit janë të detyruar të mbajnë një temperaturë minimale të caktuar në banesë. Kjo do të thotë se qiramarrësit do të lejohen të ngrohin më pak nëse duan të kursejnë energji. Por ata ende mbeten të detyruar që “të parandalojnë dëmtimin e pronës së marrë me qira me sjelljen e duhur në ngrohje dhe ventilim”.

Ngrohja e pishinave private

Pishinat private, të jashtme dhe të brendshme, nuk mund të ngrohen më me gaz ose me energji elektrike. Përjashtim është nëse pishina përdoret për qëllime terapeutike. Ky ndalim nuk vlen për pishinat në hotele, banja publike dhe qendra rehabilitimi.

Temperatura maksimale në ambiente publike

Në ndërtesat publike, dhomat e punës mund të ngrohen deri në 19 gradë Celsius. Nëse në ato dhoma kryhet punë fizike, temperatura mund të jetë më e ulët. Ndërtesat publike preferohet të mos kenë më korridore me ngrohje, salla të mëdha dhe dhoma teknike. Ky rregull nuk zbatohet për spitalet, shtëpitë e të moshuarve dhe institucionet e tjera sociale.

Uji i ngrohtë në ndërtesat publike

Në ndërtesat publike, kaldajat për lavamanët që përdoren për larjen e duarve gjithashtu nuk do të lejohen të ndizen më. Përjashtim është nëse kërkohet ujë i nxehtë për arsye higjienike. Kur uji nxehet në mënyrë qendrore, temperatura duhet të ulet. Përjashtim bëjnë shkollat, kopshtet, shtëpitë e të moshuarve dhe spitalet.

Ndriçimi i objekteve dhe monumenteve

Ndriçimi i objekteve dhe monumenteve për arsye thjesht estetike nuk do të lejohet më. Përjashtim bëjnë ndriçimi me kohëzgjatje më të shkurtër në ngjarjet kulturore dhe festat popullore. Ndriçimi për arsye sigurie është ende i lejuar.

Reklamat, dritaret dhe dyert e dyqaneve

Reklamat me ndriçim duhet të fiken nga ora 22:00 deri në 06:00. Përjashtim është nëse ato janë të nevojshme për sigurinë e trafikut, për shembull në stacionet e autobusëve. Ndalimi i ndriçimit vlen edhe për vitrinat e dyqaneve.

Për më tepër, nëse dyqanet ngrohen, nga shtatori deri në fund të shkurtit nuk duhet t’i kenë më dyert e hapura gjatë gjithë kohës.

Detyra për të informuar qiramarrësit

Shpërndarësit e gazit dhe pronarët e ndërtesave më të mëdha të banimit duhet të informojnë klientët ose qiramarrësit e tyre në kohën e duhur për kostot që do të kenë për energjinë dhe për mundësitë e kursimit. Kjo duhet të bëhet më së voni deri në fillim të sezonit të ngrohjes.

Kontrolli i sistemit të ngrohjes dhe konsumit të energjisë

Masat e mëtejshme do të hyjnë në fuqi më 1 tetor. Ato i referohen ndërtesave publike, private dhe afariste. Parashikohet ndër të tjera kontrolli i detyrueshëm i sistemit të ngrohjes me gaz një herë në vit. Sistemet joefikase të ngrohjes që përdorin shumë gaz duhet të zëvendësohen.

Kompanitë me konsum mbi 10 gigavat orë në vit janë të detyruara të zbatojnë masa për konsum më racional të energjisë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

25 vjeçari vdes gjatë mjekimit të dhëmbit – nisin hetimet

Story i radhës

Pas ndarjes nga Kim Kardashian, Pete Davidson thuhet se është përqendruar te karriera

Të fundit nga

Tërmet në Strumicë

  Një tërmet është ndjerë rreth orës 21:45 të mbrëmjes së sotme në afërsi të Strumicës,