Duka analizon futbollin për vitin 2022

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për emisionin “Skaner” me gazetarin Gerti çarçani në MCN TV, ku analizoi te gjitha ngjarjet e futbollit për vitin 2022 dhe jo vetëm.

Në fillim, ai u ndal te Botërori Katar 2022, duke theksuar se të gjitha e kuptuan edhe një herë se sa i rëndësishëm është futbolli për njerëzit, ndërsa shtoi se derbi i kryeqytetit do kishte notat e finales së Botërorit, nëse tifozët do ishin treguar më të përmbajtur.

Presidenti i FSHF foli edhe për periudhën e vështirë gjatë zgjedhjeve në marsin e kaluar në FSHF, teksa e gjithë familja e futbollit u bashkua dhe u tregua solidare, ndërsa përmendi edhe finalen e UEFA Conference League si një nga aktivitetet më të mëdha të zhvilluara në Shqipëri.

Më tej, Presidenti Duka, vlerësoi investimin e presidentit të Partizanit, Gazment Demi, në ndërtimin e stadiumit, duke u shprehur se ky është investimi më i madh privat që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri për sportin.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për projektin “100 fushat”, duke deklaruar se në Tiranë është e vështirë të gjesh hapësira për të ndërtuar fusha të reja. Sa i përket Kombëtares, Presidenti Duka rikonfirmoi se objektivi i Shqipërisë është kualifikimi në “Euro 2024”, duke shtuar se Shqipëria nuk është më e dobët se Polonia dhe Çekia, por shtoi se një gabim eventual në ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroje, do e vështirësonte rrugën.

Për Presidentin e FSHF-së, Shqipëria ka nevojë për një lider në fushë, ndërsa premtoi se shumë shpejt do të zgjidhet trajneri i ri, që do të nisë punën në muajin janar.

Ndër të tjera, Presidenti Duka foli edhe për reformën te futbolli i moshave, ndërsa për arritjet e Vllaznisë së femrave, tha se kualifikimi në grupet e Champions League, është rezultati më i rëndësishëm për futbollin e femrave.

Botërori & Abissnet Superiore – Dua të falënderojë emisionin tuaj dhe MCN TV, për atë që ka bërë për futbollin, gjatë këtij viti. Jo vetëm për pasqyrim, por edhe për kritika, që nuk kanë qenë të pakta. Ne na kanë shërbyer në korrigjimin e punëve tona. Jemi në përfundim të një spektakli siç ishte Botërori. Ishte një event perfekt që u finalizua me një finale të mrekullueshme. E kam shijuar në maksimum. Gjatë finales dhe gjatë Botërorit kam menduar shpesh se sa i rëndësishëm është futbolli, sa shumë e duan njerëzit këtë. Nuk është vetëm një lojë, është më shumë. Është një lojë me ndikim të madh. Jam ndjerë mirë që jam pjesë e këtij komuniteti.

Futbolli në derbi ishte i nivelit të kënaqshëm, i një niveli të mirë, po ashtu edhe pjesëmarrja në stadium. Nëse do ishin më të përmbajtur dhe të respektonin njëri-tjetrin, do merrte edhe ky derbi, notat e finales së Botërorit. Gjithsesi, ishte një ndeshje përmbyllëse, e bukur dhe me shumë interes. Derbi i Tiranës, është ndeshja me më shumë interes dhe pjesëmarrje. Luhet në një stadium shumë komod dhe për arsye se janë dy nga klubet me më shumë histori në Shqipëri.

Nëse kampionati do të mbyllej sot, e ka fituar Partizani. Por gjithsesi rruga është shumë e gjatë. e rëndësishme është që të vazhdojmë të kemi një garë të mirë dhe të fortë. Ekipet të përforcohen në janar dhe të kemi një kampionat më të bukur dhe ekipet të kenë një ecuri të mirë në Europë.

Analiza e vitit & finalja e UECL – Shpeshherë kemi memorie të shkurtër. Nëse do reflektojmë gjithë vitin, ka pasur ngjarje shumë të rëndësishme, kulminante, por të ndryshme. Filloi mirë me përgatitjet e klubeve, e FSHF, e administratës, për atë që e priste vitin, me përgatitje të reja. Kishim filluar edhe përgatitjet për finalen e Conference League. Por, në prag zgjedhjesh u krijua një klimë aspak e mirë dhe aspak e shëndetshme për futbollin, me njerëz që jashtë futbollit donin të ndërhynin, apo cenonin projektet e futbollit. E destabilizoi goxha komunitetin e futbollit, për projektet. Duhej një organizim i kujdesshëm, që këta njerëz të projekteve të mos ishin pjesë e kësaj. Por, mesa duket kishte edhe efektin pozitiv, pasi familja e futbollit, të gjitha klubet u bashkuan, pavarësisht se brenda nesh, ne kemi shumë gjëra.

Të gjithë u bashkuan për të reaguar, ndaj cenimit të interesave të lojë. Ne kemi kritika pafund ndaj njëri-tjetrit, por në një moment të rëndësishëm, ishim të gjithë të bashkuar për ta kaluar. Ajo ka lënë shenjë, por dua ta kaloj pa e shënuar si ngjarje historike. Erdhi finalizimi i punës disa-vjeçare, organizimi i finales së Conference League. Që kur e kishim projekt, ne e kishim ëndërruar një event të madh që të luhej aty. Aplikimi jonë nuk ishte kot. Të gjithë bashkë finalizuam një event madhor, nuk kishte asnjë problem. I ka shërbyer shumë Shqipërisë.

Ne kemi pasur edhe projekte të tjera gjatë këtij viti. Kam dëgjuar projekte madhore, 1-vjeçare për të organizuar 500 ndeshje në një vit, por duhet të dini që FSHF organizon 500 ndeshje në një javë dhe çdo javë, me fëmijë, vajza dhe djem, amatorë dhe profesionistë. FSHF organizon mbi 500 ndeshje në javë, është një pjesëmarrje e madhe që drejtohet nga ky institucion. Nëse vazhdojmë me projektet pikante të këtij viti, ishte “uniforma ime”, që ishte për herë të parë në Shqipëri dhe në botë. Nuk ka asnjë vend të botës, që financon uniformat sportive. Prej 5 vitesh, kishim nisur projektin “topi yt”, që furnizon të gjithë me top ata që luajnë. Projekti është mesazhi që i japim familjeve, që ne jemi me ta dhe fëmijët, për shëndetin e tyre. Dihen benefitet që do ketë shoqëria nëse fëmijët merren me futboll. Si vit i parë, është ndjerë ndryshimi, interesimi i madh.

Infrastruktura & projekti 100 fushat – Duke parë që një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të kësaj loje, është infrastruktura dhe duke parë që nuk ka pasur mundësi të tjera, FSHF është kthyer në një kantier ndërtimi e cila ka ndërtuar pafund, fusha, impiante, stadiume. Së fundmi ne lançuam projektin e 100 fushave, që konsiston me ndërtimin e fushave pa kufi. Kemi ndërtuar disa dhe kemi financuar disa projekte. Kemi bërë stadiumin e Kukësit, kemi përfunduar disa fusha stërvitje. Investime ka pasur goxha gjatë këtij viti dhe do të ketë edhe të tjera.

Te Partizani është një investim madhor privat. Investimi më i madh provat që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri në sport. Në kushtet që ka Shqipëria, nuk është ai modeli. Ai impiant ka një kosto të jashtëzakonshme. Është mbështetur vetëm nga FSHF në disa pjesë të tij. Është një investim totalisht privat, i presidentit të Partizanit, Gazment Demi. Unë mendoj që është e vështirë që një president klubi, të ketë mundësi për të ndërtuar komplekse aq të mëdha. Një investim i tillë do i rrënonte klubet e tjera. Nuk e di si Demi dhe Partizani e kanë përballur. Në të gjithë botën, infrastruktura financohet nga fondet e shtetit. Ky është një aktivitet publik, që në një mënyrë ia kthen këto investime.

Ka një ndikim ekonomik. Ka kursime në mjekësi. Shteti duhet ta ketë flamurin e investimeve. Ne e kemi mbështetur projektin e Partizanit. Nuk ka klubi i Partizanit të ardhura sa për të ndërtuar një kompleks të tillë. Janë financat e presidentit të marra nga bizneset e tij. Nuk janë të këshillueshme, sepse mund të krijojnë gropa të zeza në biznese. E kemi mbështetur dhe e falënderojmë shumë, sepse është një perlë për kryeqytetin.

Për projektin “100 fushat”, kemi marrë përgjigje pozitive nga disa bashki në Shqipëri, po ashtu edhe me disa akademi dhe klube. Problemi dhe vështirësia është hapësira ku do ndërtohen fushat. Ky problem është në Tiranë, Kjo nuk është për të bërë kritikë për Bashkinë Tiranë, por realisht është e vështirë të gjesh hapësira brenda Tiranës, sepse është një metropol, ku ka shumë popullsi dhe shumë pallate. Tirana meriton më shumë fusha, ku vajza dhe djem të luajnë futboll. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë.

Objektivi Euro 2024 – Në mars fillojmë kualifikueset e Europianit. Siç ndodhi në 2016, duhet të ndodhë edhe në 2023. Gjëja kryesore është besimi i vërtetë i ekipit dhe bashkimi i forcave, për ta çuar Kombëtaren në Europian. Diferencat në futboll sot i bën bashkimi i gjërave. Ne bazën e kemi, futbollistët me kualitet i kemi. Grupin e dimë. Jemi koshientë për pozicionin që jemi në letër. Por, ne duhet të luftojmë maksimalisht, siç kemi arritur deri këtu.

Dikur kemi qenë si Ishujt Faroje, objektivi ynë është vendi i dytë dhe të shkojmë në Europian. Respekt për Poloninë dhe Çekinë, por ne nuk jemi skuadër më e dobët se ato. Të kemi edhe pak fat dhe ia dalim. Uroj që në 2024 të shkojmë në Europian. Nuk është një objektiv i lehtë, por ne do luftojmë për t’i sfiduar. Nëse bëjmë ndonjë hap fals me Moldavinë dhe Ishujt Faroje, rruga bëhet thuajse e pamundur.

Nuk mendoj se ka diferenca të mëdha, mes Polonisë dhe Shqipërisë. Unë e besoj shumë këtë. Nëse e heqim Lewandowski, nuk më bëjnë përshtypje lojtarët e tjerë. Broja nuk do jetë në thuajse të gjitha këto kualifikuese. Qëndrimi i tij jashtë fushë do jetë më shumë se 6-7 muaj jashtë. Ekipi duhet të gjejë forcat dhe mundësitë për t’ia dalë. Vërtetë kam shpresuar shumë të ai futbollist, apo edhe Asllani, që luajnë në ekipe të mëdha.

Skuka dhe lojtarët e kampionatit shqiptar? – Kjo mund të jetë edhe kritikë për trajnerin Reja. Në bisedë me mua, e bëri edhe si autokritikë. Pak besim ka pasur nga kampionati shqiptar. Ndoshta ngaqë ishte zgjedhje e detyruar për miqësoret me Arabinë dhe Katarin, ku u panë lojtarët. Edhe futbollistë të tjerë, duhen afruar në kampionatin shqiptar. Nuk është e thënë që lojtarët që luajnë jashtë të merren direkt dhe ata të kampionatit vendas jo. Na duhet një lider fushë. Qoftë Hysaj apo edhe Berisha, duhet të marrin përgjegjësi. Kapiteni nuk është vetëm të mbajë shiritin, por të motivojë ekipin. Kjo është një nga pikat që duhet ta korrigjojmë. Hysaj dhe Berisha duhet të bëjnë kapitenin e vërtetë. Duhet të udhëheqin skuadrën.

Stoli kuqezi, reformat & suksesi i Vllaznisë – Trajneri Reja ka përfunduar kontratën. Jemi në bisedime me disa trajnerë të tjerë dhe shumë shpejt do zyrtarizojmë stafin e ri për të filluar në janar përgatitjet. Deri në janar do e kemi mbyllur këtë proces. Kemi 3 emra dhe besoj se një nga këto të tre, të cilët nuk janë të tre nga Europa apo Italia, por janë nga vende të ndryshme. Janë trajnerë me eksperiencë dhe pa shumë eksperiencë.

Reforma e moshave, ka qenë një nga reformat kryesore që kanë ndodhur këtë vit. Ndoshta një reformë e vonuar, për riorganizimin e garave të fëmijëve. Nuk mund të pretendosh që të kesh kualitet, në një garë ku në Superiore, ka ekipe pafund dhe të niveleve të ndryshme. Gjithë Europa ka të njëjtin numër dhe formulë, me ekipin profesionist. Ne deri një vit më parë e kishim ndryshe. Nëse gara është e dobët, prodhon më pak futbollistë. Ndryshimi i sistemit të garave, ka qenë shumë e rëndësishme. Nuk ka cenuar asnjë. Nuk ka përjashtuar asnjë. Kjo i jep mundësinë shtimit të numrit të futbollistëve.

Rezultati më i rëndësishëm për futbollin e femrave, është ajo arritje e Vllaznisë. Shkodranet për herë të parë luajti në grupet e Ligës së Kampioneve, ku shorti i vendosi me ekipe shumë të vështira, si Chelsea, Real Madrid apo edhe PSG. Padyshim që niveli i tyre është shumë i lartë, por vajzat e Vllaznisë, edhe në këto gara dhuruan ndeshje të bukura, pavarësisht se nuk arritën pikë. Le të shkojmë në grupe të Champions League me meshkujt dhe të mos marrim pikë.

Ndryshimet ligjore – “Ligji i Sponsporizimit është i domosdoshëm. E kemi thënë disa herë, pavarësisht se duan të na dëgjojnë apo jo. Të shikojmë Kosovën. Na morën një sponsor së fundmi. Mua dhe drejtuesve të klubeve të Superiores, na është premtuar nga vetë kryeministri se do të realizohet. Një tjetër premtim, ka qenë edhe fondi nga bastet sportive, për të cilin ne nuk promovuam bastet në vend, por të dalë në dritë ajo që luhet në errësirë. Le të dalin në dritë këto financa dhe të shkojnë për sportin. Na është premtuar nga kryeministri dhe shpresoj që të ndodhë.

Ne nuk i kemi ndërpresë lobimet për këtë. Do e vazhdojmë, sesa do jemi të suksesshëm nuk varet nga ne. Na është premtuar nga kryeministri dhe besoj se mund të bëhet. Uroj të ketë ndonjë ndryshim dhe reflektim. Jemi e vetmja Federatë që kemi pasur zero buxhet nga qeveria. Ne jemi përjashtuar nga buxhetet, nuk e dimë çfarë do të ndodhë këtë vit.

Nëse ka një institucion në Shqipëri, që ka punuar për një arbitrazh të vërtetë, ajo është FSHF. Ne kemi zhvilluar seminare me juristët më të mirë të Evropës. Është e domosdoshme që Shqipëria të ketë arbitrazhin e vet, por një institucion të besueshëm, ku aktorët të besojnë”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Numerologët zbulojnë se cili numër do të sundojë në vitin 2023! Ja nëse kjo është një shenjë e mirë

Story i radhës

​Karvani i vaksinimit nesër në Podujevë

Të fundit nga