Kanë kaluar 9, gjegjësisht 11 vite nga nënshkrimi i marrëveshjeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë (2011 – 2013) dhe numri i tyre arrin diku në 33 sosh, e që kanë të bëjnë me çështje të ndryshme, filluar nga ato teknike e deri ato politike, marrëveshje të cilat Kosovës nuk i kanë sjellë kurrfarë dobive dhe as përfitime politike dhe ekonomike nga Serbia.
Përkundrazi, nga të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel përfitim dhe dobi politike ka pasur vetëm Beogradi zyrtar, ngase nga bisedime teknike kur negociatore ishte znj. Edita Tahiri, u kthyen në bisedime politike, ku pala serbe arrit ta kthejë në tryezën e bisedimeve statusin politik të Kosovës, d.m.th. çështjen e përfunduar të pavarësisë së Kosovës ta rivendos si temë kryesore në dialog, dhe ky ka qenë synimi kryesor i palës serbe që pavarësinë dhe njohjen e saj nga shtetet më të fuqishme të Evropës dhe SHBA-të, ta rivendos edhe njëherë për shqyrtim në nivelet më të larta ndërkombëtare.
Ngase, gjithnjë sipas palës serbe, shpallja e pavarësisë së Kosovës na e paska shkelur të drejtën ndërkombëtare juridike, se shpallja e pavarësisë paska ndodhur pa vendim të KS të OKB-së, se vetë akti i pavarësisë paskësh qenë i njëanshëm, meqë Kosova paskësh qenë pjesë e Serbisë, dhe, e cila asaj i është marrë me dhunë nga NATO-ja dhe fuqitë e mëdha botërore, etj..!?
Pra, që në start të bisedimeve në Bruksel me 2013 mes Kosovës dhe Serbisë alibia kryesore rreth të cilës pala serbe për asnjë moment nuk ka hequr dorë, ka qenë se Kosova ishte pjesë e saj, adut të cilin serbët e potencuar në çdo takim ndërkombëtar, ku ka marrë pjesë presidenti serb, Vuçiq, si dhe e gjithë diplomacie e Serbisë, madje duke paguar miliona euro për lobim në qarqet dhe qendrat ndërkombëtare, se Kosova qenka tokë e saj dhe se ajo nuk mund të jetë shtet i pavarur..!?
Të gjithëve na kujtohet lobimi me pagesë i Ivica Daçiqit, në kohën kur ishte ministër i jashtëm i Serbisë (2014-2020) tek ato shtete afrikane të cilat e kishin njohur pavarësinë e Kosovës, për t’i bindur që të njëjtin vendim duhet ta abrogojnë, ku sipas Beogradit zyrtar njohjet e tyre i kanë tërheq 17 vende, kryesisht nga Afrika..!?
I ceka këto fakte të njohura për secilin prej nesh, ngase pas çdo akti dhe veprimi politik dhe shtetëror që i kanë ndërmarrë qeveritë e kaluara të Kosovës, përfshirë qeverinë aktuale në raport me dialogun me Serbinë, asnjëherë nuk e kanë njoftuar opinionin dhe qytetarët e Kosovës, se cilat kanë qenë përfitimet reale politike dhe juridike nga dialogu me Serbinë nga të cilat ka avancuar statusi politik i Kosovës karshi Serbisë, sidomos për ta bindur atë me fakte që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Siç nuk kanë folur as për dështimet konkrete në dialogun me Serbinë, e as cilat kanë qenë ndihmat konkrete të BE-së dhe shteteve tjera mike me të cilat e kanë dinamizuar dhe shtyrë përpara procesin e dialogut si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
E them me bindje të plotë, se për dhjetë vite dialog me Serbinë, asgjë konkrete nuk është arritur në të mirë të Kosovës, por as në përmirësimin e raporteve politike Kosovë-Serbi, hiç këtu disa çështje teknike, nuk ka pasur asnjë përmirësim, por as zbutje në raportet armiqësore shqiptaro-serbe, as heqje të retorikës serbe luftënxitëse ndaj Kosovës.
Me një fjalë, për dhjetë vite bisedime dhe dialog me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i ndihmuar nga miqtë tanë amerikan, gjithçka ka ngelur në pikën Zero, ngase pala serbe asnjëherë nuk ka dashur që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, veçse duke taktizuar dhe manipuluar me kartën e dialogut ajo e ka blerë kohën me qëllim për ta shtyrë sa më gjatë normalizimin e raporteve me Kosovën.
Për këtë qëllim zyrtarët serbë në Beograd non-stop e kanë përsëritur sloganin, se “Serbia kurrë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës”, gjë të cilën nuk do ta bëjë asnjëherë, sepse i gjithë populli serb dhe gjitha strukturat shtetërore të Serbisë për asnjë çast nuk kanë hequr dorë nga Kosova dhe ri-okupimi i saj me luftë.
Dhe, derisa Kosova ka të bëjë me një armik të përbetuar, siç është Serbia, e cila edhe pse e ka humbur Kosovë, vazhdon me pretendimet e saja hegjemoniste që Kosovën ta rikthej nën juridiksionin e saj shtetëror, jam i bindur se çdo dialog dhe çfarëdo bisedimesh të zhvillohen me Serbinë, përveç se nuk do kenë kurrfarë suksesi, humbësi më i madh do jetë Kosova, siç e kanë treguar këtë bisedimet dhjetëvjeçare, të cilat fund e krye ishin në dëm të Kosovës!
Pra, Kosova nuk ka fituar asgjë nga dialogu me Serbinë, siç ishte humbja në terrenin e bisedimeve, tentimi për shkëmbim të territoreve dhe ndryshim të kufijve, që po të ndodhte një gjë e tillë siç deshën ta bëjnë Vuçiqi, Hashimi dhe Edi Rama, dhe kjo do të ishte në kundërshtim të plotë me vendimet e Komisionit të Badinterit, ku Kosova njihet si shtet më vete në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, se nuk ka kthim prapa në vitin 1999, se nuk ka ndryshim të kufijve e as bashkim të saj me ndonjë shtet tjetër, etj.
Mirëpo, gjatë bisedimeve në Bruksel pala serbe arriti t’i kontestojë shumë vendime, duke i tërheq në anën e saj shumë shtete në Evropë, anëtare të BE-së, të cilat përveç se ndaj Kosovës kanë bërë presione të vazhdueshme që ta formon “Zajednicën” serbe, ato, pra BE-ja për dhjetë vite nuk e ka treguar as minimumin e mirëkuptimit, që Kosovës së paku, t’i hiqet regjimi i vizave. Përkundrazi, muajve të fundit procesin e liberalizimit të vizave e kanë ndërlidhur me epilogun e bisedimeve Kosovë-Serbi, duke marrë vendime absurde në favor të Serbisë, që kërkesa për njohje reciproke, e cekur në dokumentet e deritanishme të BE-së dhe DASH-it si dhe në letrat e liderëve evropian drejtuar Vuçiqit dhe Kurtit, të hiqet nga vokabulari diplomatik dhe mos të përmendet më..!?
Në fakt, ky ndryshim i qëndrimit të fuqive të mëdha ndaj procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, është cekur qartë edhe në “Non-paper” i përgatitur nga Franca dhe Gjermania për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ku çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia është shtyrë për dhjetë vitet e ardhshme, përfshirë këtu dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB..!?
Nëse ka zyrtarë të Kosovës që mund t’ia sjellë opinionit shqiptar, vetëm një përfitim ose dobi konkrete që ka pasur Kosova nga procesi i bisedimeve dhjetëvjeçare me Serbinë, do ta bënte pa dyshim, një veprim patriotik, por nuk besoj se do e gjen ndonjë rast ku Kosova ka pasur përfitim dhe dobi konkrete në shtet-bërjen e saj, edhe ashtu të ngadalësuar në këto dhjetë vitet e fundit !