Dr. Krasniqi, çfarëdo aksioni agresiv serb në veri të Kosovës, aventurë që do të goditet nga Perëndimi

min lexim

Profesori universitar i të drejtës penale, dhe ekspert në çështje të terrorizmit, për të cilën çështje ka shkruar një libër, prof.Dr.Kolë Krasniqi në një intervistë për “Bota sot” flet mbi zhvillimet politike në vend.

Prof.Dr.Krasniqi thotë se lufta në Ukrainë ka ngjallë edhe aspiratat serbe për zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës sipas versionit rus në Çeçeni dhe Ukrainë.

Sa i përket armatosjes së Serbisë, Krasniqi thotë se ndryshimet e papritura në frontin e luftës në Ukrainë, e sidomos uniteti i plotë politik dhe diplomatik në mes të Evropës dhe SHBA-së, kanë ndikuar në përmbajtjen e qeverisë serbe nga çfarëdo aksioni aventurier agresiv në veri të Kosovës.

Sipas tij, edhe çështja e targave, për të cilën kanë kërkuar nga Qeveria ta shtyjë vendimin, BE-ja dhe SHBA-ja, Krasniqi thotë se do të zgjidhet përmes marrëveshjes përfundimtare për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Derisa për vettingun në drejtësi thotë se duke parë punësime jomeritore në fusha të ndryshme, atëherë është imperativ i kohës zhvillimi i një vettingu rrënjësor dhe parimor jo vetëm në institucionet e drejtësisë, por në të gjitha institucionet tona shtetërore që do të verifikonte pasurinë, të kaluarën, profesionalizmin dhe rregullsinë e avancimit në karrierë të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Image

Prof.Dr.Kolë Krasniqi

 

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë në kontekstin e përgjithshëm të tensioneve që i shkakton Serbia në veri?

Kolë Krasniqi:Gjendja e sigurisë vlerësohet në kontekst të kërcënimeve dhe të rreziqeve, të cilat janë të natyrave të ndryshme. Në qoftë se nga këto aspekte vlerësohet gjendja e sigurisë në Kosovë atëherë mund të themi se gjendemi përballë kërcënimeve serioze, të cilat paraqesin një shkallë të lartë të rrezikut për shtetin dhe interesat tona kombëtare. Antagonizmat e brendshëm dhe inskenimet e ndryshme serbe, sikur rasti i fundit “i shkeljes së hapësirës së tyre ajrore” nga një objekt i paidentifikuar fluturues, na kujton skenarin e pushtimit të Polonisë nga Gjermania naziste. Mirëpo, për fat të mirë këtu është KFOR-i dhe NATO-ja dhe për aq kohë sa do të qëndrojnë mekanizmat e sigurisë ndërkombëtare në Kosovë, ne mund të “flemë të qetë” dhe të mos brengosemi aq shumë për sigurinë tonë nga çfarëdo agresioni i jashtëm.

“Bota sot”: A besoni se lufta në Ukrainë ka sjellë apo rritur gjasat për destabilizim në veri të Kosovës, në saje të bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë?

Kolë Krasniqi:Lufta në Ukrainë ka shkaktuar pasoja të gjithanshme dhe ka sjellë botën perëndimore në një presion të vazhdueshëm nga kërcënimet e reja, komplekse dhe shumëdimensionale ruse. Padyshim se kjo luftë ka ngjallur edhe aspiratat serbe për zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës sipas versionit rus në Çeçeni dhe Ukrainë.

“Bota sot”: Serbia po vazhdon të armatoset a po përgatitet për ndonjë eskalim në veri?

Kolë Krasniqi:Serbia gjatë viteve të fundit ka investuar miliarda dollarë për modernizimin e ushtrisë së vet dhe intensivisht ka propaganduar ëndrrën serbe për kthimin e shpejt të Kosovës nën sovranitetin serb. Për realizimin e këtij qëllimi, Serbia gëzon përkrahjen e plotë politike, diplomatike dhe ushtarake ruse dhe të aleatëve të saj strategjik siç janë Koreja e Veriut, Siria, Irani, Venezuela dhe ndonjë shtet tjetër diktatorial. Mirëpo, ndryshimet e papritura në frontin e luftës në Ukrainë, e sidomos uniteti i plotë politik dhe diplomatik në mes të Evropës dhe SHBA-së, kanë ndikuar në përmbajtjen e qeverisë serbe nga çfarëdo aksioni aventurier agresiv në veri të Kosovës. I vetmi mekanizëm i mbetur për ta shantazhuar Qeverinë dhe shtetin e Kosovës, është elementi radikal serb që vepron kryesisht në veri të Kosovës. Këto struktura radikale, të mbështetura nga shërbimet inteligjente civile dhe ushtarake serbe, përmes veprimeve të tyre aksionare, po tentojnë t’i krijojnë rrethanat për intervenim “të detyrueshëm” ushtarak serb në veri, me qëllim të ndarjes së Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni vendimin për shtyrje të pjesshme dhe të masave me përshkallëzim ndaj çështjes së targave ilegale, madje me simbole të regjimit të Millosheviçit?

Kolë Krasniqi:Në kontekst të rrethanave të reja ndërkombëtare, të karakterizuara me përshkallëzim dramatik të luftës në Ukrainë dhe me rritje shqetësuese të retorikes luftarake në shumë pjesë të botës, Kosova nuk duhet të sjellë asnjë vendim që bie ndesh me rekomandimet e miqve tanë ndërkombëtarë. Asnjëri nga zyrtarët evropian apo ata të USA-së nuk e kanë kontestuar legjitimitetin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, por vetëm kanë kërkuar shtyrjen 10 muajshe të zbatimit të këtij vendimi. Bashkësia ndërkombëtare e ka shprehur zhgënjimin e saj lidhur me vendimin e Qeverisë për targat, i cili më tepër i jep prioritet vendosmërisë së vet politike se sa zgjidhjes diplomatike dhe përfundimtare të problemit. Uroj që kësaj here të mos përsëritet viti 2011, kur nga një aksion i pamatur dhe i pakoordinuar me aleatët tanë ndërkombëtar u rrezikua jeta dhe shëndeti i policëve dhe rendi juridik në komunat veriore të Kosovës.

“Bota sot”: A do të kishte qenë më mirë, apo më gabim nëse do të ishte përfillur kërkesa e Kuintit, për ta shtyrë çështjen e targave për 10 muaj, si pretendohet që të jetë pjesë e zgjidhjes së përgjithshme?

Krasniqi: “Më mirë është të negociohet 10 vite se sa të bëhet luftë një ditë”. Të gjitha çështjet e hapura me Serbinë kanë filluar gradualisht të zgjidhen me ndërmjetësimin e BE-së dhe të SHBA-së. Edhe çështja e targave besoj se do të zgjidhet përmes marrëveshjes përfundimtare për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që pritet të nënshkruhet nga mesi i vitit të ardhshëm.

“Bota sot”: Pse duket sikur ka një ndryshim, një përpjekje të sforcuar nga Perëndimi që ta ofrojë Serbinë me çdo kusht, ta shkëpusë nga Rusia, qoftë edhe duke i ofruar ndonjë kompromis në Kosovë, ndërkohë, që autoritete dhe figura me detyra shumë të rëndësishme në pushtet, si Vulini, Daçiqi kërcënojnë me pushtim të veriut, dhe janë haptazi pro Rusisë?

Kolë Krasniqi:Përpjekjet e Perëndimit për ta integruar Serbinë (kështu siç është) në BE kanë për qëllim pengimin e shtrirjes së ndikimit rus në Ballkan dhe krijimin e rrethanave për zgjidhje përfundimtare të konflikteve shekullore ndëretnike në rajonin e Ballkanit. Një integrim eventual i Ballkanit Perëndimor në BE padyshim se do të ndikonte edhe në zhvleftësimin e kufijve etnik dhe atyre klasik shtetërorë në mes të vendeve të Ballkanit dhe si rrjedhojë edhe në pushimin gradual të aspiratave ekspansioniste serbe në rajon. Nga këto arsye joshet Serbia që të fillojë negociatat për integrimin e saj në BE dhe njëkohësisht që ta braktisë aleancën e vet shekullore me Rusinë.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për vettingun në drejtësi dhe si mund ta kemi një sistem efikas të së drejtës?

Kolë Krasniqi:Fjala vetting, do të thotë verifikim i detajuar i figurës së një personaliteti para se t’i besohet atij një pozicion zyrtar, një titull akademik, diplomatik, një çmim, dekoratë etj. Përderisa në institucionet tona, një numër shqetësues i zyrtarëve shtetërorë janë punësuar në mënyrë jomeritore, përmes ndikimeve klanore, interesave politike, nepotizmit – madje edhe të blerjes së pozicioneve, e jo sipas nivelit të tyre arsimorë apo vlerave të tyre profesionale, që padyshim se kanë ndikuar edhe në komprometimin nacional dhe ndërkombëtar të institucioneve tona shtetërore, atëherë është imperativ i kohës zhvillimi i një vettingu rrënjësor dhe parimor jo vetëm në institucionet e drejtësisë, por në të gjitha institucionet tona shtetërore që do të verifikonte pasurinë, të kaluarën, profesionalizmin dhe rregullsinë e avancimit në karrierë të zyrtareve të lartë shtetërorë.

“Bota sot”: Ju keni marrë pjesë në vlerësimin e gjendjes në drejtësi në aspektin penal, fushë në të cilën ligjëroni, nëpërmjet pyetësorit të organizatës kryesore në indeksimin e drejtësisë (gjyqësorit) në një vend, Ëorld Justice Project. Si bëhet vlerësimi dhe si shkon ky proces?

Kolë Krasniqi:Ekspertet e Ëorld Justice Project i hartojnë pyetjet sipas juridiksionit pozitiv të një vendi dhe u dërgohen ekspertëve të zgjedhur për përgjigje. Varësisht nga këto përgjigje mund të vlerësohet me një precizitet të lartë gjendja e sistemit të drejtësisë penale në një vend. Sa më kujtohet ishin rreth 50 pyetje me nga 20 – 30 madje edhe më shumë nën pyetje për një çështje konkrete, p.sh., “si dhe nga kush bëhet arrestimi i personave në Kosovë” dhe pasonin dhjetëra nën pyetje përmes të cilave kuptohej lehtë ligjshmëria apo arbitrariteti i organeve dhe institucioneve tona shtetërore. Në qoftë se përgjigjet e ekspertëve të zgjedhur vendor dhe atyre ndërkombëtar që njohin juridiksionin tonë penal janë identike, atëherë vlerësimi ishte i qartë. Në interes të njohjes së të vërtetës, vlerësimi i gjendjes së juridiksionit penal të një vendi nuk bëhet vetëm përmes vlerësimit nga grupet e eksperteve të zgjedhur, por edhe përmes krahasimit të atyre vlerësimeve me të dhënat e ndryshme zyrtare nacionale dhe atyre ndërkombëtare.

“Bota sot”: Cili nga pjesët e sistemit ka më shumë të them devijime apo mospërmbushje, në lëminë civile apo penale?

Kolë Krasniqi:Të dyja këto pjesë të sistemit tonë të drejtësisë i kanë progreset dhe të metat e veta. Kështu p.sh., zgjidhja e kontesteve të ndryshme civile në gjykatat tona zgjatë me vite. Në këtë aspekt “drejtësia e vonuar reflektohet si padrejtësi”.

Ndërkaq sistemi i drejtësisë penale në Kosovë, në rastet e rëndomta është vlerësuar si efikas, i drejtë dhe tejet profesional. Mirëpo, në rastet kur involvohen figurat e larta shtetërore, biznesmenët e mëdhenj, zyrtarët politikë apo elita intelektuale, atëherë vërehet një kapje e institucioneve tona shtetërore. P.sh., para dy viteve një grup i studentëve kishte parashtruar në Prokurorinë Speciale të Kosovës një kallëzim të argumentuar penal ndaj një rektori të universitetit që kishte punësuar një person në kundërshtim flagrant me Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin e Universitetit dhe me Rregulloren për procedurat përzgjedhëse të personelit akademik. Madje ky punësim tejet i dëmshëm dhe i kundërligjshëm ishte bërë edhe përkundër raportit të publikuar negativ nga komisioni vlerësues dhe argumentimit të faktit se personi në fjalë disponon me një doktoratë joadekuate dhe të pabarasvlershme me studimet tona juridike. Mirëpo, fatkeqësisht edhe përkundër provave të ofruara materiale për kryerjen e veprave konkrete penale, Prokuroria Speciale e Kosovës çuditërisht e kishte mbyllur rastin. Ky rast është njësoj sikur p.sh., Këshilli Prokurorial apo ai Gjyqësor i Kosovës në procedurën e tyre rekrutuese ta refuzonin një kandidat për mungesë të arsimit adekuat juridik, e kryesuesi i Këshillit të merr vendim arbitrar për punësimin e tij – dhe një rast i tillë të vlerësohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës si veprim i ligjshëm. Padyshim se fshehja e kësaj vepre penale ka ndikuar në zhgënjimin masiv të rinisë studentore dhe në zbehjen e besueshmërisë së opinionit profesional ndërkombëtar ndaj sistemit tonë të drejtësisë – ngase studentët i kishin njoftuar edhe subjektet relevante ndërkombëtare.

“Bota sot”: Ju jeni edhe autor i librit për terrorizmin dhe rrezikut prej tij në Kosovë. A është ulur ai rrezik me krijimin e institucioneve të reja?

Kolë Krasniqi:Me rënien e Shtetit Islamik janë reduktuar dukshëm aktivitetet e grupeve të caktuara radikale dhe atyre ekstremiste fetare në Kosovë. Në anën tjetër janë paraqitur disa grupe të armatosura serbe në veri të Kosovës, të cilët varësisht nga motivi dhe ideologjia e tyre duhet vlerësuar si grupe të organizuara kriminale apo terroriste.

Autoritetet shtetërore të Kosovës me qëllim të ruajtjes së vlerave tona demokratike, të mbështetura nga mekanizmat e sigurisë ndërkombëtare, sikur në të kaluarën edhe tani do të ndërmarrin masat e nevojshme operative në drejtim të parandalimit të suksesshëm dhe të luftimit efikas të çfarëdo veprimtarie kriminale në Kosovë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Bëhet lojtari më i shtrenjtë në botë

Story i radhës

5 gjërat që duhet të dini të gjithë kur flisni për politikë

Të fundit nga