Dorëheqja e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së, komentojnë studiuesit

min lexim

Dorëheqja e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga drejtimi i saj u komentua në mënyra të ndryshme nga studiuesit e politikës.

Ata pohojnë se nga një anë kjo dorëheqje duhet respektuar si një veprim normal politik, por nga ana tjetër Partia Demokratike rrezikon të kthehet nën kultin e individit dhe nën autoritetin e ish kryeministrit Sali Berisha, i shpallur non grata për korrupsion nga Uashingtoni.

Studiues të jetës politike e sociale në Shqipëri pohuan se dorëheqja e zotit Basha nga drejtimi i Partisë Demokratike është një akt për t’u respektuar edhe për faktin se në Tiranë dorëheqjet e politikanëve janë të pakta.

“Por dorëheqja e zotit Basha mund të vinte vetëm pas një analize të thellë, ku faktet të thuhen hapur mbi shkaqet e vërteta të humbjeve në gara zgjedhore”, – thotë studiuesja Jonila Godole në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Tiranës, dhe drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Zonja Godole theksoi se partia nuk ka analizuar ende shkaqet e humbjes së zgjedhjeve më 25 prill dhe 6 mars sivjet dhe nuk mund të platformë bashkimi të grupimeve të saj.

“Si do të bëhet bashkimi? Bashkimi? Me cilin çmim? Duke cënuar partneritetin tonë euro-atlantik? I cili na është përcaktuar shumë qartë nga data 9 shtator e këtej? Duke dalë kundër Blinkenit, Escobarit, ambasadës amerikane dhe gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë? Të cilët kanë folur shumë qartë nga 9 shtatori deri më sot?” – shprehet zonja Godole.

Dorëheqja e zotit Basha cilësohet si një zhvillim pozitiv dhe normal nga studiuesi Blendi Ceka në departamentin e shkencave politike në fakultetin e shkencave sociale të Universitetit të Tiranës.

Ai thotë se rezultatet dhe suksesi elektoral janë përcaktues në jetëgjatësinë politike të udhëheqësve, ndaj vëmendja, sipas tij, do të vazhdojë të mbetet mbi PD për një vit deri në zgjedhjet vendore, nëse do të bashkohet apo jo.

“Zhvillimet e fundit dhe ajo që do të shohim vitin që vjen besoj se janë kapitulli i fundit i tranzicionit politik të dinosaurëve të politikës shqiptare. Ndoshta është shpresë, ndoshta është dëshirë, por unë mendoj se ky është cikli. Ky mendoj se është episodi i fundit i tranzicionit dhe jorastësisht kemi liderët kryesorë të tranzicionit në garë me njëri tjetrin pas 30 vjetësh sërish bashkë”, – thotë zoti Ceka.

Nga ana tjetër zonja Godole thotë se përherë e më pak po flitet në radhët e demokratëve për non gratën amerikane të Sali Berishës, ndonëse ajo është aty në mes, derisa një pjesë e mendojnë atë si një padrejtësi, ndërsa pjesa tjetër si një reflektim ndaj kërkesës së SHBA-ve për ta larguar nga strukturat e partisë.

Profesoresha e shkencave të komunikimit, e cila është prej pak muajsh edhe anëtare e kryesisë së PD-së theksoi se non grata amerikane për Berishën nuk e dëmtoi PD-në, por përkundrazi i dha një shans asaj për t’u rivendosur mbi vlera të vërteta demokratike.

“SHBA-të na dhanë një shams shumë të madh që ne të rikthejmë vëmendjen tek vetvetja, tek pronat tona që kemi me korrupsionin, me kultin e individit në kulturën tonë politike, me kulturën e linçimit dhe me gjithçka tjetër që i përgjigjet pyetjes: përse kjo Shqipëri nuk ecën? Nuk ka mundësi që Shqipëria ndër vendet më të varfëra, më të korruptuara në të gjithë listimet ndërkombëtare, në të gjithë indekset që bëhen, dhe sërish të kërkojë pas 30 vitesh të ketë në krye po të njëjtët politikanë, të cilët në 3 dekada janë bashkëpërgjegjës për kushtet ku ndodhet Shqipëria sot, e mbi të gjitha- për mungesën e shtetit të së drejtës” – theksoi zonja Godole.

Studiuesit vërejnë se sot në 30 vjetorin e fitores historike të zgjedhjeve pas gjysmë shekulli diktaturë komuniste, Partia Demokratike gjendet e ndarë për shkak të kultit të individit si dhe e shmangur nga premtimet e saj themeluese për demokraci.

Zoti Ceka thotë se aktualisht 30 vjetët ricikluese të politikës shqiptare po përsëriten me shpejtësi brenda një viti.

“Unë mendoj që tronditje të forta, që mund të vijnë nga Partia Demokratike, nuk do të ngelen pa rezonuar tek Partia Socialiste, për tre arsye: e para, se është mandati i tretë qeverisës; e dyta, se kemi reformën në drejtësi dhe së treti, situate ekonomike në vend. Siç është marrëdhënia shumëvjeçare për të mbajtur njëra tjetrën në ekuilibër, ashtu është edhe me tronditjet: nëse ndodh nga krahu democrat, kjo do të refletohet edhe në krahun socialist” – thotë zoti Ceka.

Analistët vlerësojnë se qytetarët janë në marrëdhënie mbijetese me politikën, sektori publik mbetet punëdhënësi më i madh në vend, se qytetarët i shohin partitë si ndërmarrje punësimi, jo si alternativa programore, dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre janë gati ta këmbejnë lirinë e demokracinë me një vend pune, me 20 dollarë rryshfet për votën apo me një pako ushqime, të varfër e të pafuqishëm përballë kombinimeve në qarqet politike./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Përdoruesit e Instagram mund të etiketojnë produktet

Story i radhës

Zjarr në Malishevë, digjen dhjetëra hektarë pyje

Të fundit nga