Mijëra ukrainas dhe disa luftëtarë nga e gjithë bota kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës nga ndërhyrja ruse. Por ka mënyra të ndryshme për të ndihmuar. Një ekip gazetarësh të Zërit të Amerikës ishte në Donetsk, ku vullnetarët po trajnohen se si të japin ndihmën e parë mjekësore për të plagosurit.
Vullnetarët po mësojnë se si të shpëtojnë jetë, si të ndalojnë rrjedhjen e gjakut dhe administrimin e ilaçeve për të zvogëluar hemoragjinë.
Këto janë disa nga aftësitë që po mësojnë vullnetarët në qytetin Pokrovsk në rajonin Donetsk të Ukrainës, ndërsa trajnohen për të dhënë ndihmën e parë. Vullnetarët po trajnohen nga instruktorë ushtarakë si Yakiv Khyrliuk.
Këta instruktorë mjekësorë u trajnuan në vitin 2014 dhe i kanë përsosur njohuritë gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes NATO-s dhe Ukrainës. Aktualisht trajnime të ngashme po zhvillohen në të gjithë vendin. Vullnetarët në qytetin Pokrovsk organizuan gjithçka. Instruktori ushtarak Yakiv Khyrliuk u tregon vullnetarëve se si duhet të veprojnë.
“Krahu duhet ngritur në këtë mënyrë. Nëse ka plagë, duhet të veproni me shpejtësi”.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Vadym Karnaukh tregon se pse doli vullnetar për të mësuar si të ofrojë ndihmën e parë mjekësore për të plagosurit.
“Të gjithë po shohim se çfarë po ndodh në Chernihiv, Sumy, Kiev, Kherson dhe Mariupol, që është pranë qytetit tonë. Po shohim vuajtjet e popullsisë civile. Kemi vëndosur të mësojmë nga mjekët ushtarakë që të jemi të gatshëm në çdo rast”.
Është e qartë se këto aftësi mjekësore do të nevojiten ndërsa sulmi rus bëhet më vdekjeprurës, duke rritur numrin e viktimave mes popullsisë civile.
Sipas raportimeve, më shumë se 20 civilë janë vrarë në Donetsk të Ukrainës lindore dhe 28 të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketa të hënën./VOA