Superliga e volejbollit të meshkujve është futur në pjesën më të nxehtë të sezonit, teksa sot ekipet do të zbresin në parket për ndeshjet e para gjysmëfinale të “play off”-it.
Takimi i parë do të startojë në orën 18:00, ku në sallën “Farie Hoti” do të matin forcat Tirana dhe Vllaznia. Bardheblutë vijnë në këtë fazë, pasi e mbyllën në vend të parë sezonin e rregullt.
Ndërsa nga ana tjetër shkodranët kaluan me sukses çerekfinalet, teksa mposhtën dy herë Skënderbeun. Në letër favoritë mbeten kryeqytetasit, të cilët kanë më shumë kualitete në përbërje, megjithatë kuqeblutë premtojnë betejë.
Takimi i dytë gjysmëfinal do të nisë në orën 20:00, me Partizanin që pret në sallën “Feti Borova” skuadrën e Erzenit. Një ndeshje që vitet e fundit i ka dhënë tonin volejbollit shqiptar, madje duke u transferuar edhe në Kupat e Europës.
“Demat” e Ylli Tomorrit synojnë mbrojtjen e kurorës, ndërsa nga ana tjetër shijakasit janë edhe ata një ekip me shumë ambicie, që gjithashtu kërkon titullin.
Kështu, sporti i rrjetës premton sfida elektrizuese, ndërsa më 15 prill do të luhen takimet e kthimit.