Piloti i Formula 1, Mick Schumacher tha se ishte gjithçka “në rregull” pasi u transportua në spital të shtunën pas një aksidenti të frikshëm gjatë kualifikimeve për Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, sipas një postimi nga llogaria e tij në Twitter.
Një vlerësim fillestar zbuloi se ai nuk pësoi lëndime, por shoferi 23-vjeçar u dërgua në një spital për “kontroll paraprak”, ka thënë ekipi i tij, Haas. Ekipi më vonë njoftoi se ai u lirua dhe ishte kthyer në hotelin e tij, shkruan CNN.
Schumacher, djali i shtatë herë kampionit botëror Michael Schumacher, humbi kontrollin e makinës së tij dhe u përplas kokë më kokë në dalje të kthesës 12 gjatë Q2 të kualifikimeve në Jeddah Corniche Circuit. Pak çaste pas përplasjes, flamuri i kuq u ngrit për të lejuar ekipin mjekësor të kujdeset për shoferin gjerman.
Ndeshja u vonua për gati një orë pasi pastruan pistën nga mbeturinat. Schumacher u shfaq në transmetim i ulur në barelë dhe duke biseduar ndërsa priste të ngarkohej në ambulancën ajrore.
Pas aksidentit, skuadra njoftoi se Schumacher nuk do të marrë pjesë në Grand Prix, të planifikuar për të dielën, duke shtuar se vetëm një nga pilotët e tij, Kevin Magnussen, i cili u kualifikua i 10-ti për garën e së dielës, do të marrë pjesë..