Divergjencat ndërmjet ariut siberian dhe tigrit anadollak

June 8, 2022
min lexim

Pas Luftës së Parë Botërore ishte shpërbërë Perandoria Osmane, ajo austro-hungareze pushoi së ekzistuari, ndërsa ajo ruse cariste u zëvendësua me Perandorinë e kuqe komuniste. Mbi gërmadhat e Perandorisë Osmane, që ishte e ndryshkur dhe e kalbur, u ngrit Republika sekulare e Turqisë. Perandoria e dikurshme Osmane ishte një ndër më të mëdhatë pas Perandorisë Romake, që ishte e shtrirë në tri kontinente. Ajo perandori bipolare ishte e përbërë nga shumë popuj, raca, kultura, religjione dhe qytetërime. Rusia cariste ishte dinasti, pas Carit të çmendur Ivan, i cili pushtoi edhe territore të mongolëve në Azi.

Për pesë shekuj, dy perandoritë e tjera kanë pasur të njëjtën strukturë të qeverisjes: monarki absolute dhe totalitare. Të dyja kanë pasur qytetërim lindor: bizantin dhe islam. Në krahasim me qytetërimin perëndimor, dy popujt, turqit dhe rusët, janë më tradicionalë. Kultura dhe mentaliteti i këtyre dy popujve është lindor. Rusët kanë identitet homogjen, pan-sllavizimin ortodoks dhe ultra-nacionalizmin. Turqit janë popull lindor, ultra-nacionalist dhe me traditë islame. Të dy perandoritë kanë përjetuar histori të ngjashme. Kur Pjetri i Madh filloi me evropeizimin e Rusisë në shekullin e 18, ky popull u nda në dy taborë: tradicionalistë pan-sllavistë, ortodoks dogmatikë dhe liberalë pro-evropianë. Shumica e popullit rus, ajo tradicionale pan-sllaviste e ortodokse jetonte në provincat rurale e të varfra, ndërsa në pjesën urbane jetonin liberalët pro-evropianë. Klasa e mesme jetonte nëpër qytete të mëdha, si Moskë, Peterburg etj. Pas themelimit të Republikës moderne sekulare të Turqisë, ndodhi i njëjti fenomen si te rusët. Turqit u ndanë në dy shoqëri: republikanët pro-evropianë e liberalë që jetonin nëpër metropole, si në Stamboll, Izmir, Bursa dhe, në anën tjetër, ishin tradicionalistët orientalë islamë.

* * *

Rusia cariste ishte një dinasti cariste despotike dhe autoritare, ku 90 për qind e fshatarësisë ishte e dominuar nga feudalët pakicë. Në anën tjetër, Perandoria Osmane dhe Rusia Cariste ishin të ndarë nga Evropa për pesë shekuj. Ato vazhdonin me ekspansionin e pushtimit të tokave. Gjatë asaj periudhe të dy perandoritë nuk evoluuan dhe as nuk u reformuan. Pas Renesancës, Evropa u zgjua nga dekadenca dhe letargjia, nga një Evropë e Rotenbergut, Xhems Vatit, Revolucionit francez, Revolucionit industrial anglez, ajo iluministe dhe imperialiste. Perandoria Osmane, Rusia Cariste dhe Ballkani mbetën në qeverisjen monarkiste, totalitare dhe autoritare, me deficit demokratik. Pas pesë shekujsh, Perandoria Osmane, në krahasim me dinastinë cariste, ka qenë më liberale, më e hapur, kozmopolite e multi-kulturore. Rusia cariste ishte një shoqëri feudale, homogjene, konservatore dhe intolerante, dominuar nga një dorë e hekurt cariste dhe nga kisha ortodokse, që pati një vazhdimësi edhe në atë të Perandorisë së kuqe, deri në ditët e sotme, me despotin Vladimir Putin.

PËRPLASJET MES MODERNISTËVE DHE TRADICIONALISTËVE

Pas shembjes së Perandorisë Osmane dhe themelimit të Republikës moderne sekulare, Turqia nuk e vazhdoi trashëgiminë e neo-osmanëve, nuk pati një histori të përgjakshme sikurse Rusia. Pas vdekjes së Qemal Ataturkut, Turqia qeverisej nga sekularistët autoritarë e hibridë. Me dekada mbajti Turqinë me një shoqëri të prapambetur, me demokraci hibride. Shkrimtari turk i nominuar me çmimin Nobel, Orhan Pamuk, shkruan se Turqia qeverisej nga republikanët sekularistë, një hallkë e përbërë nga klasa elite politike, ish-bejlerë që ishin shndërruar në kapitalistë, si dhe gjeneralët që ishin korruptuar dhe të inkriminuar. Ata e shndërruan themeluesin e Turqisë moderne, Qemal Ataturkun, në një kult individi, ndërsa ata ishin kultivues dhe shfrytëzues të qytetërimit perëndimor, por me mentalitet lindor.

Mehmed Aytaçlar (kushëriri i autorit të këtij shkrimi), një profesor në Universitetin e Izmirit, me prejardhje nga fshati Bozovcë i malësisë së Tetovës, para tre vjetësh vizitoi shtëpinë e gjyshit të tij. Ky ishte një republikan dhe pro-evropian, i cili kishte thënë se në të gjitha periudhat e zhvillimit të Turqisë, në njëqind vjetët e fundit, nga radhët e republikanëve, shumica kanë pasur prejardhje nga Ballkani. Shumica e popullatës turke ka qenë me mentalitet tradicional e puritan, shoqëri e klasës së dytë, e diskriminuar dhe e prapambetur. Viteve të 90-ta, me ardhjen e Erbakanit në krye të qeverisë dhe më vonë edhe të Tajip Erdoganit, që ishin me origjinë nga shtresa e tradicionalistëve, konservativë dhe islamistë, Turqia ndryshoi diskursin politik. Dy dekadat e fundit, Turqia po qeveriset nga tradicionalistët e konservatorët. Këto dy shoqëri janë rivale dhe luftojnë, njëra për ta marrë pushtetin dhe tjetra për ta mbrojtur.

Në fillim të shekullit 21, dy shtetet ish-perandorake, Rusia dhe Turqia, janë kthyer sërish në skenën globale politike e gjeostrategjike. Ato kanë pretendime që ta kthejnë famën e dikurshme perandorake. Edhe liderët e tyre po tentojnë ta realizojnë atë kurs strategjik. Vladimir Putin dhe Tajip Erdogan, që kur erdhën në pushtet kishin ambicie për demokratizimin e vendeve të tyre, realizimin e reformave dhe hapjen ndaj perëndimit. Kishin aspirata për integrim në BE dhe kishin kredibilitet te partnerët perëndimorë. Brukseli dhe Uashingtoni shpresonin se Tajip Erdogan, si lider, do të prijë në botën islame dhe do të shërbente si mostër me imazh demokratik për shtetet e tjera arabe.

SYNIMET PËR RIKTHIMIN E PERANDORISË

Të dy shtetet, Rusia dhe Turqia, që kishin pretendime për të vepruar në skenën botërore, në fakt kishin divergjenca të mëdha në doktrinën e tyre politike. Turqia ëndërronte rikthimin në shtetet e dikurshme të Perandorisë, si në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, Ballkan dhe Azinë Qendrore, duke zhvilluar potencën e saj të investimeve në ato vende. Turqia po dëshiron të kthejë neo-osmanizmin. Ngjashëm me këto interesa, po vepron edhe Vladimir Putini, që të bëhet një fuqi botërore ose rajonale, duke i zgjeruar territoret. Ajo rriti influencën e saj gjeopolitike në ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik. Putini, me aneksimin e një pjese të territoreve me enklava ruse, në Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë, dëshiron rikthimin e perandorisë cariste. Kjo është një ideologji e vjetër bizantine e ortodokse.

Këta dy liderë, Putin dhe Erdogan, duke qëndruar në pushtet më gjatë se zakonisht, për disa mandate, nga liderë me synime demokratike u shndërruan në autokratë dhe diktatorë. Megjithatë, Erdogan nuk mund të krahasohet me Putinin, sikundër që nuk mund të krahasohet Perandoria Osmane me Perandorinë Ruse e cariste. Duhet pranuar se Turqia është më demokratike se sa shtetet e tjera të rajonit të Lindjes së Mesme. Rusia e Putinit ka burgosur kundërshtarët dhe ka eliminuar opozitën. Nën diktatin e Putinit zgjedhjet në Rusi kurdisen dhe ai përherë del fitues. Në anën tjetër, opozita në Turqi është shumë afër me përqindjen e votave me partinë në pushtet. Ky është një dallim i dukshëm ndërmjet Turqisë dhe Rusisë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Skandal: Dyshohet se mjeku ka abuzuar seksualisht me 6 paciente

Story i radhës

Mickoski: Vendimi për konfiskimin e selisë është vendim politik

Të fundit nga

Të hënën reshje intensive shiu në 5 qarqe

Fillimi i javës do të nisi me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër. Kështu njofton Instituti i Gjeoshkencës në buletinin e tij. Ndërkohë që reshjet intensive do
ShkoLartë