Ukraina po pret që tanket e Putinit do ta sulmojnë kryeqytetin e saj, Kievin, ndërsa qytetarëve u është kërkuar t’u rezistojnë forcave ruse.
Krismat janë dëgjuar në qendër të Kievit dhe raportohet për luftë të ashpër në veri të kryeqytetit. Sipas raportimeve, forcat ruse kanë marrë në kontroll aerodromin ‘Hostomel’ afër Kievit, ndërsa kryetari i kryeqytetit ka thënë se Kievi ka hyrë në “fazë mbrojtëse”.
Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar qytetarëve të saj që të rezistojnë kur forcat ruse të hyjnë në Kiev dhe të informojnë autoritetet vendase për lëvizjet e trupave. Një nga kërkesat ka qenë që të bëjnë koktej mollotovi, për ta neutralizuar armikun.
Shpërthimet tronditën Kievin në orët e para të ditës së dytë së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Autoritetet ukrainase kanë raportuar se e kanë rrëzuar një avion ushtarak rus mbi kryeqytet.
Forcat ruse kanë marrë edhe qytetin Sumy, në veri-lindje të Ukrainës, sipas një banori, i cili ka thënë se i ka parë autoblindat ruse në rrugët e qytetit.
Rusia është shprehur e gatshme që të çojë një delegacion në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minskun, për bisedime me Ukrainën, ka thënë sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ukraina ka shprehur vullnetin për diskutime, duke e deklaruar vetën si shtet neutral.
Krydediplomati rus, Sergei Lavror, po insiston se “askush s’po planifikon ta okupojë Ukrainën”, duke thënë se Moska është e gatshme për dialog, bëse forcat ukrainase “ulin armët”.
Rusia i ka ndaluar fluturimet e Britanisë së Madhe nëpër hapësirën e saj ajrore, pasi qeveria britanike tha se transportuesi kombëtar rus, Aeroflot, do të ndalohet nga hapësira ajrore e Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të pakos së sanksioneve të saj, ndaj Rusisë.
Në një adresim të tij, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka konfirmuar raportimet për sulmet raketore ruse të premten herët, duke i bërë thirrje NATO-s për përkkrahje dhe Perëndimit për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
Ushtarët ukrainas janë pozicionuar në qendër të Kievit, të premten, më 25 shkurt, 2022. Rusia zhvendosi sulmet e saj në periferi të kryeqytetit, pas sulmeve raketore përmbi qytete dhe baza ushtarake, dhe pasi dërgoi trupa dhe tanka nga tri anët, për një pushtim që mund ta rishkruaj gjithë historinë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në ditën e parë të pushtimit, forcat ruse kanë rrethuar centralin bërthamor të Çernobilit, në veri të Ukrainës. Ukraina shpalli një dekret për mobilizim të plotë ushtarak kundër pushtimit rus. Burrat ukrainas të moshës 18-60 vjeç tani janë të ndaluar të largohen nga Ukraina. Zelenskiy ka shpallur ligjin ushtarak.
Presidenti ka thënë të enjten se ai do të qëndrojë në Kiev, edhe pse u tha se ai do të jetë i pari në shënjestër të Rusisë.
“Ne nuk frikësohemi. Ne nuk frikësohemi nga asgjë”, ka thënë ai.
Bashkimi Evropian po planifikon të ngrijë asetet e Putinit dhe ministrit të Jashëm rus, Sergei Lavror, në rundin e tretë të sanksionimeve. Pas zemërimit ukrainas ndaj hezitimit të bllokut për të hequr Rusinë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare Sëift, ministrat e jashtëm të BE-së kanë vendosur të miratojnë më shumë masa të premten pasdite.
Mijëra qytetarë u përpoqën të ikin nga Kievi, duke krijuar radhë të gjata të trafikut. Kanë dalë fotografitë, ku shihen qytetarët e Kievit nëpër stacionet e metrosë, ku po mbrohen nga sulmet e radhës të Rusisë.
Nëpër Rusi janë zhvilluar disa protesta kundër luftës. Protestuesit janë përballur me autoritetet lokale,. Janë arrestuar 1702 protestues, në 53 qytete ruse, të enjten kur nisi pushtimi i Ukrainës.