Departamenti i Arbitrimit në FSHF ka përmbyllur seminarin dimëror dy-ditor, që u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në kuadër të fazës së dytë të kampionatit “Abissnet Superiore”.
Në këtë seminar morën pjesë rreth 65 arbitra dhe asistentë, të cilët u angazhuan në një program intensiv dhe profesional.
Dita e dytë e seminarit u përqendrua kryesisht në trajnimet teorike dhe temat speciale, që përfshinin fushat e psikologjisë sportive dhe nutricionizmit, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të performancës së arbitrave.
Përveç kësaj, u zhvillua një analizë e detajuar e situatave teknike dhe taktike nga 19 javët e para të kampionatit, duke u ndalur veçanërisht në momentet më delikate gjatë ndeshjeve.
Seminari dimëror është një pjesë e rëndësishme e programit të FSHF-së për të siguruar zhvillimin dhe rritjen e nivelit të arbitrave shqiptarë, duke i përgatitur ata për sfidat që i presin në pjesën e mbetur të sezonit.
Burimi: botasot.info