Takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel kryenegociatorësh, i planifikuar për datën 17 dhjetor, nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat, vetëm nëse ka ndryshim të qasjes nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti dhe mazhoranca këmbëngulin se nuk mund të ketë vijim normal të dialogut pas sulmeve në Banjskë e Ibër Lepenc dhe akteve të tjera kundër shtetit të Kosovës.
Arbresha Kryeziu Hyseni, deputete e LVV, u shpreh për A2: “Mendoj që është e vështirë thjesht të presim normalizim të raporteve me Serbinë kaq shpejt dhe aq më tepër pak ditë pasi ndodhi sulmi në Ibër Lepenc. Mendoj që ka çështje të tjera shumë më të rëndësishme që duhet të diskutohen dhe të normalizohen para se të synojmë që të ketë normalizim thjesht të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”.
Nga opozita thonë se ky është një tjetër takim i radhës ku nuk pritet asgjë, sidomos me zgjedhjet parlamentare të cilat janë afër.
Time Kadrija, deputete e AAK, thekson: “Nuk e mendoj që Qeveria ka guximin edhe gatishmërinë të bëjë diçka në këtë drejtim, duke ditur se jemi në proces zgjedhor dhe që do të takohen për të thënë që u takuan, do të takohen për t’u mos u dakorduar dhe ndoshta për të bërë pak fushatë zgjedhore, për të thënë që ne refuzuam”.
Lëvizja Vetëvendosje, që ka pritshmëri për shefen e re të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, thotë se presin që dialogu të marrë një tjetër kthesë në mënyrë që palët në tavolinë të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Ata mbesin mbrapa kushteve të kryeministrit Albin Kurti që kërkon esktradimin e Milan Radoiçiçit, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Brnabiç si dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të vitit 2023.
Arbresha Kryeziu Hyseni deklaron: “Çfarë ne kërkojmë është thjesht palët të trajtohen barabartë dhe nëse ka diçka që kërkohet prej palëve të mbikëqyren të dyja në implementin e asaj kërkese dhe jo vetëm njëra dhe jo të kërkohet vazhdimisht nga njëra palë dhe tjetra të anashkalohet plotësisht”.
Sqarime edhe për takimin e 17 dhjetorit kërkon opozita, që thotë se Kuvendi duhet të jetë i informuar se për çfarë po bisedohet me Serbinë në emër të Kosovës.
“Ne është mirë ta dimë axhendën e takimit sepse kemi të drejtë si deputetë të dimë pikat e rendit të ditës që do të diskutohen në mënyrë që të kemi qartësi se çka po dialogohet dhe jo të marrim vesh pas përfundimit të negociatave apo pas përfundimit të një raundi të bisedimeve”, tha Kadrija.
Takimin e radhës mes kryenegociatorëve Besnik Bilsimi dhe Petar Petkoviç e ka konfirmuar edhe Bashkimi Europian, por edhe nga zyra e zëvendëskryeministrit të Kosovës.
Burimi: botasot.info