Dialogu Kosovë-Serbi, kryediplomati italian: Jemi të angazhuar në vijë të parë, kërkojmë rezultat historik

Antonio Tajani, zëvendës kryeministër i Italisë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të vendit gjegjës, në një intervistë për të përditshmen “Il Piccolo”, ka folur në lidhje me raportet Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se diplomacia italiane është duke operuar në bashkëpunim me partnerët e afërt, derisa këto vende të normalizojnë raportet e tyre.

“Jemi të angazhuar në vijë të parë gjersa Serbia dhe Kosova të mund t’i normalizojnë raportet e tyre. Përmes lehtësimit evropian të dialogut ka qenë e mundur paraqitja e një propozimi të marrëveshjes për të dy palët dhe diplomacia italiane është duke operuar, në bashkëpunim me partnerët e afërt, për të kërkuar që të arrijmë një rezultat të peshës historike, nga i cili do të përfitonte i gjithë rajoni,”- është shprehur ai.

Ndër të tjera, zv kryeministri italian ka shtuar se, nuk duhet të ketë vonesa të mëtejshme në zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit, duke e cilësuar hyrjen e këtyre vendeve në BE, jetike.

“Zgjerimi i Bashkimit Evropianit me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka shkuar me ritmin e dëshiruar në këto njëzet vite. Vetëm Kroacia është bërë anëtare e BE-së. Nuk mund t’i mundësojmë vetes vonesa të mëtejme. Nëse BE synon të jetë faktor global, hyrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është jetike dhe si proces duhet të përshpejtohet,”– ka thënë ai.

Story i mëparshëm

​7 aftësi që do t’ju ndihmojnë të punësoheni

Story i radhës

LIVE: Ukraina nuk gjen qetësi nga bombardimet, ushtria ruse po pëson humbje të mëdha – publikohen shifrat

Të fundit nga