Tash sa vite Kosovës i është imponuar i ashtuquajturi-Dialog. Dhe ky i ashtuquajtur Dialog Kosovës i zë frymën.
Se kush e “zbuloi” apo ideoi këtë nuk dihet(mbase edhe dihet, por nuk thuhet),por ajo që dihet se të bësh Dialog me ish pushtuesin(serb) kur ai nuk të njeh, dhe që është i disponuar të të zhdukë nga faqja e dheut (Ivica Daçiq-kryetar i SPS-it serb ditë më parë i porositi shqiptarët e Kosovës që të ikin në Shqipëri, sepse Kosova është tokë serbe(?!),atëherë çfarë t’i thuhet dhe si të shkohet në atë Dialog?
Në politikën serbe(me shekuj)është ngrit miti serb se Kosova është tokë serbe, dhe ajo tokë duhet të “çlirohet” nga shqiptarët “uzurpatorë”?!
Dhe kjo politikë serbe vazhdon edhe tash kur Kosova është shpallur shtet dhe shtetësinë e saj e kanë njohur pjesa më e madhe shteteve demokratike të planetit. Nuk kalon ditë e zotit dhe autoritetet politike serbe Kosovën të mos e quajnë si krahinën jugore të Serbisë? Nuk ka ditë të zotit që ato autoritete të mos betohen para opinionit serb se së shpejti do të kthehen në “tokën e tyre të shenjtë” siç e quajnë ata Kosovën?!
Dialog bëhet kur të dy palët e atij “dialogu” janë të barabartë” dhe e respektojnë njëra-tjetrën?!
Në të kundërtën e saj, kur njëra palë nuk e njeh palën tjetër si të barabartë, atëherë aty nuk mund të ketë Dialog, por vetëm Monolog.
Dhe për këtë një pjesë të fajit e ka edhe politika e Brukselit, e cila statusin e Kosovës, me kërkesën e Serbisë e trajton si neutral. Sipas kësaj praktike të Brukselit, Kosova në Dialog nuk është e barabartë me Serbinë, por është diku më poshtë?!
Burokratëve të Brukselit duhet thënë se Kosovën duhet të trajtohet me emër e mbiemër ashtu si është: Republika e pavarur e Kosovës .Republika e Kosovës ka hyrë tashmë në vitin e pesëmbëdhjetë të pavarësisë së saj, deshi apo nuk deshi Serbia, deshi apo nuk deshi Brukseli.
Nëse nuk i thuhet kjo Serbisë, atëherë Brukseli nuk ka përse të bëjë thirrje në Dialog të Kosovës me Serbinë?!