Dialog me një serb që e quajti mik shqiptarin

May 19, 2022
min lexim

Historiani serb i një universiteti beogradas, Nikolla Samarxhiq, kishte tentuar ta zbërthejë epitetin e ngjitur ndaj serbëve, si “rusë të vegjël” në Ballkan, si dhe shkakun se pse janë të vetmit në Evropë që përkrahin Putinin, të cilin gati se e gjithë bota e krahasojnë me Stalinin dhe Hitlerin. Sipas tij, lufta në Ukrainë, të cilën shumica e quajnë si luftë e Putinit, nuk përkon me realitetin, sepse atë luftë e mbështesin 75 për qind e rusëve. Kështu ishte edhe lufta në ish-Jugosllavi, të cilën e quanin si luftë e Millosheviqit, por e vërteta ishte së atë e përkrahnin shumica dërmuese e popullit serb.

Dialogu i këtyre ditëve me një serb, që më rastisi në bisedë duke më konsideruar si mik, filloi me tezën e tij se nuk është i vetëm profesor Samarxhiqi që mendon ashtu, porse paska edhe të tjerë intelektualë e historianë serbë që kanë një mendim të ngjashëm. Ata japin hipoteza të ndryshme se pse serbët janë të kthyer nga Moska. Ata thonë se kjo miqësi ka rrënjët që nga lufta turko-ruse, nga revolucioni i tetorit dhe nga Jugosllavia e dikurshme monarkiste, kur serbët admironin shtetin e parë socialist, Bashkimin Sovjetik. Një numër i serbëve kryen shkolla të larta në atë vend, që ndikoi edhe në Jugosllavinë e dikurshme të formohet partia komuniste. Kjo ngjizje mes këtyre dy popujve vazhdoi deri në janar të vitit 1948, kur u shpall Rezoluta e Informbyrosë dhe u bë shkëputja e Titos prej Stalinit. Kjo shkëputje për serbët ishte një tragjedi e vërtetë. Millovan Gjillas, në memoaret e tij, kishte shkruar se serbët në atë Jugosllavi ishin popull shumicë dhe me hegjemonizmin e tyre do ta realizonin projektin e “Serbisë së madhe”. Kësisoj, Jugosllavia do të shndërrohej në Serbosllavi. Këtë tezë e përsëriste edhe akademiku Dobrica Qosiq, i cili pretendonte se “një Serbi e fortë do të ishte një Jugosllavi e dobët”.

Pas këtyre fjalëve, më mbeti të shtroj disa argumente të tjera kundruall këtij serbi, që më quajti mik. Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Këshillit të Evropës, në dy dekadat e fundit, nga fonde të ndryshme janë derdhur në Serbi 6 miliardë euro mjete stimuluese. Nuk ka qytet që s’ka marrë donacione për infrastrukturë dhe objekte të tjera publike, kryesisht nga BE dhe SHBA. Firmat nga BE kanë investuar në kapacitete prodhuese në Serbi, ku janë hapur 70 mijë vende pune. Në anën tjetër, një e treta e serbëve punojnë përkohësisht në vendet e BE-së, SHBA, Australi dhe Kanada. Këta sjellin në vendin e tyre 2 miliardë dollarë në vit. Ky stimulim ekonomik vjen nga bota perëndimore dhe demokratike e jo nga Rusia nga e cila po në këtë periudhë ka marrë kredi në shumë prej vetëm 1 miliard euro. Pastaj, gjithë elita intelektuale serbe, vetë dhe fëmijët e tyre kanë studiuar dhe po studiojnë në universitetet e kryeqendrave evropiane, por jo edhe në Moskë apo gjetiu në Rusi. Dhe tash kemi një paradoks: vetëm 40 për qind të banorëve të Serbisë janë për anëtarësimin e saj në BE, ndërsa 75 për qind e tyre përkrahin Putinin dhe Rusinë. Si do ta sqarosh këtë?

Miku im, më drejtohet ky serb, është e vërtetë se Serbia gjatë kohë ka marrë mjete stimuluese nga bota perëndimore, shumë sish po punojnë atje, madje edhe rusët kanë vërshuar, bie fjala vetëm në Berlin ka mbi 100 mijë rusë që punojnë dhe jetojnë. Bashkëpunimi ekonomik i Rusisë me BE-në arrijnë nivelin prej 70 për qind. Shumica e elitës politike dhe intelektuale ruse i kanë dërguar fëmijët e tyre për studime në kryeqendrat evropiane, si dhe bëjnë transaksione të majme bankare me Perëndimin. Por nuk mund të mohoj se serbët kanë adhuruar Millosheviqin, siç e adhurojnë tash Putinin, i cili është shndërruar në personalitet kulti. Kjo vjen nga mentaliteti i ulët i gjithë ballkanasve, si të shqiptarëve, boshnjakëve, malazezëve etj., të cilët krijojnë kultet e tyre. Temperamenti i ballkanasve është lindor. Këtë e ka vërtetuar edhe një profesor serb në Universitetin e Sorbonës. Edhe shqiptarët e kanë adhuruar dhe e kanë ngritur në kult personalitetin e diktatorit Enver Hoxha.

Sërish i mbetem borxh për një përgjigje këtij serbi. Është e vërtetë se në periudhën e Shqipërisë socialiste, lideri komunist ishte një diktator stalinist. Në federatën jugosllave shqiptarët ishin të diskriminuar dhe të shndërruar në qytetarë të rendit të dytë. S’kishin përkrahje nga asnjëra anë. Tirana zyrtare bënte propagandë dhe shumica e shqiptarëve në ish-Jugosllavi adhuronin deri në kult Enver Hoxhën, përderisa nuk u shemb komunizmi. Pas përfundimit të komunizmit, shqiptarët në të gjitha trojet jashtë Shqipërisë braktisën së adhuruari kultin e tyre dhe atë ideologji e varrosën bashkë me personalitetin e tij. Kishte pra një përfundim si me gjithë diktatorët e tjerë. Por kulti i personalitetit mbeti vetëm te serbët, si me adhurimin e Millosheviqit, Putinit e të diktatorëve të tjerë.

Përsëri mori fjalën ky serbi, i cili citoi të ketë thënë një kolumnist brilant se me humbjen e luftës në Ukrainë dhe e Putinit, do të shemben përgjithmonë mbeturinat e Murit të Berlinit, edhe në Serbi dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ato do t’i ngjiten familjes së BE-së. Sipas presidentit francez dhe kancelarit gjerman, gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor shumë shpejt do të hyjnë në BE. Ky do të jetë fati, pas dramës ukrainase. Ajo do ta ndryshojë doktrinën dhe diskursin politik të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas analistëve dhe diplomatëve perëndimorë, vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë në një pako për hyrje në BE, pa përjashtuar edhe Kosovën. Nëse ndodh kjo, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i ngrenë një përmendore Vladimir Putinit, shkruan kolumnisti. Më tej shton se me përfundimin e periudhës putiniste, Rusia do të dalë nga izolimi në të cilin është katandisur. Pritet që Rusia të demokratizohet dhe të evropianizohet. Gjeneratat e reja në Rusi ardhmërinë e tyre e shohin në BE, në botën demokratike dhe më të begatë, mbylli bisedën serbi që e quajti mik një shqiptar.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Dy ushtarë rusë pranojnë fajësinë për shkeljen e rregullave të luftës

Story i radhës

Shqipëria, miqësore me Estoninë më 13 qershor në “Air Albania”

Të fundit nga

ShkoLartë