​Detaje për rrugën njëkahore në Prishtinë, qytetarët mbështesin zgjerimin e shesheve

October 30, 2022
min lexim

Edhe sot në Prishtinë ka vazhduar testimi i unazës qarkore dhe ndalimin e qarkullimit të veturave në rrugën “Xhorxh Bush”. Derisa në rrugët njëkahore nuk kishte kolona të gjata siç ishin të premten. Shesheve iu shtua edhe rruga deri te Fakulteti Filologjik. Qytetarët e mbështesin këtë ide. Kurse, nga Komuna e Prishtinës, thonë se po presin propozimin e Task-Forcës për rrugën njëkahore dhe bllokimi e kësaj pjese.

Kjo rrugë sot është shndërruar në një kënd lojërash e mbushur me fëmijë. Aty këmbësorët të cilët lëviznin lirshëm, thanë se vendimi për ta mbyllë këtë rrugë është i nevojshëm për fëmijët por edhe për vet shëndetin e cdo qytetari, pasi bashkohet me sheshe tjera dhe bëhen me gjatësi diku një kilometër e gjysmë në një drejtim.

Zait Xhemajli tha se mbyllja e kësaj pjese për automjetet është e hap i qëlluar nëse ka mundësi që ato të qarkullojnë në rrugët tjera të qytetit. Megjithatë, shton se është problematikë për shkak se në rrugët tjera po krijohen tollovi.

Xhemajli: Është e nevojshme, fëmijët dhe njerëzit të ecin lirshëm

“Mirë është sikur të kishte mundësi të qarkullimit të trafikut në anën tjetër por është problem se janë nxënë rrugët, kjo do të ishte super nëse do të ishte e mundur, siç po shihet në trafik vetëm po krijohet tollovi…Unë jam pensioner nuk kam vonesa, kam kohë por tjerët kanë vonesa ashtu siç kanë deklaruar në mjetet e informimit…Nëse mundemi me siguruar që qarkullimi të lëviz pa pengesa nëpër tjera kahje dhe rrugë, atëherë është mirë po nëse nuk mundin duhet me kthy..Është e qëlluar sepse është e nevojshme fëmijët dhe njerëzit me ecë lirshëm e jo në trotuare që nuk mund t’i nxënë as dy persona” , tha ai.

Sipas qytetarit Haviz Gërbeshi iniciativa e komunës është shumë i mirë.

Gërbeshi: Mirë është të bëhet urë nënkalim, veturat lartë njerëzit poshtë

“Shumë mirë është bërë, këtu është shkolla nxënësit dalin, do të ketë trafik po ku nuk e di. Është përmendur kjo rrugë që sa vjet, ndoshta ky kryetar bënë diçka. Sa njeri është mbytur më mirë është të bëhet urë nënkalim, veturat lartë njerëzit poshtë”, tha ai.

Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu tha se ky ka qenë testimi i fundit i qarkores njëkahore të kryeqytetit. Sipas tij, ky testim ka qenë mjaft i suksesshëm në mënyrë që të merren informatat e nevojshme para se të bëhet një vendim final.

Iliriki: Po presim që Task Forca të dal me propozim dhe të bëhet vendim

“Siç i kemi njoftuar, ky është testi i tretë, i fundit që është bërë për qarkoren njëkahore, qarkoren e brendshme të kryeqytetit. Dy testimet e para janë bërë ditëve të shtune dhe diele, ndërsa testimi i fundit është vendos me qenë edhe një ditë pune, jo vetëm ditë vikendi për arsye se task forca ka kërkuar me qëllim që informatat të cilat i marrin me përfshi edhe një dite pune. Testi ka qenë i suksesshëm, dita e premte sidomos ka qenë shumë më rëndësi për task forcën, për informatat të cilat ata i kanë marrë dhe materiali, i cili iu duhet para se me marrë një vendim final dhe para se ta bëjë prezantimin final para kryetarit Rama, të njëjtën kohë edhe këto tre dite është përcjellur situata edhe me dron dhe janë bërë disa stimulime të ndryshme me teknologji sobverike. Gjithashtu, janë bërë edhe sinkronizime të semaforëve me qëllim që sa më shumë me marrë informacione, sa më tepër me pas material para se task forca me dalë me vendimin final. Këto testime janë bërë në infrastrukturën ekzistuese, një infrastrukturë e cila nuk është e përshtatshme për atë të cilën po mendojmë me realizu, andaj sipas task forcës diku vetëm në intervenime që do të bëhen në infrastrukturë, rreth 33 për qind do të jetë më funksionale kjo qarkore. Po presim edhe dita sotme të përfundojë, prej nesër kthehet ashtu siç ka qenë gjithmonë. Pastaj po presim task forcën të fillojë të punojë, ta bëjë më të mirën të mundshme, sa më shpejtë të dalë me një prezantim para kryetarit Rama dhe me marrë vendimin final”, tha ai.

Sipas tij, një unazë e tillë do të ndihmonte shumë në vizionin dhe strategjinë e tyre, që primar me qenë këmbësori, shtegu i biçikletave dhe në fund veturat.

Për të dhe qytetarët e Prishtinës, Musliu thotë se ka qenë më e lehtë përballja me kolonat sepse ata kanë shfrytëzuar rrugët alternative, për dallim nga qytetarët që nuk jetojnë në kryeqytet. E derisa flet për rrugën që u bllokua për automjetet, njofton se dje kishe pasur një takim me task forcën ku ata ishin shprehur të kënaqur me testimin e bërë.

Musliu: Bllokada është në harmonizim me projektin te cilin e kemi me Bankën Botërore

“Realisht kjo është në përputhje me unazën, kjo është në përputhje me projektet që i kemi me Bankën Botërore, duke e ditur se në të ardhmen me unazën qarkore, mendohet me qenë shesh deri tek katedralja, andaj në këtë mënyrë pastaj do të funksionalizohet në hapësira të ndryshme. Një hapësirë ka me qenë kënd i lojërave, një hapësirë ka me qenë parqe etj. Bllokada është në harmonizim me komplet projektin të cilin e kemi me Bankën Botërore… Është ende herët, nuk mundem me vlerësuar për arsye se është vetëm testim, mos të harrojmë ne po flasim për një infrastrukturë të cilën ende nuk është e ndërtuar, nuk është bërë asnjë investim në infrastrukturë për ta përshtatur projektim për të cilin po flasim. Testimi është bërë në të cilin nuk është në përputhje me unazën njëkahore, andaj është shumë herët për me jep një vlerësim. Testimi ka qenë që me marrë sa më shumë informata, me parë sa më shumë matje statistikore me qëllim që me marrë një vendim final….Dje kemi pasur një takim me task forcën, kemi marrë komente prej tyre dhe komentet janë se janë super të kënaqur me testimin që kanë nxjerr prej ditës së premte dhe të shtune, dita e diel nuk është shumë produktive sa i përket informacioneve materialeve që atyre i duhen për arsye se numri i veturave është shumë i vogël”, përfundoi ai.

Ndërkaq, qytetari Fisnik Lula tha se është ide përfekte dhe kjo pjesë do të duhej të mbetet e mbyllur, në mënyrë që fëmijët të kenë hapësirë për aktivitete. Ndërkaq kolonat, ai i quan të natyrshme kur ndryshohet diçka në kryeqytet.

Lula: Si ide është e mirë

“Për mendimin tim sot që po e shoh është përfekt, të premten nuk e kam parë që ka kolonë, mirëpo sot përfekt, me më pyet mua asnjëherë nuk e kisha lëshuar, kështu e kisha lënë gjithë me pas aktivitete sportive, me pas lëvizje për fëmijë. Është edhe më mirë kur nuk ka vetura për shkollë, është edhe më mirë, kanë mundësi të lëvizin fëmijët edhe jashtë oborrit të shkollës. Është e natyrshme kur dëshiron me ndërruar diçka duhet me sakrifikuar diçka, kështu që të sakrifikohmi pak, të presim, jemi bo pak nervoz por prapë vazhdojmë… Si ide është e mirë, si implementohet nuk e di por si ide është përfekt. Për mua e kisha bërë, e kisha vazhdu”, u shpreh ai.

Mbështetës u tregua dhe qytetari Lekë Preqi. Sipas tij, ideja është përfekt sepse është e nevojshme për shëndet, kurse për kolona, ai tha se çdo ditë ballafaqohemi dhe nëse bëhet kjo ide do të jetë sheshi më bashkohori.

Preqi: Plotësisht vendim i drejtë dhe modern

“Shkëlqyeshëm, përfekt në qoftëse ndërpritet komunikacioni në këtë pjesë dhe kjo pjesë i shtohet sheshit, atëherë bëhet një shëtitore e shkëlqyeshme, përafërsisht një kilometër e gjysmë ka njëherë me shkuar dhe një me u kthy 3 kilometra, shumë e dobishme për shëndetin. Mendoj se është vendim i mirë për arsye se edhe njeriu edhe automobili gjithë herë nuk shkojnë…Kolona për çdo ditë jemi ballafaquar por në përgjithësi shëtitorja, ecja në këmbë, relaksi në qetësi sepse ky shesh, sheshi Nëna Tereza, pastaj fiton vlerën më të madhe dhe nuk besoj që asnjë kryeqytet ka shesh të tillë i gjerë, i gjatë, bukur anash me kafe, perfekt…Plotësisht vendim i drejtë dhe bashkohor, modern”, përfundoi ai.

Me testimin e qarkores njëkahëshe, si fazë testuese ka filluar ditën e premte dhe përfundoi sot.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Komunave dhe qytetit të Shkupit u ndalohet themelimi i NP për ndriçim publik

Story i radhës

Daçiç akuza Perëndimit: Po na shtyn në krahët e Rusisë, na kërkon ta gëlltisim pavarësinë e Kosovës

Të fundit nga

ShkoLartë