Qeveria “Kurti-2” e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, e cilësuar si qeveri e Ndryshimeve të reja në Kosovë, për fat të keq, gjatë një viti qeverisjeje dëshmoi se akoma është larg realizimit të ndryshimeve të premtuara gjatë fushatës zgjedhore, që sipas mendimit tonë, ka shënuar më shumë dështime se sa suksese.
Po shkojmë me radhë;
– Një vit qeverisje të Albin Kurtit si kryeministër, na doli se si udhëheqës shtetëror nuk ka kapacitet të duhur për ta qeverisur vendin, por i cili madje diti t’i shfrytëzon pakënaqësitë e popullit me keqqeverisjen e mëparshme 12 vjeçare të PDK-së dhe LDK-së, dhe, këtë lakoni e përdori si metodë avancuese në politikë, por jo edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve,
– Albin Kurti, për një vit udhëheqjeje me Qeverinë e Kosovës, ia doli të prezantohet para qytetarëve si njeriu i “sakrificës”, i parimeve dhe i sukseseve, por që në njëvjetorin e marrjes së pushtetit, po dëshmon se nuk ishte aq parimorë në qeverisjen e tij, ngase shkeli shumë premtime që i kishte dhënë para zgjedhjeve të 14 shkurtit, si është dukuria e nepotizmit, politika e punësimit, avancimi i arsimit dhe shëndetësisë, etj., agjenda këto të parealizuara,
– Albin Kurti, tani më ngjason shumë me kundërshtarin e tij politik, Lumir Abdixhikun e LDK-së, jep premtime dhe në fund asgjë nuk bënë ndryshe nga të tjerët, përkundrazi, tani Albin Kurti i thurë elegji armikut të tij politik numër një, Hashim Thaçit, pa ia përmend emrin, njëjtë sikur Abdixhiku, i cili Isa Mustafën e shpalli kryetar nderi të LDK-së, pra favorizuan dy politikanët më të dëmshëm të Kosovës, njëri në Hagë dhe tjetri në pension, të cilët do duhej të përgjigjen për dëmet që ia kanë shkaktuar Kosovës. I pari për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe për keqpërdorim të miliona markave gjermane nga Fondi “Vendlindja Thërret”, ndërsa i dyti, për nënshkrimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë dhe keqpërdorimin e miliona markave gjermane nga Fondi i 3%-it të ish qeverisë së Kosovës në ekzil, etj.,
– Albin Kurti, pas një viti qeverisjeje dëshmoi se gjendjen e rëndë ekonomiko-sociale në Kosovë e keq menaxhoi, ngase nuk arriti fare ta zgjedh, qoftë minimalisht, problemin e papunësisë e as ta ndalë ikjen e trurit dhe të rinisë sonë nga Kosova, ku sot me mijëra të rinj e të reja presin për viza para ambasadave të vendeve perëndimore,
– Albin Kurti, dështoi katërçipërisht në politikën e jashtme, sepse nuk arriti të bëhet partner serioz i BE-së dhe i SHBA-ve, madje as të ftohet për vizitë nga DASH-i në Amerikë. Nuk arriti ta sjellë asnjë njohje të re për Kosovën, ndërsa në anën tjetër e lavdëron ministren e tij për punë të jashtme, si më të “mirën”, duke u kënaqur me dështimet dhe skandalet e Donika G. Schwarc, e cila zanatin e diplomacisë e ushtron pa asnjë ditë përvojë pune në diplomaci si dhe me logjikën e klubeve të dikurshme të mërgimtarëve. Pra, Albini nuk e ka vërejtur faktin se politika e jashtme e Kosovës ka stagnuar në çdo segment të saj nga ardhja e tij në postin e kryeministrit, meqë i mungon përvoja si dhe njohuritë e nevojshme mbi fushë-veprimtarinë dhe detyrat që përfshinë politika e jashtme e një vendi, si shtylla e katërt e çdo shteti dhe qeverie,
– Albin Kurti, nuk arriti të sjellë në Kosovë asnjë investitor të huaj potencial, por as edhe një ekspert të vetëm kosovarë nga diaspora, të cilët kanë bërë karrierë të shquar profesionale si dhe ata që kanë arritur suksese të mëdha në vendet perëndimore. Përkundrazi, në rrethin dhe kabinetin e tij qeveritar dhe dikasteret ministrore, solli miqtë të tij të ngushtë si dhe kuadro të dështuara nga diaspora, dhe, me këtë veprim amatoresk e dëmtoi rëndë imazhin e mërgatës tonë patriotike, intelektuale dhe ekonomike,
– Albin Kuriti, po hynë në analet politike të Kosovës, si një lider politik, që po provon të imponohet si shpëtimtar i fatit të Kosovës, dhe jo vetëm, por i cili dështoi të bëhet politikan serioz në raport me shoqërinë kosovare dhe miqtë e Kosovës,
– Albin Kurti, me kauzën e tij politike dhe shtetërore, po rezulton se është mjaftë imagjinar, madje edhe fundamentalist i majtë politik, i veshur me social-liberalizmin majtist, duke përjashtuar nga qeveria e tij çdo demokrat dhe nacionalist shqiptar të djathtë, vetëm nga frika e mbi-dominimit të tyre në skenën politike shqiptare. Madje, edhe ashtu si një ideolog i majtë që është ka mjaftë deficit politik në ideologjinë dhe filozofinë e tij “Adem-demaçisto-rexhep-qosjane”..!?
Dhe, ajo që e ka habitur tej mase opinionin shqiptar, sidomos ata që e njohin mirë Albin Kurtin, është pa dyshim fakti, se cilat ishin shkaqet dhe motivet të cilat e kanë detyruar që të pëson një metamorfozë kaq të thellë të brendshme politike dhe intelektuale, që, nga njeriu i cila para tri viteve thoshte; “Shko Hashim”, plotë 11 herë në statusin e tij në FB në vitin 2019-të, kur i bënte thirrje publike ish-presidentit Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte, që të shkonte në Hagë, ndërsa sot tri vite më pas, Albin Kurtit i duket e pabesueshme që bashkëpunëtorët e ngushtë të Adem Jasharit të gjenden prapa grilave në burgun e Gjykatës në Hagë, siç e tha këtë në Kuvendin e Kosovës para disa ditëve, “Është e pamundur të mos e përmend që në kohën kur ne e kujtojmë një prej masakrave më të tmerrshme të luftës sonë çlirimtare dhe prej heroizmave më të pashembullt, në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Adem e Hamëz Jasharit që mbahen në burg, pikërisht për këtë luftë, pikërisht për këtë narrativë që ne e kemi ndërtuar me gjak..” !?
Dhe për fund, dhe, jo përfundimisht, Albin Kurti, për një vit qeverisje si kryeministër i Kosovës, nuk bëri pothuajse asgjë për forcimin e raporteve me shtetin amë, Shqipërinë, por as me shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, të cilët i ka lënë nën mëshirën e regjimeve fashiste ku ata jetojnë, duke mos u marrë asnjëherë me problemet dhe hallet e shumta që ata kanë, etj. etj., ..!?