Kufomat e të vrarëve në burgun e Dubravës, në maj të 1999, i kishin bartur të burgosurit që kishin shpëtuar nga pushkatimi.
Kështu ka deklaruar Skender Rracaj, i cili dëshmoi në procesin gjyqësor ndaj Gavrilo Milosavleviq, këtë të enjte. Ai duke e përshkruar si ndër momentet më tmerruese të jetës së tij, tha se kështu të vepronin i kishin urdhëruar gardianët serb.
“Tjetra që ka qenë edhe ma e rëndë për ne, më 24 maj 1999 kur na kanë bë transferin për Lipjan, na kanë shti me i ngarku kufomat e shokëve tanë që i kanë vra këta, ku në mesin e tyre ka qenë edhe i pandehuri që është këtu dhe na kanë urdhëru me i ngraku në kamiona”, ka thënë Rracaj.
Tutje, dëshmitari ka thënë se për arrestimin e Milosavleviqit ishte informuar në media, dhe se tha se për të ishte prekëse.
“Aty për mua ka qenë momenti më prekës, sepse mu kujtua momenti kur ka ndodh pushkatimi i shokëve në fushën e sportit kur “Gagi” ka qenë te karaulla dhe ku kanë jep urdhër për me i vra të burgosurit dhe për këtë jam i sigurt”, ka shtuar Rracaj.
Në këtë seancë dëshminë e ka dhënë edhe Bajram Behluli, i cili gjatë periudhës 1989-1998 kishte punuar si gardian në burgun e Dubravës.
Ai tha se e kishte parë të akuzuarin, por nuk kishte kontakt me të.
“Nga viti 1988 deri më 1994 jam vendos në sigurim të brendshëm në pavion, të akuzuarin nuk mundem me thanë që nuk e kam parë, e kam parë ku kemi dalë në pauzë, por asnjëherë nuk e kam përshëndetur. Atë e kam parë që ky ka qenë me një aparat në dorë i cili ka shku në dhomën e pranimi kur kanë ardhur të burgosurit i ka fotografuar, më tepër nuk di”, ka thënë Behluli.
Gavrilo Milosavleviq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, se në cilësinë e zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civil shqiptarë.
Burimi: botasot.info