Deputetja e Listës Guxo në grupin parlamentar të Vetëvendosjes, Doarsa Kica-Xhelili, është pranë kalimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas mediave në Kosovë, zyrtarizimi i Kica-Xhelilit në partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku do të ndodhë javën e ardhshme. E për këtë sot duket se ka shkruar edhe, ministri i Bujqësisë në Kosovë, Faton Peci, i cili përmes një shkrimi e ka thumbuar deputeten Doarsa Kica-Xhelilin, duke konfirmuar kështu edhe largimin e saj nga Lista Guxo.
Peci tha se kush synon tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohen “erës së përfunduar në politikë”.
“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, ka shkruar Peci.
Ai këtë postim e ka shoqëruar me themeluesen e Listës Guxo, Vjosa Osmani dhe tash kryetaren në detyrë të kësaj partie, Donika Gërvalla.
Në vazhdimësi është raportuar se Doarsa Kica-Xhelili është larguar nga Lista Guxo, ndonëse ajo vetë nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë. Megjithatë ajo mungoi në formimin e degës së kësaj partie në Prishtinë.
Ndryshe, deputetja Kica është me prejardhje nga Veleshta e Strugë, ndërsa në Kuvendin e Kosovës arriti të futet përmes Listës Guxo me në krye presidenten aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani.