Deputetja nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari ka thënë se miratimi i propozimit francez është moment historik i cili mban vulën e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ajo ka shtuar se kjo politikë verdiktin dhe besimin e merr nga populli.
Pohon se sot triumfuan forcat progresive perëndimore duke mposhtur njëherë e përgjithmonë agjendat regresive proruse.
Shkrimi i plotë:
Moment historik për Maqedoninë e Veriut sepse nuk ka të ardhme për qytetarët tanë dhe për qytetarët e Evropës përveç Bashkimit Evropian.
Ne deputetët me 68 vota për, vendosëm sot që të jemi në anën e duhur të historisë.
Ky vendim mban vulën e Bashkimit Demokratik për Integrim sepse politika dhe vizioni i BDI-së krijon stabilitet etnik, mirëqenie dhe prosperitet demokratik. Kjo politikë verdiktin dhe besimin e merr nga populli, siguron të mira për popullin dhe është krenaria e çdo shqiptari në vend.
Sot triumfuan forcat progresive perëndimore duke mposhtur njëherë e përgjithmonë agjendat regresive proruse në këtë territor. Përmes këtij patriotizmi të nivelit të lartë, u dëshmua që Maqedonia e Veriut mund të ecë përpara vetëm duke qenë shtet i të gjithëve.
Na presin edhe shumë punë për të bërë por me përkushtim, konzistencë dhe me përkrahjen e vazhdueshme të aletëve tanë ndërkombëtarë do të arrijmë sukses.
Evropa e së nesërmes, pjesë e së cilës do të jemi në një të ardhme të afërt, duhet të jetë një Evropë mbinacionale që vepron në paqe, në siguri e në liri.