Llapi dhe Drita do të përballen sonte në finale të Kupës së Kosovës, e cila do të luhet në Prishtinë.
Kjo ndeshje ka bërë jehonë të madhe, sidomos në Podujevë dhe në Gjilan.
Dhe, efekti i kësaj loje është parë edhe në Kuvendin e Kosovës sot.
Në fakt, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri është rikthyer në seancën e sotme me një dukje të pazakontë.
Deputeti llapjan e kishte veshur fanellën e Llapit me numër 4, përmes së cilës e shfaqi mbështetjen për ekipin e tij të zemrës.
Llapi do ta kërkojë sonte mbrojtjen e trofeut të Kupës, në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet duke filluar nga ora 20:00.