Dy deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu dhe Floretë Zejnullahu, kanë zhvilluar një aksion simbolik në seancën e Kuvendit këtë të enjte.
Në foltoren e këtij institucioni ato kanë vendosur një parullë ku shkruan “Zdravo” që në shqip do të thotë “Përshëndetje”.
Kujtojmë se, këto ditë janë publikuar disa audio-incizime të një bisede mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila si dhe Sllavko Simiqit nga Lista Serbe.
Këto audio-incizime të publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe Simiqi në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion. Opozita po akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend.
Ndërkaq, nga partia në pushtet kanë thënë se audio-incizimet janë redaktuar, prerë e gjymtuar dhe se “qeveria jone ka zero varësi nga Lista Serbe”.