Departamenti i Shtetit Amerikan: Lideri i opozitës së Venezuelës mbërrin në SHBA

Departamenti i Shtetit Amerikan ka bërë të ditur se Juan Guaido, ish-udhëheqësi i qeverisë së përkohshme opozitare të Venezuelës, ka mbërritur i sigurt në SHBA pasi udhëtoi për në Kolumbi, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, tha se diplomatët amerikanë “kanë punuar ngushtë me qeverinë kolumbiane për ta ndihmuar atë të mbërrijë i sigurt në SHBA”.

“Ne jemi mirënjohës ndaj qeverisë së Kolumbisë për mbështetjen e venezuelianëve që ikin nga vendi i tyre për shkak të persekutimit dhe krizës humanitare brenda Venezuelës”, tha Patel.

Më herët, raporte të shumta thanë se Guaido, të cilin SHBA-ja më parë e kishte njohur si udhëheqësin e përkohshëm të Venezuelës mes përplasjes me presidentin Nicolas Maduro, kishte fluturuar në Miami, Florida, në një vizitë të papritur.

Guaido hyri në Kolumbi dje për të marrë pjesë në një samit të organizuar nga presidenti kolumbian, Gustavo Petro, në kryqytetin Bogota, që kishte për qëllim nxitjen e bisedimeve midis qeverisë dhe opozitës në Venezuelë.

Guaido u largua nga Karakasi të shtunën përmes rrugëve tokësore dhe mbërriti dje në territorin kolumbian. Përmes llogarisë së tij në twitter, lideri i opozitës tha se ka kaluar kufirin për në Kolumbi “në këmbë” dhe se synon të takohet me delegatë ndërkombëtarë që merrnin pjesë në samitin e sotëm.

Udhëtimi i tij në Kolumbi shkel një ndalim për t’u larguar nga vendi, që është vendosur nga Gjykata e Lartë e Venezuelës në janar të vitit 2019. Ai gjithashtu kundërshtoi ndalimin e vendosur nga gjykata për të udhëtuar në Kolumbi në janar të vitit 2020.

Guaido deri në fillim të vitit mbajti presidencën e përkohshme që mori mbështetjen e SHBA-së dhe mbi 50 vendeve të tjera, por Asambleja Kombëtare e udhëhequr nga opozita në muajin dhjetor votoi për ta larguar atë nga posti.

Qeveria kolumbiane ka deklaruar se “vetëm vendet e ftuara për të marrë pjesë në bisedë” do të lejohen të marrin pjesë në samitin e Venezuelës.

Kolumbia mblodhi përfaqësues të disa vendeve të Evropës, Amerikës Latine dhe SHBA-së për të marrë pjesë në takimin që synonte zgjidhjen e krizës politike në vendin fqinj.





Story i mëparshëm

Manaj shënoi gol por që nuk i shërbeu skuadrës së tij në Kroaci

Story i radhës

OpenAI zbulon një plan të ri me pagesë për ChatGPT dhe kontrolle mbi privatësinë

Të fundit nga