Një variant redaktuar i dokumentit prej 38 faqesh, që shërbeu për të marrë autorizimin e gjykatësit për kontrollin e rezidencës së ish-presidentit Donald Trump në Florida, vë në pah se Departamenti i Drejtësisë ishte i shqetësuar se burimet sekrete mund të viheshin në rrezik.
Deklarata prej 38 faqesh, që përdori FBI-ja për të siguruar autorizimin e gjykatësit për kontrollin e shtëpisë së ish-Presidentit Trump, është publikuar, ndërsa gjysma e faqeve janë redaktuar për të mbuluar të dhëna të ndjeshme. Në të thuhet se zoti Trump kishte 184 dokumenta të klasifikuara, dhe kishte bërë shënime në disa prej tyre.
Këto dokumente, me të dhëna të ndjeshme për mbrojtjen kombëtare, kanë tronditur dhe alarmuar ekspertët e sigurisë kombëtare dhe të zbulimit. Zëri i Amerikës bisedoi me zotin David Laufman, ish-shefi i seksionit të kundërzbulimit pranë Departamentit të Drejtësisë.
“Me sa dihet, është e paprecedentë që një ish-president të zhvlerësojë veten e tij, duke marrë materiale të klasifikuara, qartësisht të shënuara si të tilla, që i përkasin nivelit më sekret të klasifikimit. Kode fjalësh tepër sekrete që përdoren për mbledhjen e të dhënave nga agjencitë amerikane të zbulimit. Madje në dokumentet e kthyera në Arkivin Kombëtar kishte dokumente tepër të ndjeshme. Hamendësoj se ata u tronditën kur zbuluan materiale të klasifikuara. Pra, kjo është arsyeja se pse ata e dërguan çështjen në Departamentin e Drejtësisë”.
Zoti Trump e ka dënuar kontrollin e shtëpisë së tij, duke e quajtur të paligjshëm. Por ish-presidenti dhe asnjë nga mbrojtësit e tij nuk kanë shpjeguar se pse ai ka mbajtur një vëllim kaq të madh dokumentesh shumë të klasifikuara, tha një eksperte ligjore për Zërin e Amerikës. Kim Wehle, profesoreshë për drejtësinë në Universitetin Amerikan, beson se ish-presidenti përballet me probleme serioze ligjore.
“Me sa dimë ne, nuk ka asnjë justifikim të ligjshëm për të. Për 18 muaj, atij iu kërkua të kthente dokumentet dhe ai refuzoi”.
Shqetësimi i saj u reflektua edhe në dokumentin e publikuar të premten se një nga arsyet e kontrollit të FBI-së ishte edhe frika e kompromentimit të burimeve të zbulimit amerikan.
“A janë komprometuar emrat e individëve të përfshirë në operacione sekrete të Shteteve të Bashkuara, në emër të mbrojtjes kombëtare? A ka emra individësh dhe a janë tani në rrezik sepse ky informacion ka rënë në duart e kundërshtarëve tanë të huaj?”, shtron pyetjen profesoresha Wehle.
David Laufman, ish-shef i kundërzbulimit në Departamentin e Drejtësisë, thotë për Zërin e Amerikës se drejtësia amerikane duhet të peshojë një sërë faktorësh nëse do të ngrejë akuza penale ndaj zotit Trump.
“Ndër të tjera, do të kërkonte faktorë të tjerë rëndues, përpjekje për të fshehur nga qeveria praninë e materialeve të klasifikuara në rezidencën e tij. Në njoftimet e shtypit flitet, të paktën përmes avokatit të tij, se zoti Trump po përpiqej të fshihte materiale të klasifikuara që kishin mbetur atje. Ka disa raportime se kutitë ishin zhvendosur, çka ngre pikëpyetje serioze lidhur me qëllimin”.
Presidenti Joe Biden, i cili u pyet të premten nëse ishte i shqetësuar se paraardhësi i tij përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare, tha se kjo çështje i takon Departamentit të Drejtësisë./VOA