Një gjykatë në Ukrainë dënoi me burgim të përjetshëm ushtarin 21 vjeçar rus nën akuzat për vrasje të civilëve, në rastin e parë të gjykimit të krimeve të luftës, që kur Moska sulmoi Ukrainën 3 muaj më parë.
Vadim Shishimarin, pranoi fajësinë për vrasjen e 62 vjeçarit Oleksandër Shelipovin, në një fshat në rajonin Sumy në verilindje, në ditët e para të sulmit.
Ai dëshmoi se e qëlloi Shelipovin, me urdhër të eprorëve. Oficeri, që dha urdhërin, tha ushtari, kërkoi vrasjen e tij pasi Shelipovi, i cili ishte duke folur në celular, mund t’u tregonte forcave ukrainase vend-ndodhjen e saktë të forcave ruse.
Prokurorët ukrainas po hetojnë mijëra raste të dyshuara për krime lufte.
Forcat ruse kanë bombarduar një teatër, ku ishin strehuar civilë, si dhe një maternitet.
Pas tërheqjes së forcave ruse nga periferitë e Kievit, janë zbuluar varre masive dhe trupa të shumta vikimash civile janë gjetur nëpër rrugë, në qytete si Buça.
Forcat ruse e kanë përqëndruar tani vëmendjen në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës, ku forcat lokale separatise, që mbështeten nga Moska, ka vite që luftojnë kundër ushtrisë ukrainase.
Ndihmat ushtarake perëndimore kanë qënë çelësi i mbrojtjes së Ukrianës, duke bërë që forcat e saj, shumë më të vogla në numër dhe të armatosura më keq se ushtria ruse, arritën ta zbrapsin sulmin ndaj Kievit dhe të mos lejonin rënien e kryeqytetit.
Sipas Presidentit Zelensky, 50 deri 100 ushtarë ukrainas humbasin jetën çdo ditë në luftimet në rajonet lindore./VOA