Dënimet plotësuese për veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje

November 2, 2022
min lexim

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar  Projektligjin  Nr. X/L –XX për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe ka  proceduar  Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim të mëtutjeshëm në procedurë të rregullt parlamentar.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal  i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, në mënyrë urgjente pa i kaluar të gjitha fazat procedurale të parashikuara me Rregulloren e Qeverisë së Kosovë, i është dërguar Kuvendit të Kosovës për miratim, krahas Projektligjit edhe  Deklaratën për përafrimin dhe harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian,  Memorandumin shpjegues, Opinionin ligjor dhe Deklaratën për vlerësimin e ndikimit financiar.

 Në këtë vështrim  rreth  Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal  do të ndalem në pjesët e propozuara për ndryshim lidhur me shtimin e dënimeve plotësuese për veprat penale të  dhunimit  dhe  dhunës në familje, mos lejimin e zbutjes së dënimeve, si dhe kohë më parë mos lejimin e procedurës së ndërmjetësimit(pajtimit) për rastet e dhunës në familje.

Dënimet plotësuese të propozuara janë me sa vijon:

– ndalimi i blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike apo licencave që jepen nga një autoritet publik  çfarëdo shërbimi nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet;

– ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë tjetër e përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet;

–  ndalimi i drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit dhe dhunës në familje;

–  ndalimi i  punësimit në sektorin publik në të gjitha nivelet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit;

– ndalimi  të drejtës së përfitimit të patentë shoferit dhe të drejtës së drejtimit të automjetit në çdo lloj të kategorisë, nga një (1) deri në pesë (5) vjet, personit që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit.

Përveç dënimeve plotësuese të parapara për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunës në familje, me këtë Projektligj është paraparë që mos të  zbatohet zbutja e dënimeve  për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje, me nenin 7 par.3: Zbutja e dënimeve si dhe kufijtë e zbutjes së dënimeve të përcaktuara në nenin 71 dhe 72 të këtij Kodi, nuk do të zbatohen për veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje”.

Në Deklaratën e përputhshmërisë së legjislacionit të Republikës së Kosovës me Acquis të Bashkimit Evropian(BE-së), të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë ceket:“Duke parë trendin në rritje të veprave penale të Dhunës në familje, Dhunimit dhe veprës penale Kibernetike, Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetencave të saja ka parapa ndryshim në politikat ndëshkimore për këto vepra penale”.

Vërejmë se kjo çështje  nuk është rregulluar me Acquis  të Bashkimit Evropian, me  listën e burimeve primare të së drejtës së  BE-së, e as me listën e burimeve sekondare dhe me listën e burimeve të ndonjë drejte tjetër të BE-së.

Arsyeja se propozuesja, Qeveria, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë është  thirr në Deklaratën e përputhshmërisë së legjislacionit të Republikës së Kosovës me Acquis të BE-së, kur nuk k legjislacion të BE-së me të cilën përputhshmëria është kërkuar,  nuk ka fare arsye e as logjikë.

Në opinionin ligjor të departamentit  ligjor të Ministrisë së Drejtësisë  lidhur me përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së theksohet:” Fushëveprimi i Projektligjit Nr. X/L-XX për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës nuk cenon parimet e acquis të BE-së”.

Me asnjë fjali të vetme  nuk ceken se cilat parimet e acquis të BE-së nuk cenohen, pasi që kapitulli 23 e as  kapitulli 24 i Acquis të BE-së  fare nuk ka të  bëjë me propozimet për plotësimet dhe ndryshimin e Kodit Penal, lidhur me dënimet plotësuese të propozuara për veprat penale të dhunimit, dhunës në familje dhe kibernetike.

Në memorandumin shpjegues për Projektligjin, përveç tjerash theksohet se:”  Rendi ligjor po harmonizohet gjithnjë e më shumë me Acquis të BE-së. Për këtë arsye  Ministria e Drejtësisë e ka konsideruar si urgjente ndryshimin e politikës ndëshkimore në lidhje me veprat penale të dhunimit, sulmit seksual, dhunës në familje si dhe sulmeve kibernetike”.

Çfarë urgjencë paska  Ministria e Drejtësisë të aplikojë masat shtesë ndëshkimore për këto vepra penale, si dhe mos lejimin e zbutjes së dënimeve për këto vepra penale, duke mos zbatuar fazat e parapara me legjislacionin në fuqi, duke mos mbajtur fare konsultime dhe duke mos marr opinionin e publikut lidhur me këtë projektligj. Qëllimi i harmonizimit të këtij Projektligji me Acquis të BE-së nuk është arsye, për këtë nuk  jep asnjë burim primar, sekondar apo tjetër të Bashkimit Evropian, pasi që për këto vepra  një gjë e tillë nuk parashihet në drejtën aktuale evropiane.

Këto dënime plotësuese për veprat penale Dhunimi, Sulmi seksual dhe Dhunë në familje, sikurse edhe mos zbatimi i zbutjeve të dënimit dhe mos lejimi i procedurës së ndërmjetësimit( pajtimit) për veprat penale të Dhunës në familje, jo vetëm që paraqesin shkelje të rëndë të lirive dhe drejtave njerëzore, por njëherit cenojnë dinjitetin e njeriut, bëjnë   segregacion(ndarje) dhe diskriminim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por  edhe shkeljen e mbrojtjes gjyqësore  në kuptim të nenin 54 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe  nenet 7 dhe 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Për parandalim apo zvogëlimin e veprave penale të dhunimit, dhunës në familje, mjaftojnë sanksionet penale ekzistuese në fuqi në Kosovë, e me shtimin  e dënimeve  plotësuese , sidomos për veprën penale Dhunë në familje, është jashtë çdo mase, pasi që nga praktika gjyqësore gjatë së cilës has gjatë përvojës sime të punës së avokatisë, me këto dënime plotësuese, si dhe me mos lejimin e procedurës së ndërmjetësimit (pajtimit)  dhe mos zbatimit të zbutjes së dënimeve, vetëm se edhe më shumë do të acarojnë harmoninë familjare, duke shkuar në drejtim të ç’thurrjes familjare dhe prishjeve t të marrëdhënieve brenda familjes. Vepra Dhunë në familje ndodh brenda familjes, në raport burrë- grua, prindër- fëmijët, etj.,dhe në shumicën e rasteve ndodhin ad-hock, aty për aty, në rastin e fjalosjeve dhe grindjeve  nga cili do qoftë anëtar i familjes, të ndikimeve nën alkool apo të substancave narkotike, dhe si të tilla pas denoncimit në polici dhe prokurori, palët zakonisht  i tërheqin akuzat ndaj të akuzuarve. Edhe pse palët i tërheqin akuzat, procedura gjyqësore vazhdon me ç’rast shkaktarët e dhunës në familje dënohen me sanksione penale në fuqi,  duke mos lejuar procedurën e ndërmjetësimit(pajtimit), e me këto propozime do të ndëshkohen edhe me dënime plotësuese shtesë, si dhe mos aplikimin e zbutjeve të dënimit.

Do të përmbyll këtë elaborim rreth Projektligjit për plotësim dhe ndryshim të Kodit Penal të Kosovës me një krahasim non sens, të paparë gjer tani në drejtën pozitive në fuqi në Republikën e Kosovës,  gjersa në njërën anë : “Përmes Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal si vepër e re penale konsiderohet edhe Testimi i virgjërisë, kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut”, ndërsa në anën tjetër dënimet plotësuese  të parapara  për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje, si dhe mos aplikimi i zbutjeve të  dënimeve  për veprat penale të dhunimit, dhunës në familje, si dhe më parë  procedura e ndërmjetësimit(pajtimit) që nuk  zbatohet në rastet e dhunës në familje, me këto nuk po shkelen të drejtat themelore të njeriut???!!!

“O tempora! O mores! – Çfarë kohe! Çfarë sjellje”

02.11.2022        Av. Faik MIFTARI

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Top shënuesit në Superligën e Kosovës në futsall

Story i radhës

Ditët e Letërsisë Suedeze: U promovuan shtatë vepra të përkthyera në shqip

Të fundit nga

A po e pret Yllka Kuqi edhe një fëmijë?

Këngëtarja Yllka Kuqi kohës së fundit ishte prezente tek një dasëm ku paraqitja e saj mori vëmendjen e shumë ndjekësve. Teksa ajo shfaqet në një fustan tejet elegantë ku vë në pah
ShkoLartë