Departamenti i Mjekësisë Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit do të zhvillojë në datat 7 dhe 8 shkurt 2022 një kurs për fizioterapistë e studentë të mjekësisë, të cilët punojnë me ekipe futbolli e jo vetëm.
Ky kurs do zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe do të udhëhiqet nga drejtuesit të departamentit, doktor Gianluca Stesina dhe koordinatorit të departamentit, Ilvi Begolli, të cilët do të jenë edhe relatorët.
Qëllimi i këtij moduli është që të rrisë aftësinë profesionale në fushën e mjekësisë sportive dhe të karakterit post-traumatik e fokusuar më shumë në patologjitë sportive. Sipas Departamentit të Mjekësisë në FSHF fokusi i këtij kursi të radhës do të jetë te dëmtimet muskulore te sportistët.
Do të jenë rreth 35 pjesëmarrës, të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në kursin, ku interesi është gjithmonë i lartë, pasi të tilla eksperienca janë një mundësi e mirë për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e mjekësisë sportive dhe të kualifikohen në aspektin profesional.
Siç është bërë e ditur në muajt e fundit Departamenti i Mjekësisë në FSHF ka zhvilluar kurse të ndryshme fizioterapie ku janë trajtuar tema që kanë të bëjnë me patologjitë e dëmtimeve të gjymtyrëve, përdorimi i terapisë strumentale (aparaturave) në patologji të ndryshme, dëmtimet muskulore në sport si dhe ndihmës së parë (urgjenca).