Gazmend Demolli ka pasur një vit shumë të mirë në rrafshin sportiv, duke fituar në shumicën e garave që ka marrë pjesë, e në disa prej tyre edhe ka vendosur rekord të shtegut.
Diçka të tillë arriti edhe në garën e fundjavës që shkoi, “Molika 2023”.
Shtegun me gjatësi prej 3.9 kilometrave, Demolli me Radicall SR8 LM e kaloi për 01:46.351 minuta, ndërsa rekordi paraprak, që po ashtu e mbante anëtari i Prishtina RT ishte 01:49.428 minuta.
“Kam pritur fitore, sepse shtegun e njoh shumë mirë, ndërsa edhe makina ishte në gjendje të mirë.
Sigurisht, në çdo garë e jap maksimumin dhe kështu ishte edhe në ‘Molika 2023’ dhe në fund ia dola të fitoj me rekord të shtegut”, ka thënë Demolli.
Deri në fund të kampionatit ka mbetur vetëm edhe një garë në disiplinën malore, ndërsa ai nuk e ka të sigurt nëse do të jetë pjesëmarrës apo jo.
“Nuk e di a do të marrë pjesë, sepse në të njëjtën ditë është edhe gara në Austri në kuadër të FIA CEZ që e kam shumë të rëndësishme për plasmanin përfundimtar.
Gjithsesi vlerësoj se për mua ishte një vit i mirë për mua në rrafshin sportive”, ka shtuar Demolli, i cili ka paralajmëruar se në kampionatin e ardhshëm do të garojë me një veturë edhe më cilësore.