Deja Vu – reale

February 24, 2022
min lexim

Mbrëmja e sotme më kthej rreth njëzet e tri-katër vite pas. Sonte në mbrëmje pas sa e sa kohe zëri i televizionit kumbonte duke përcjell të gjitha edicionet e lajmeve, nga ora shtatëmbëdhjetë deri në orën njëzet. Diku në botë po bëhej luftë njësoj sikur atëherë.

“Zëri i Amerikës”, më erdhi si shuplakë e nxehtë në faqe sepse me kthej në tmerrin kur si fëmijë i hapja sytë para televizionit të kuptoja se çka po ndodhte, meqenëse, të rriturit kishte kohë që kishin mbyllur gojët të na jepnin sqarime. Ata flisnin vetëm kur ne fëmijët nuk ishim aty.

Darka e sotme me ngeci në fyt, kur dëgjova alarmin që kumbonte në televizion duke paralajmëruar që, një re e zezë po e godiste Evropën sërish. Instinktivisht para vetes pashë një grumbull me kafshate të vockla buke të cilat i kisha bërë, e të cilat nuk kisha forcë t’i kapërdija. Njësoj sikur atëherë në shtëpinë e babës,  kur të mbledhur në sofër nëna mundohej të na nxiste të hanim, po që do se mua nuk me shkonte kafshata. E  vetmja gjë që bëja atëherë, grimcoja bukën duke shpresuar që kafshatat e vockla do t’i kapërdija më lehtë. E vetmja gjë që doja atëherë, të isha e shurdhër, shumë thjeshtë, nuk doja të dëgjoja krisma, britma e tmerre që i përjetoja çdo ditë. E vetmja gjë që kërkoja atëherë, të mos kisha sy, që të mos shihja viktima të masakruar, që të mos shija fytyrën e gjyshit të mundur nga frika, të atij gjyshit tim trim që nuk i lëkundej qerpiku para askujt.

Teksa pashë në televizion pamjet e ushtarëve të armatosur në konvoj e me helmeta në kokë, para syve më doli vetja në një qerre duke ikur në drejtim të Gjakovës. Ishte tetëmbëdhjetë qershori i vitit 1998, unë atë ditë mbushja dhjetë vjet. Kisha ditëlindjen, por kjo nuk ju kujtua askujt sepse natën e kishim kaluar në qiell të hapur midis mali. Mëngjesi i hershem na gjeti bashkë me nënën, gjyshin e ne shtatë fëmijët në një qerre duke kërkuar strehe në qytet. Atë ditë pashë për të parën herë ushtarët serb në një kamion të renditur në rresht, në të dy anët e rimorkios. Ata mbanin helmeta në kokë dhe automatik të kthyer drejt nesh. Njëri nga ta ka pasur sytë aq të kaltër sa shikimi i tij ngultas në sytë e mijë më futi tmerrin. Në jetën time më s’kam hasur  sy të tillë që xixëllojnë aq shumë.

 Ajo pamje është imazhi më i frikshëm i cili më ka përcjellë gjithë jetën, duke ma kujtuar përmbushjen e një dekade jete në një qerre kali larg nga shtëpia ime. Larg nga ajo dhoma e ngrohtë ku në rrethana të tjera do të mund të fryja dhjetë qirinjtë mbi tortën time. Më dhemb tmerrësisht shumë kur e mendoj se diku atje në botë një vogëlushe sot mund të përjetoj një të tillë situatë.

Pata menduar se lufta e Kosovës kishte qenë shembulli më i keq se si në një epoke moderne liria dhe e drejta për të jetuar qetë dhe në paqe mohohet.

Se e përjetoj sërish pas njëzet e sa vitesh një tjetër luftë të armatosur ku e drejta e jetës mohohet, ku një shtet i jep të drejtë vetës të ushtroj gjenocide mbi një shtet tjetër pa asnjë brejtje ndërgjegje, ku ëndrrat e një kombi të tërë prishen nga alarmi i luftës dhe bombardimet e papritura, nuk e kam besuar kurrë dhe ende më duket e pabesueshme.

Dhe e gjithë kjo ndodh në prag të përfundimit të një luftë globale rreth tri vjeçare kur të gjithë luftuam një armik të përbashkët e të padukshëm. Dhe e  gjithë kjo ndodhë para një botë të civilizuar, ku të gjithë ndjejnë dhe solidarizohen me popullin ukrainas por që askush nuk luan gishtin që të merr një veprim konkret që të parandaloj një katastrofë tjetër njerëzore.

Ku është qytetërimi këtu? Ku është e drejta dhe liria e individit për të jetuar?

Nga po shkon bota mbarë në këtë kohë kur mundësitë për të jetuar në harmoni janë më të favorshme se kurrë. Dikush tha që: lufta fillon kur të doni, por nuk mbaron kur të doni.

Sa e pranishme thënia e Kennedy sot edhe pse e  thënë kohë më parë: njerëzimi duhet t’i vë fund luftës para së lufta t’i vë fund njerëzimit.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pas ShBA-së, edhe Kanada vendos sanksione të ashpra ndaj Rusisë

Story i radhës

Imazhi satelitor kap sulmin në bazën ajrore pranë Kharkiv, pamje tronditëse

Të fundit nga

Ministri i Jashtëm i Italisë vizitë në Kosovë

Ministri i Jashtëm Italian vjen për vizitë në Kosovë, takohet me misionin e KFOR-it Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, ka ardhur në Kosovë. Kështu raporton faqja zyrtare e
ShkoLartë