Debati politik të bazohet në vepra konkrete, e jo në fjalë boshe! Kjo u nevojitet qytetarëve!

min lexim

Shkup, 28 tetor – Debatet politike nuk përfundojnë asnjëherë. Akuzat dhe kundërakuzat, replika e kundër replika, letrat e hapura dhe të mbyllura, janë pjesë e përditshmërisë politike, si tek ne, poashtu edhe në vende tjera.
Në gjitha këto përplasje politike, esenca është më e rëndësishme se forma. Dikush din të flasë më mirë, të shkruajë më bukur, ose të thumbojë më me sens kundërshtarin, por efekti është momental dhe i kufizuar. Për të lënë gjurmë më të thella, debati dhe kundër debati duhet të përmbajë esencë dhe të jetë i bazuar.

E asgjë nuk i jep bazë më të fuqishme një debati politik, se sa veprat që realizohen. Debati pa vepra është bosh dhe nuk çon peshë. Më pak fjalë, e më shumë punë, është fjala popullore që definon më së miri këtë që po duam ta themi me këtë analizë, shkruan Zhurnal.

Në politikë shpeshherë ndodh kundërta. Kemi shumë raste kur një politikan nuk punon, por flet shumë dhe krijon imazh para opinionit sikur është politikan shumë i aftë. Prej politikanëve ë tillë përfitojnë subjektet e tyre, por jo edhe qytetarët që ua kanë dhënë votën.

Nga ana tjetër, kemi politikanë që flasin pak, por realizojnë shumë punë. Prej tyre ka dobi votuesi, por nuk ka dobi subjekti politik. Tek shoqëri të pakonsoliduara demokratike sa duhet, këta politikanë mbeten në margjina.

Debat intensiv politik dhe mediatik në Maqedoni u hap edhe lidhur me Korridorin 8. Do të ndërtohet, nuk do të ndërtohet, do të vazhdohet, nuk do të vazhdohet,… Gjatë kohë u debatua për këtë Korridor pas formimit të qeverisë së re, debate që shkaktonin huti tek qytetarët dhe dilema për fatin e këtij Korridori të rëndësishëm. Nga deklarimet e politikanëve, qytetarët një ditë krijonin bindje e do të përfundon shumë shpejtë, e ditën tjetër se nuk do të realizohet asnjëherë.

është mirë që këtij debati iu vendos një pikë e madhe, me fillimin e sotëm të punimeve intensive në këtë korridor, në pjesën nga Gostivari deri në Bukojçan. Paralajmërimi për punë intensive të makinerisë së kompanisë “Bechtel&Enka” dhe shpronësim të trasesë deri në vitin e ri, është një lajm shumë i mirëpritur nga opinioni.

Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan, asnjëherë nuk mund të ndahen si me thikë punët konkrete dhe debati politik. Kjo u vërejt edhe sot në Bukojçan, ku u shpreh zotimi konkret se së shpejti nga Shkupi deri në Ohër dhe Strugë të udhëtohet për një orë e gjysmë. Mirëpo ishte e pamundur që ngjarja tërësisht të kalojë edhe pa debat politik, ku në fokus ishin përgjigjet ndaj letrës ë kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, shkruan Zhurnal.

Siç bënë të ditur sot nga BDI, letra e Ahmetit apelon për më shumë përgjegjësi dhe pjekuri nga partitë politike dhe institucionet në këtë periudhë kritike, duke nxitur zgjidhje që do të forcojnë bashkëpunimin dhe unitetin, dhe jo ndarjet. Letra e Ahmetit, e cila është bashkëngjitur në tërësi në këtë deklaratë, përbën një thirrje për bashkëpunim, respekt të ndërsjellë dhe dialog konstruktiv.

“BDI mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e mirëkuptimit ndëretnik dhe përfshirjes të cilat janë themele të përparimit të Maqedonisë së Veriut dhe të ardhmes së saj evropiane”, thuhet në letër.

Zëvendës kryeministri i parë, Izet Mexhiti, këto letra i ka vlerësuar si fjalë boshe. “Sot nuk jemi për letra, nuk jemi për muhabete bosh, sot jemi këtu për punë konkrete. Nuk jemi këtu as për të luajtur futboll, sot jemi këtu për punë konkrete dhe të rëndësishme siç është korridori 8-të dhe jam i lumtur që punimet për këtë projekt të rëndësishëm për shtetin po nisin të realizohen me një dinamikë të madhe”, tha Mexhiti.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se letrës së Ali Ahmetit do t’i qaset si çdo letre tjetër që pranon nga qytetarët, duke relativizuar poashtu edhe peshën e letrës së shkruar, por edhe të Ahmetit si politikan, shkruan Zhurnal.

“Unë çdo ditë marr shumë letra dhe i lexoj, marr shumë porosi dhe me kujdes të madh i qasem çdo komunikimi me qytetarët. Z.Ahmeti është qytetar dhe duhet t’i kushtohet vëmendje çdo letre të çdo qytetari, kështu vepron një qeveri e përgjegjshme. Siç tha zëvendëskryeministri Mexhiti ne nuk luajmë futboll, ne punojmë dhe jemi të përgjegjshëm”, tha Mickoski i cili iu përgjigj pyetjeve pas inspektimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan të Korridorit 8.

Kurse BDI edhe pse tani katër muaj në opozitë, duket qartë se ende nuk e ka humbur kondicionin për të shkruar letra, reagime dhe komunikata. Përmes një reagimi, kjo parti vlerëson që vijimi i punimeve në korridorin 8 edhe nga “Qeveria pa legjitimitet etnik dëshmon dhe konfirmon politikat tona të drejta dhe vizionare”.

Sipas “integristëve” qytetarët i ndjejnë çdo ditë përfitimet nga politikat e yre dhe binden që e gjithë gjuetia politike e shtrigave me shpifje e konstruksione ka qenë mashtrim për të ardhur në pushtet, edhe atë pa legjitimitet etnik.

Madje sipas BDI-së, Korridori 8 mban vulën e tyre dhe i takon të gjithë qytetarëve dhe apelojnë që tuneli nga Gostivari deri në Bukojçan të realizohet “sepse është opsioni më i mirë dhe më racional për këtë pjesë të korridorit”./Zhurnal

BURIMI: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

Sa më popullore një video aq më cilësi do të ketë thotë Instagram

Story i radhës

Bekteshi: Korridori 8 është vepër që ka vulën e Ali Ahmetit, dhe është mirë që e pranoni, po edhe të punoni

Të fundit nga