Dauti: Të jesh kundër Ballkanit të Hapur dhe të importosh 300 milionë mallëra serbe

min lexim

Samiti i Ballkanit të hapur në Ohër, edhe një here ktheu debatin rreth karakterit të tij. A është në interes të Serbisë, a në interes të të gjithëve? A ka të drejtë Albin Kurti që nuk e fut Kosovën në të, apo është një frikë iracionale, si edhe në shumë raste të tjera prej tij?

Populli shpesh thotë, gjithë bota në njërën anë, ti në tjetrën! Çështje “sasiore”, apo cilësore? Matematika prodhon relacione kuantitative, vërtet, por ajo nuk e jep përgjigjen për cilësinë, edhe pse dialektika marksiste dikur na mësonte se “kuantiteti shndërrohet në kualitet”.

Ec e merre vesh tash në kontekst të Ballkanit të hapur çka është e drejtë e çka e gabuar. Momentalisht, tri vende brenda, dhe tri jashtë, rezultati del baras.

Kush ka të drejtë, shtytësit e ekzaltuar Rama e Vuçiq me Kovaçevskin dhe Zaevin dikur si treshe, apo skeptikët në anën tjetër. Kandari ka nisë të rëndojë nga tre të parët pas Samitit të Ohrit javën e kaluar, sepse Abazoviqi nuk është kundër, ndërkaq edhe kryeministri boshnjak u shpreh se herën tjetër BeH ndoshta do të marrë pjesë si anëtare! Pra, do prishet ai barazim 3 pro e 3 kundër. Edhe BE-ja edhe Eskobari i Amerikës, pro. Gjithë këta në një anë, dhe Albini kundër. Të gjithë janë gabim, ai ka të drejtë? Në jetë është vërtetuar se jo përherë shumica ka të drejtë. Zëri i arsyes nuk është përherë te shumësia e grigjës, por te urtësia e çobanit…

Edhe në planin shqiptar, kemi një relacion të ngjashëm. Tre me një: Rama e Ali Ahmeti bashkë me Abazoviqin (Mali i Zi ende i papërcaktuar zyrtarisht si shtet, por ai vetë jo kundër), e Albini prapë i vetmuar. Ndasia në këtë pikë nuk është vetëm midis liderëve, por dhe midis analistëve, intelektualëve, qytetarëve, e të mos flasim për anëtarësitë respektive që qëndrojnë prapa këtyre, si në Shqipëri, si në Kosovë, e diç më pak ka debat në Maqedoni. Dhe për të qenë më e koklavitur, çdo palë ka nga ndonjë argument të fortë që i jep të drejtë, ndonëse shpesh duket se është fjala për një diskurs patriotik ku ndahen “tradhtarët” dhe “atdhetarët”. Dhe këtu pastaj sikur pushon pesha e argumentit.

Klishea është kjo: Albini nuk e tradhton kauzën kombëtare dhe nuk i cenon interesat e Kosovës me mospërfshirjen në Ballkanin e Hapur? Po atëherë a janë tradhtarë Rama, Ahmeti e Abazoviqi që mendojnë se në bashkëpunimin rajonal në fushën e ekonomisë kanë dobi të gjithë? Aq më tepër nëse edhe qëndrimi i BE-së dhe SHBA-ve është në këtë linjë, por me përfshirje të të gjithëve?

Për vete kam qenë dhe kam mbetur diku “në mes”, pikërisht duke pasur parasysh se ka argumente që janë pro, por dhe që janë kundër. Vendosja e hegjemonisë së mallrave serbe në Ballkan, është një mundësi reale në kohën kur dihen kapacitet prodhuese të këtij shteti kundrejt të tjerëve. Por, kjo hegjemoni edhe tash vlen, sepse në Kosovë, edhe në kohën e qeverisjes së Kurtit, hyjnë mallra serbe në vlerë mbi 300 milionë eurosh.

Ata që i mbrojnë përfitimet e Ballkanit të Hapur, thonë se në këtë pikë gjithë do të përfitonin. Një argument se mallrat serbe do të jenë më konkurruese sepse Serbia i subvencionon ato, nuk është argument i qëndrueshëm, sepse të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe të tjerët (psh. Shqipëria mund t’i subvencionojë fermerët për prodhimet e qumështit që çmimi të jenë njësoj si qumështi i lirë i Serbisë dhe ky qumësht, pastaj, për shkaqe patriotike, mund të blihet më tepër edhe në Kosovë e Maqedoni nga konsumatorët shqiptarë).

Disa mbrojtës të Ballkanit të Hapur, do të thonë se kjo çështja e prodhimit është njësoj edhe në tregun unik evropian, sepse edhe atje ka vende me potencial më të madh prodhues, kundrejt disa të tjerave, por dhe çdo vend ka ndonjë përparësi me prodhimet e veta ndaj vendeve tjera, por ai treg funksionon dhe rregullat e tregut vlejnë për të gjithë.

Tregu dhe konkurrenca e lirë, pikërisht e kanë për qëllim që prodhuesit të aftësohen të ofrojnë çmime konkurruese në garë të lirë.

Nëse prodhon Serbia, pse të mos prodhojnë edhe Maqedonia, Kosova, Shqipëria? Nëse qarkullimi i mallrave lehtësohet me rregullat e Ballkanit të hapur, ato lehtësira do t’i shfrytëzojnë të gjitha vendet.
(Fragment nga kolumna e publicistit Daut Dauti botuar në gazetën “Koha”)

Story i mëparshëm

Shqiptarët e RMV-së edhe me një parti politike!!!

Story i radhës

Kalendari i Premier Ligës 2022/23, këto janë duelet e xhiros së parë

Të fundit nga