Dauti kërkon që Shqipëria të ndjekë shembullin e Italisë që me ligj të mbrojë gjuhën shqipe!

Publicisti Daut Dauti në një kolumnë në gazetën “Koha”, ka sugjeruar që Shqipëria ta vë në mbrojtje gjuhën shqipe, njësoj siç me një propozim ligj mëton ta bëjë qeveria italiane për të ndaluar përdorimin e fjalëve anglisht në komunikimet zyrtare, duke kërcënuar me gjoba deri në 100,000 euro, me arsyetimin e partsë në pushtet, Vëllezërit e Italisë, “se përhapja e anglishtes e poshtëron dhe e dëmton gjuhën italiane”.

“Duket ekstrem në shikim të parë, por më duket se më së shumti qan për këtë pikërisht Shqipëria që ta aplikojë një ligj të tillë dhe atë ta zgjerojë jo vetëm për institucione, por dhe në media. Sepse, harakiri që po i bëhet gjuhës shqipe në media, do të përfundojë me veteutanazi!”, shkruan Dauti në kolumnën “Nëse mundet Italia italishten, pse jo dhe Shqipëria të mos e mbrojë shqipen!?”.
Prej shumë shembujve që kohë pas kohe i ka veçuar ky autor, ai rikujton edhe një herë përdorimin vend e pa vend të fjalëve të huaja, e si shembull më të ri, është përdorimi i fjalës “facilitete” në vend të “objektit”, apo “ndërtesa” ose “ndërtime”, për të shtuar se në media e tregti ka aq shumë “skonto” e “okazione”, “surprizëra” e “oto-oto çinkue”, saqë kjo ka nisur ta cenojë shqipen seriozisht.

Duke sjellë shembuj për politikat gjuhësore të disa vendeve, Dauti pyet se çka bën shteti shqiptar në këtë drejtim?

“Shqipja e medias është e dominuar nga barbarizmat, ndërkaq shfytyrimi i rregullave drejtshkrimore shkon deri në shkallë sa dhe emrat shqiptarë kanë filluar të mos i shquajnë apo lakojnë. Shembulli më pervers i përdhosjes është emisioni i Marin Memës kushtuar Hoxhë Tahsinit, emetuar të shtunën, ku disa herë u shkrua kjo frazë: “Manushaqe Halili, stërmbesë e Hoxhë Tahsin”!!! Çka të thuhet tjetër, përveçse të kërkohet me ngulm që edhe qeveria “majtiste” e Tiranës të propozojë “ligj djathtist” për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga ndikimet e gjuhëve të tjera, ku do të sanksionoheshin edhe fjalët e huaja, edhe shkelja e rregullave gramatikore.”, shkruan Daut Dauti, i cili në vazhdimësi në shtyp dhe media ka shkruar për këto tendenca.

“Ndryshe, si po shkojnë punët, na hëngri dreqi! Nëse mundet Italia të sanksionojë me ligj përdorimin e fjalëve angleze, mundet edhe Shqipëria të vë rregulla ligjore për ta mbrojtur gjuhën shqipe që vetë bijtë e shqipes po e shkelin me të dy këmbët!”, përfundon shkrimin e vet kolumnisti i gazetës ”Koha”.

Story i mëparshëm

Nuk flet më me Einxhel, Beniada tregon çfarë ka ndodhur mes tyre

Story i radhës

Një grup saudit shpreh interesim për blerjen e klubit të Romës, bisedimet do të nisin këtë javë

Të fundit nga