Dardaninë e çliruan ushtarët e NATO-s

Dardaninë e çliruan ushtarët e NATO-s: anglezët, amerikanët, gjermanët, francezët, italianët, norvegjezët, suedezët. Ishim dëshmitarë të kësaj ngjarje më të madhe në njëqind vjeteshin e fundit. Qindra filmime, raporte televizive të  mediave më të mëdha botërore, e dëshmojnë këtë ngjarje epokale, që nuk do të harrohet kurrë. Nuk do t’ua harrojmë aleatëve që na shpëtuan nga shfarosja.

Filmimet e hyrjes-çlirimit të Dardanisë nga ushtarët e NATO-s shpesh dalin edhe sot në rrjetet sociale me gjerësinë e spektaklit, a me detajet e dorëzimit të ndonjë njësiti serb (kujtoni pamjet në Prishtinë, Prizren, Pejë). Janë pamje të papërsëritshme.

Ndërhyrja e ushtarëve të NATO-s që të na shpëtojnë nga shfarosja, ishte përgjigje përgjërimit të ish- presidentit Ibrahim Rugova, të përsëritur dhjetë vjet çdo ditë, ishte përgjigje e masakrave serbe e mizorive të ushtrisë jugosllave ndaj popullatës civile shqiptare.

Forcat guerile shqiptare me siglën e UÇK-së, ku kishte grupime me përcaktime nga më të ndryshme (FARK-u i Ibrahim Rugovës, guerilet e LPK-së, grupimet e pavarura të djathta e të majta), luftuan, sakrifikuan, u vranë dhe u plagosën, por në finale nuk arritën ta çlironin asnjë katund a qytet. Pati luftime heroike të këtyre grupeve guerilje. Lavdi heroizmit të tyre, brezat nuk do t’i harrojmë. Por me fuqinë e tyre ushtarake nuk mund ta çlironin Dardaninë.

Përkulemi para burrave e grave që dhanë jetën për liri, që luftuan e sakrifikuan, ashtu sikurse përkulemi para mijëra viktimave të luftës, burrave të masakruar e grave të përdhunuara. Por kjo prapë nuk mjaftonte që ne ta çlironim vendin me forcat tona. E kujtojmë sakrificën e Adem Jasharit dhe të familjes së tij, kujtojmë edhe mijëra familje të tjera që u sakrifikuan, por grupimet e UÇK-së nuk patën forcë t’i ndalnin përdhunimet, të mbronin popullatë e pambrojtur. Shpesh grupet e tilla ia mbathnin nga katundi dhe e lenin popullatën në mëshirën e kriminelëve serbë.

Nuk duam të kujtojmë përçarjet brenda këtyre grupeve të UÇK, që rrezikonin të shpërthenin në luftë civile, ashtu si shpërtheu lufta civile në mes të partizanëve shqiptarë dhe nacionalistëve në Shqipërinë etnike me 1944-45, sipas të njëjtit model veprimi e grupimi të Enver-Miladinit.

Treshja Nano, Majko, Milo i nxiste në vëllavrasje grupet që i dirigjonte, por ishte mençuria e Rugovës që nuk lejoi vëllavrasje.

Zhurmën për kinse çlirimin e vendit nga UÇK-ja, shërbimi i tyre i propagandës e  bëri për të arsyetuar plaçkitjet, zhvatjen e pronave dhe të pasurisë kombëtare, në emër të meritave të luftës, sikur ata ta kishin çliruar Gadishullin Ilirik a kontinentin tonë, ndërsa nuk arritën ta çlironin as katundin e tyre. Është e dhimbshme të kujtohen pastaj vrasjet e pasluftës, zhvatjet, kërcënimet e zhdukjet e kundërshtarëve politikë që të hapnin rrugë për pushtet e zhvatje njëzetvjeçare.

Guerilja shqiptare me siglën e UÇK-së nuk arriti të formonte ushtri, armatë. Organizimi i UÇK-së ishte më i dobët se sa i forcave nacionaliste shqiptare që iu kundërvunë partizanëve serbo-malazezë dhe ushtrisë jugosllave që e pushtoi Dardaninë me 1945.

 Forcat nacionaliste shqiptare e humben luftën sepse nuk patën aleatë. SHBA, Britania e Madhe, Franca nuk ishin në anën tonë, na lanë nën okupimin e Jugosllavisë. Patëm tribunë ushtarak të tipit të Shaban Polluzhës, Mehmet  Gradicës, Muharrem Bajraktarit, Gjon Serreçit, Ymër Berishës, vëllezërve Kryeziu, Marie Shllakut e qindra të tjerëve. Por nuk e kishim prapa SHBA-n, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Gjermaninë, sikurse i patën tash.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Grubi: Sasi shtesë e energjisë elektrike do të sigurohet nga prodhimi vendor

Story i radhës

KS i OKB-së diskuton për krizën rreth Ukrainës

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish